Po bëhet një muaj nga dita kur presidenti amerikan, Donald Trump, filloi për herë të dytë detyrën e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë. Në kaq pak kohë ai i ka dhënë njerëzimit aq shumë njohuri e informacion për atë që SHBA-të synojnë në politikën e jashtme, sa kurrë më parë. Sllogani “Amerika e para” nuk do të thotë izolim nga bota tjetër të SHBA-ve. Përkundrazi do të thotë realizimi i interesave të saj kudo në botë. Kjo është tashmë e thënë qartësisht nga presidenti Trump. Kudo ku ka vatra lufte dhe tensioni, presidenti amerikan ka formuluar kushtëzime konkrete. Ukrainës i kërkon litiumin dhe minerale të tjera me interes për vendin e tij. Në Lindjen e Mesme dëshiron të ketë investime nën administrimin direkt shtetëror të administratës së tij (Rasti i Gazas). Në Beograd ka planifikuar të ngrejë një “Trump Tower.
Pra, Donald Trump po e formulon përpjekjen e tij për rindërtimin e gjeopolitikës së re bazuar direkt në llogaritë e përfitimeve që ai dhe SHBA do të kenë në këto vatra tensioni dhe lufte. Duket sikur paraardhësi i Trump, ish-presidenti Joe Biden, i nxiti konfliktet e sotme ekzistuese, me qëllim që pas tij të vinte dikush e të konkretizonte kërkesat në dobi të interesave amerikane në këmbim të ndihmës që Amerika duhet të japë. A është e ndershme kjo lëvizje politike e gjeopolitike e Donald Trump? Absolutisht që jo. Por brenda pandershmërisë, në këtë lëvizje ka një ndershmëri të shtuar krahasuar me paraardhësit e tij. Ndërsa ata synonin t’i fshihnin qëllimet e vërteta, Trump i shpall ato hapur në publik. Pra ai është i lexueshëm, nuk është mashtrues.
Shqiptarët në Amerikë e mbështetën Donald Trump të vinte në pushtet. Kjo ndodhi, sepse ata panë që Grennell dhe Marko Gjuriq lobuan fort në dobi të Serbisë. Dhe shqiptarët u përpoqën të krijojnë një kundërpeshë. Të pengonin sa ishte e mundur lobimin e fuqishëm serb në administratën e re të Trump. Lëvizja për të mbështetur zotin Trump ishte e zgjuar dhe nuk e ka lënë lobin shqiptar në SHBA në bisht të situatës. Por fatkeqësisht ky lob është i përçarë, nuk ka një vizion të qartë dhe projekt të konsoluduar e të mbështetur nga të gjithë. Kjo ka ndodhur sidomos dekadën e fundit, kur filiali i qeverisë serbe në Tiranë u angazhua për përçarje në vend të bashkimit. Sepse Rilindja e Edi Ramës e shndërroi angazhimin e diasporës në funksion të pushtetit të tij.
Megjithatë nuk është vonë që të veprohet. Në Kosovë sapo janë zhvilluar zgjedhjet parlamentare dhe prej këtyre zgjedhjeve do të dalë qeveria e re. Në Shqipëri këto zgjedhje zhvillohen më 11 maj, nëse ato nuk do të shtyhen për në vjeshtë. Eshtë rasti dhe koha që të ketë një qasje politike në përshtatje me rrethanat politike që zhvillohen, sidomos sa i përket qëndrimit tonë përballë Serbisë. Dialogu Kosovë – Serbi është sërishmi thelbi i zgjidhjes. Pikërisht për ta devijuar një vendimmarrje të drejtë po punon me gjithçka mundet Beogradi. Duket se ka ikur koha kur inercia e bombardimeve të NATO-s e nxiste Amerikën në përkrahje pa kushte për Kosovën. Kjo kohë në fakt filloi të ndryshojë që në mandatin e parë të Barak Obamës.
Cila është ose duhej të ishte strategjia jonë në kushtet e reja, kur në Beograd do të ndërtohet, sipas të gjitha gjasave kulla e pestë e Donald Trump? Çfarë duhet ndryshuar në sjelljen tonë politike me qëllim që të ruajmë epërsinë e së drejtës kundër të padrejtës? Më saktë epërsinë e viktimës (Kosovës) kundrejt agresorëve (Serbisë)? Çfarë duhet të ndryshojë në sjelljen politike të Shqipërisë dhe sidomos të Kosovës në kushtet e reja gjeopolitike, sidomos pas ardhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë? A nuk do të duhej që liderët politikë të pyesnin veten dhe të jepnin përgjigje përmes konsultave me ekspertët për këto pyetje? Sigurisht që po.
Por liderët dhe politikanët tanë janë të zënë me punë të tjera. Ata i duan lidhjet me Donald Trump për të konsoliduar pushtetin e tyre dhe jo për të ndërtuar një strategji politike e diplomatike për të reaguar të gjithë së bashku kundër përpjekjeve të Serbisë që ta rikthejë Kosovën ose një pjesë të saj nën sovranitetin e Beogradit. Liderët tanë janë të zënë me porositë online të fustaneve të grave të tyre dhe nuk e kanë mendjen te territori, zhvillimi dhe rritja e mirëqenies së shqiptarëve. Ata ikjen dhe zbrazjen e Shqipërisë ose edhe të territoreve tjera shqiptare e quajnë “modën e kohës”! Sepse nuk duan të pranojnë dështimet në qeverisje.
Albin Kurti në Prishtinë ka bërë shumë për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës në katër vitet e shkuara. Por sjellja e tij pas 20 janarit të këtij viti duhet të jetë krejt ndryshe. Ai, së bashku me presidenten Osmani, kanë detyrë të ndërtojnë së bashku strategjinë e fitores përfundimtare. Njëherë në shekull vjen kjo kohë e ndryshimeve radikale gjeopolitike në botë. Ndaj dhe kryeministri, presidentja e politikanët e Kosovës duhet të bëhen bashkë. Në mos jo për nuret e njëri-tjetrit, duhet ta bëjnë këtë për Kosovën. Ndryshe bëhen palë me lobim serb për ta shkatërruar shtetësinë dhe territorin e Kosovës!