Reformimi i sistemit të drejtësisë, që ka nisur tash disa vjet e që sapo ka dhënë shkëndijat e para duke rizgjuar shpresën e shqiptarëve për një të ardhme premtuese në vendin e tyre, nuk ka kaluar pa mallkime e anatemime, as në kulmin e punës për ngritjen e institucioneve të reja, ku po të mos ishte faktori ndërkombëtar, zor se do të siguroheshin votat e duhura në Kuvend. Skenat e mbledhjes së deputetëve të Kuvendit me “apel” nga Ambasada Amerikane në vendin tonë, bash si ata fëmijët e vegjël të shkollës që i ftonin dikur të rreshtoheshinn në oborr me një të rënë të ziles, nuk mund të harrohen lehtë, pavarësisht se tash produktit të saj, herë i thonë “bir” e herë i thonë “kopil”, në vartësi të prekjes së interesave të tyre meskine, herë e quajnë produktin e tyre, e herë pjellë sorosioane, në vartësi të “erës” që frynë në hapësirat brenda vendit, apo ato gjeopolitike jashtë tij.
Kur ka patur veprime konkrete prej organeve të reja të drejtësisë, ndonëse akoma ato janë me pikatore, reagimi ka qenë i fuqishëm e shpesh dispropocional. Deri tek ngjarja e fundit, ajo e arrestimit të Erion Veliajt, Kryetar i Bashkisë së Tiranës e një nga njerzit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste në pushtet pas Edi Ramës, ishte Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Sali Berisha, bashkë me ish-presidentin Meta, ata që e mallkonin dhe etiketonin SPAK - un e GJKKO - n me lloj – lloj fjalësh nga më monstruozet, deri me sharje të ulta e fjalor rrugaçëror e përmendjen e familjeve e familjarëve të gjyqtarëve e prokurorëve, duke i vendosur ata në një gijotinë morale e politike krejt të pashembullt. Rasti i fundit, i “zgjoi djajt” edhe tek shumica qeverisëse e Edi Rama, natyrisht jo me fjalë të pista e denigruese si kampi i Berishës, por me një gjuhë të ashpër e me ndërhyrje të hapura në proces, duke rivendosur “ekulibrin” e munguar të dualitetit politik e publik me Partinë Demokratike edhe në këtë fushë. Dy palët akuzojnë e mallkojnë organet e drejtësisë për anshmëri në hetim e në veprim, për ndikime politike nga njëra apo tjetra palë, e për dizekuilibër të tyre. SKAP - i i partisë, i thotë Berisha “enblock” strukturës së posaçme, ndërsa Rama së fundmi “zbuloi” aty një “bërthamë antiparti”, me lidhje e shtrirje bashkëpunuese në Kuvend e tek opozita më e madhe shqiptare. Munguan, falë kulturës personale besoj unë, vetëm fjalët “puç shteti”, “lavire bulevardi” e të tjera atavizma që datojnë kryesisht nga viti 2011 - të e që njohin si autor të vetëm Sali Berishën. - Hetohet Veliaj e burgoset me urgjencë, ndërkohë që s’ka kohë për të hetuar 21 janarin, - thotë Rama. Kurse Berisha kërcënon disa punonjës të bashkisë që paqësisht kishin dalë të përcillnin kryetarin e tyre gjatë paraqitjes në SPAK,(gjithsesi edhe kjo një shfaqje aspak demokratike!) pa parulla e thirrje, duke u kujtuar atyre se të paktën për 25 vitet e ardhshme s’do të shihnin më punë shteti, e harron se ç’bën ai me militantët e vet sa herë i duhet të paraqitet vetë, apo përfaqësues të lartë politik të partisë së tij, në SPAK apo GJKKO. Tash Berisha praktikisht po e amniston SPAK - un, kur thotë se Veliaj u arrestua se kështu e deshi Rama, me shpresën e përqarjes së Partisë Socialiste, herë tjetër thotë se ishte populli e PD - ja që ia caktuan fatin atij përmes protestash e denoncimesh të përditshme etj.
