Kosova, një fryt i kultivuar nga të gjithë shqiptarët

Opinione

Kosova, një fryt i kultivuar nga të gjithë shqiptarët

Nga: Prof.dr. Skender Asani Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 15:23
Prof.dr. Skender Asani

Pavarësia e Kosovës nuk është thjesht një ngjarje historike, por një projekt kombëtar që mishëron përpjekjet dhe sakrificat e shqiptarëve për liri dhe dinjitet. Ajo nuk është një dhuratë e rastësishme e historisë, por rezultat i një rrugëtimi të gjatë, të mbushur me sfida, rezistencë dhe përkushtim të vazhdueshëm. Ky proces, i cili ndau në dysh aspiratat kombëtare në vitin 1912, u përmbyll me fitoren e Kosovës në qershor të vitit 1999 dhe me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Kosova, si një shtet i ri, është fryt i përbashkët i të gjithë shqiptarëve, pa dallim vendndodhjeje apo forme kontributi. Në këtë rrugë, shqiptarët kanë dhënë gjithçka që kanë pasur: disa luftuan me armë, disa me penë, të tjerë ofruan mbështetje morale dhe materiale. Roli i diasporës shqiptare, i intelektualëve, studentëve dhe punëtorëve ka qenë po aq i rëndësishëm sa ai i luftëtarëve në terren. Prishtina ka shërbyer për dekada si qendër e intelektualizmit dhe shqiptarizmit, duke ndriçuar rrugën e edukimit dhe rezistencës për shqiptarët në Maqedoni, Serbi të Jugut, Mal të Zi dhe gjetkë. Megjithatë, pavarësia nuk është fundi i rrugëtimit, por fillimi i një sfide të re: ndërtimi i një shteti të qëndrueshëm dhe demokratik. Kosova duhet të forcojë institucionet, të luftojë korrupsionin dhe të sigurojë zhvillim ekonomik.

Angazhimi i botës akademike dhe shkencore është i domosdoshëm për ta bërë Kosovën një faktor të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Integrimi evropian dhe euroatlantik duhet të ecë paralelisht me forcimin e lidhjeve kombëtare, duke mos harruar kurrë rrënjët historike dhe aspiratat e shqiptarëve. Në këtë kontekst, pavarësia e Kosovës është një arritje që i përket të gjithë shqiptarëve dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm për t’u mbrojtur dhe zhvilluar. Bashkëpunimi institucional, kulturor dhe shkencor mes shqiptarëve duhet të jetë baza për të ardhmen e përbashkët. Vetëm përmes unitetit dhe përpjekjeve të përbashkëta, Kosova do të arrijë të konsolidohet dhe të bëhet një shtet i fortë dhe i respektuar në nivel global.

Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, sfidat politike dhe gjeopolitike kërkojnë mençuri dhe unitet për të përballuar të panjohurat që po shfaqen në arenën ndërkombëtare. Duke pasur parasysh tendencat globale dhe ndikimin e qendrave të vendosjes, Kosova duhet të fokusohet në ndërtimin e një strategjie të përbashkët kombëtare, duke shmangur përçarjet e brendshme që mund ta dëmtojnë interesin shtetëror.

Në momente kyçe historike, kur shteti përballet me sfida të mëdha, është e domosdoshme që të gjitha shtresat shoqërore të jenë të mobilizuara rreth një vizioni të përbashkët. Mërgata shqiptare, si një faktor i rëndësishëm ekonomik dhe politik, duhet të jetë pjesë e këtij mobilizimi për të siguruar një mbështetje më të gjerë për interesat kombëtare. Përçarjet e ngushta politike dhe ideologjike shpesh kanë penguar progresin dhe kanë dobësuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Prandaj, në këtë moment kritik, elitat politike duhet të fokusohen në ndërtimin e shtetit dhe jo në garën për pushtet. Vetëm përmes një qasjeje të unifikuar dhe një strategjie të mirëpërcaktuar, Kosova mund të kalojë me sukses këto sfida dhe të sigurojë një të ardhme më të qëndrueshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat