Zoti Rama,
ju jeni i bindur se dyshimet që ka prokuroria nuk mjaftojnë për një arrestim. Për të arritur te arrestimi, është e domosdoshme që të konsultohet gjykata, e cila më pas jep verdiktin nëse një njeri duhet të arrestohet apo jo. Nëse vepron vetë, atëherë SPAK mund të konsiderohet një institucion paralel si i serbëve dikur në Kosovë.
Nëse ju keni të drejtë dhe jeni themeluesi i SPAK-ut, kjo do të thotë se ata që punojnë atje nuk janë juristë kompetentë dhe marrin vendime arbitrare. Është për të ardhur keq një vendim i tillë, ashtu siç është për të ardhur keq që ju duhet të ndërhyni në këtë çështje.
(Edhe Thaçi krijoi Gjykatën Speciale duke qenë i bindur se e krijonte vetëm për të tjerët! Mirëpo, karma ekziston).
Ju besoni se gjykata dhe prokuroria duhet të funksionojnë sipas pritshmërive tuaja. Kjo del qartë nga fjalimi juaj i sotëm në Facebook. Nëse ato funksionojnë sipas dëshirave tuaja, atëherë nuk kemi një prokurori të pavarur. Dhe kur nuk ka ndarje të pushteteve, por gjithçka kontrollohet nga qeveria, atëherë kemi një sistem si në kohën komuniste.
Në fakt, ju kërkoni që kontrata me votuesin të mos prishet nga prokuroria apo gjykata, edhe kur akuza nuk është e mjaftueshme, në mënyrë që një person të ketë imunitet deri në përfundimin e mandatit. Kjo do të thotë se krimi apo korrupsioni duhet toleruar derisa politikani të largohet nga posti shtetëror.
Ashtu si në kohën tuaj, Shqipëria nuk ka pasur më parë një imazh më të mirë si vend europian. Megjithatë, brenda vendit, çdokush e di që korrupsioni është i rrënjosur në çdo pore të shtetit. Ai gjendet gati në çdo sferë të biznesit, dhe njerëzit janë të detyruar të punojnë me dy orare për të mbijetuar.
Kjo do të thotë se drejtësia mungon. Një shtet që nuk arrin të krijojë një rend ligjor do ta zbrazë vendin e vet. Shembuj të tillë janë parë në Italinë e Jugut, ku popullsia është detyruar të emigrojë vazhdimisht. E njëjta gjë po ndodh sot me Shqipërinë dhe Kosovën.
Dua të besoj se keni të drejtë në të gjitha vërejtjet që bëni ndaj SPAK-ut dhe gjykatave. Dua ta besoj sinqerisht se keni të drejtë.
Mirëpo, kjo nuk e bën Shqipërinë një shtet ligjor. E kuptoj angazhimin dhe pasionin tuaj. Shoh edhe rezultate në shumë fusha. Por mungesa e shtetit ligjor nuk mund të justifikohet.
Dhe e përsërisni se është arrestuar pa gjyq. Prokuroria nuk e ka atë kompetencë, as atë pushtet, që të arrestojë njerëz pa lejen e gjykatës. Jo në demokraci.
Ju thoni se doni t’i tregoni SPAK-ut kur bën gabime. A do të thotë kjo se e shihni veten si këshilltarin kryesor të një institucioni juridik, për të cilin ju nuk keni asnjë kompetencë?
Gjithashtu, ju thoni se SPAK-u është i pavarur dhe se Ministri i Drejtësisë nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Mirëpo, duke konstatuar këtë, ju ndërhyni personalisht në sistemin e drejtësisë, duke i dhënë këshilla dhe udhëzime SPAK-ut për mënyrën se si duhet të veprojë.
Ky veprim juaj është në kundërshtim me atë që pohoni, sepse ndërhyrja juaj nuk është në përputhje me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Për fat të keq, Zoti Rama, fjalimi juaj dhe arsyetimet që ofroni kanë ngjashmëri shqetësuese me ato të Aleksandar Vuçiqit, i cili mban fjalime çdo ditë në televizionin e Serbisë.
Edhe nëse më kritikoni, thotë ai, apo më shani, duke më quajtur djali i kurvës apo duke thënë se babai im nuk është babai im i vërtetë, fjalimi juaj ka logjikën e viktimizimit dhe përfundim të njëjtë me ato të Vuçiqit. Fajtorë janë të tjerët, ndërsa ju dhe ai, si gjithmonë, jeni vetëm engjuj!
Ajo që duhet të bëhet në Shqipëri dhe Kosovë është që shpifja të trajtohet dhe të dënohet, sepse, nëse në televizionin thuhet se Edi Rama ka paguar 30.000 euro një shishe verë, ose që Erion Veliaj ka blerë për gruan e tij një fustan për 35.000 euro, dhe nëse këto janë të pavërteta, atëherë duhet të gjykohen këto shpifjeje që ndikon tek njerëzit për të krijuar bindje të gabuara.
Sidoqoftë, fjalimi juaj, edhe me shumë pasion, lë hapësirë për dyshime dhe keqkuptime, sidomos për lidhjen tuaj me Erion Veliajn.
Problemi është se, si Partia Demokratike, ashtu dhe Partia Socialiste, reagojnë dhe flasin me shumë pasion kundër SPAK-ut, kur arrestohen njerëzit e tyre, por kur arrestohet një kundërshtar, shumë herë gëzohen ose heshtin.
Kur arrestohet një person nga partia e vet, alarmohen dhe e shohin si një shkelje të drejtësisë. Kjo tregon se partitë po veprojnë si një lloj kriminaliteti i organizuar, duke pretenduar se janë parti normale, dhe presin që SPAK të jetë vetëm një institucion që mbron ata.
Si konkluzion, për fjalimin tuaj të sotëm mund të thuhet kjo:
Ju shpallërt veten viktimë të drejtësisë që keni krijuar vetë, ndërsa institucioni që quhet SPAK nuk qenka gjë tjetër veçse një organizatë terroriste që merret me kidnapimin ose rrëmbimin e njerëzve të pafajshëm. Kështu mendonin edhe klani i Berishës dhe Metajt.
Kaq kisha të them për fjalimin e sotëm.
Kujt duhet t’i besoj unë?
Unë i besoj Ramës çfarë thotë për Berishën dhe Metën,
i besoj Berishës dhe Metës çfarë thonë për Ramën,
dhe i besoj akuzave të SPAK-ut për ata tre dhe bashkëpunëtorët e tyre.