Asnjë ekulibër nuk mbahet aktualisht në qëndrimet e respektin ndaj një pushteti shumë të rëndësishëm e të pavarur, siç është pushteti gjyqësorë, ndërkohë që teorikisht pretendohet e qirret me të madhe nga të dyja palët që struktura e drejtësisë nuk po e ruan ekulibrin në aktivitetin e saj. Edhe unë, shpesh kam menduar dhe mendoj se Drejtësia e Re anon dukshëm drejt ndjekjes së çdo shkeljeje të mundshme të kryer nga administrata dhe eksponentë të majtë, duke i hetuar e burgosur ata si “me ngut”, ndërsa dosjet e skandaleve të qeverisjes së djathtë i “ka mbuluar pluhuri” prej vitesh. Edhe unë mendoj, se Velijaj s’kishte pse të arrestohej me urgjencë, ashtu siç mendoj se as Meta s’kishte pse arrestohej si kriminel ordiner, apo vazhdoj të mendoj akoma se zvarritja e gjyqit të Berishës është e qëllimshme, e se me veprimin e lirimit të tij e arrestimin e Veliajt, SPAK - u po tenton të bëhet aktor politik aktiv në fushatën elektorale që ka trokitur, por… Mendimet e mija mbeten thjesht mendimet e një qytetari, që ka vetëm një votë e asgjë më shumë, kurse mendimet e veprimet e liderëve politikë, në pushtet e në opozitë, por sidomos në pushtet, duke pretenduar ekulibrin, në fakt e trysnojnë, intimidojnë dhe e dezekulibrojnë më tej Drejtësinë e Re.
Ekulibri i pretenduar nga të gjithë nuk vendoset me fjalime, as me protesta e presione popullore, as duke i ftuar këto organe në arenën e ndeshjeve politike si në skena gladiatorësh, tipike shqiptare. Këtë ekulibër e ka parashikuar ligji dhe vetëm përmes ligjit duhet kërkuar rivendosja e tij sa herë pretendohet se ai është prishur përmes veprimeve apo të mosveprimeve të organeve të drejtësisë. Vërtetë mund të ketë (edhe ka) ende në këto organe kamikazeë politikë, vërtetë jepen prej tyre edhe vendime të pa arsyetuara e të pa mbështetura në ligj, prova e fakte, disproporcionale me ligjin dhe shkeljen e bërë, vërtetë ka subjektivitet në shumë raste e korrupsioni depërton akoma lirisht drejt tyre duke “deformuar” vullnetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të caktuar, por sistemi i drejtësisë nuk është një person, sado i fuqishëm qoftë ai, as vetë Dumani, pasi ai ka shkallë gjykimi dhe administrimi të cilat, në se je i duruar, i qetë e i ekulibruar në kërkesën tënde, nuk shterojnë kurrë. Mundet që prokurori special e ka “shkelur” me Veliajn, mundet që gjyqtari i posaçëm të jetë “përzgjedhur” si “kamikaz” për t’a dhënë këtë vendim, por Veliaj ka mundësi të dëgjohet në gjykatë, ai ka mundësi të mbrohet me avokat mbrojtës, vendimi mund të apelohet në Apelin e Posaçëm, mund t’i bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, mund të gjenden elemente ankimimi për në Gjykatën Kushtetuese, apo edhe për në Strasburg, por asgjë nuk e legjitimon mbivendosjen politike ndaj një situate juridike, qoftë edhe formale. Shembulli i një familjeje të njërit prej viktimave të 21 janarit 2011, që në pamundësi reale e pa mjete financiare, arriti t’a rikthejë çeshtjen për rihetim edhe një here pas kaq shumë vitesh, rasti i nënës së 7 - vjeçarit Durda të vrarë nga makutëria shtetërore në Gërdec me 26 mars 2009, që nuk u ndal në kërkesën e saj ligjore për drejtësi dhe arriti t’a rikthejë atë në vemendje pas 15 vitesh, flet për atë që duhet bërë, e për të kundërtën e asaj që bëhet praktikisht e politikisht në mënyrë brutale.
Duhet theksuar se situata si më sipër nuk i shkon për shtat mazhorancës as si “kalë beteje” në luftën politike për një madat të katërt historik.. Tani, ose je forca reformuese e drejtësisë, mbështetësja e saj dhe ajo që beson në rezultatin e një pune më shumë se dhjetë vjeçare, siç e pretendon e propogandon ndoshta me të drejtë çdo ditë, ose nuk i beson asaj, për rrjedhojë, puna jote dhe fjalët për arritje janë thjesht propogandë vijuese elektorale. Opozita është “më morale” në qëndrimet e saj të pamoralshme, por thellësisht politike, ndaj Drejtësisë së Re. Ajo nuk i beson reformës, e quan atë sorosiane dhe shpall haptazi zhbërjen e saj, sapo të vije në pushtet, duke e patur edhe “kalë beteje” të fushatës elektorale. Për shijet e nevojat e saj duhen përsërit “Plepat” e duhen “rikthyer” organizatat e partisë në prokurori e gjykata. Ajo dihet se e ka votuar me pahir çdo ligj të kësaj reforne, që me konsistencë të admirueshme ka shfrytëzuar çdo shteg të mundshëm, që njerëzit e saj të depërtojnë e të jenë në vendin e duhur e kudo, dhe të veprojnë sa herë u paraqitet rasti në përputhje me “vijën e partisë”. Ku ka më paradoksale të dëgjosh Berishën sot të flasë në mbrojtje të SPAK - ut nga Rama e Partia Socialiste?! Fatkeqësisht rasti “Velijaj” shërbeu si një kurth i rrezikshëm që e tërhoqi Ramën e mazhorancën në “vallen e ujkut” dhe se fundi i saj nuk besoj të “dalë për hajr!”.
Në një artikull të mëparshëm kam shkruar në esencë për rrezikun e një “Republikë prokurorësh”, por dhe për prokurorë “pa republikë”, duke shprehur në esencë njëllojë shqetësimi për tejkalime autoritare të kompetencave në ushtrimin e detyrës nga prokurorët, sidomos ata të posaçëm, por edhe për akuzën si lojë dite e “kalamjëve” me mjekërr të thinjur në kanalet televizive, gjatë emisioneve të përnatshme dhe e politikanëve të tribunave politike, të cilët synojnë të ndërsejnë turmat në mosbindje. Mendoj seriozisht se trajtimi kaq prioritar, pagesat e stërmëdha e privilegjet e tjera që i ka dhënë ligji strukturës speciale, e sidomos pritshmëria e lartë dhe besueshmëria e ndërkombëtarëve dhe e publikut ndaj tyre, ka bërë që aty të shfaqen simptoma të sëmundjes së rëndë të “Republikës së prokurorëve”, si dalja e dosjeve në publik, shfaqjet e pazakonta publike të tyre, gafat në dosjet hetimore të justifikuara si lapsuse etj, por ne jemi në fazën që duhet t’a rritim e mbështetim këtë strukturë, jo t’a “denigrojmë”, natyrisht duke parë e shqyrtuar kujdesshëm edhe mekanizmat ligjore që simptomat e vogla e të veçanta të mos trashen e t’i marrin asaj shtatin dhe e gjitha kjo, vetëm përmes mekanizmave që vetë ligji i ka parashikuar, jo duke i anatemuar, presionuar e intimiduar.
Situata duket sa paradoksale, po aq edhe e rrezikshme. Nuk është fantazi gazetareske as politike, që e përzier me ethet elektorale në prag dhe me situata hipotetike postzgjedhore, ku formimi i qeverisë së re mund të mos jetë dhe aq e lehtë, ku treguesit ekonomikë mund të përkeqësohen në muajt në vijim e situata kriminale të agravohet edhe për shkak se shumë grupe kriminale janë vënë në shenjestër të drejtësisë, e “çakejve” u është prishur strofka, muajt në vijim të jenë “të nxehtë” e sistemi ynë i dëmtuar e i brishtë, të “vetinjorojë” e “vetrepresojë” mekanizmat ligjore vetekulibruese, duke rrezikuar gjithë ekulibrat e brishtë që kemi si shtet e si shoqëri. Çdo rrëshqitje në këtë kahje, sidomos nga mazhoranca socialiste qeverisëse, është e rrezikshme e mund të barazojë me zero gjithë arritjet e derisotme, që nuk janë pak. Pushteti e vijimësia kanë e duhet të kenë rëndësi për socialistët, por pushteti pa një Shqipëri të shëndoshë e pa hapa të sigurt drejt destinacionit tonë strategjik, Bashkimit Evropian, nuk mund të jetë dekoratë, veçse një njollë e faqe e zezë e tyre në historinë e pasur qeverisëse dhe opozitare. Mendjet e ftohta, si ajo e Agollit në 1990 apo Meidanit me shokë më vonë, nuk mungojnë, e ato duhen thirrur në skenë sot, më shumë se kurrë!