Dardani e dashur me gjithë dëshirën e madhe, që si në çdo përvjetor tjetër edhe në këtë vit, ta urojë nga thellësia e zemrës 17 vjetorin e pavarësisë, frika nga aventurat renegate të kastës së kriminalizuar shqipfolëse dhe udhëheqësit e shitur e mafioz, të cilët vazhdojnë të na rrinë mbi kokë, duke na kërcënuar në vijimësi me krijimin e "zajednicës" kundërkushtetuese njëetnike serbe, zbeh qëllimshëm dhe me paramendim të orkestruar, shkëlqimin e dëshirave tona të çiltra për ty dhe hijezon fuqinë e urimeve tona të përzemërta për Pavarësi.
Veçanërisht gjatë kësaj fushate parazgjedhore më i zëshmi deri në vjellje dhe neveri, për formimin me çdo kusht të “zajednicës” ishte shitësi i Kullës e Çakorrit dhe 8300 hektarëve tokë autoktone të Kosovës, Malit të Zi, sharlatani i gjithë politikës kosovare, Ramush Haradinaj, kështu që frika nga rreziku real i ndarjes dhe bosnjëzimit të shtetit tonë nga më të vegjlit në Ballkan dhe rajon, kanë mbjellë ndjenjën e pasigurisë te njerëzit tanë deri në atë shkallë, sa që ne, si qytetarë të cilët vërtetë e duam me gjithë zemër pavarësinë e vendit dhe shtetin tonë të lirë në gjithë territorin, të mos dimë më, se me çfarë doze gëzimi të festojmë, as deri në cilët kufij, guxojnë të shtrihen e shpërndahen urimet tona, në këtë ditë të shënuar, e të ëndërruar aq gjatë për ta parë Kosovën tonë të lirë dhe shtet demokratik e të pavarur!
E si për koincidencë, serish fatkeqësia jonë e madhe, vjen pikërisht nga brenda dhe nga renegatët tanë vendor, të cilët përkundër gjithë ati mundi e gjaku të derdhur nga disa gjenerata dhe krejt ngjarjeve dramatike të përjetuara nga shqiptarët gjatë luftës për çlirimin Kosovës, realizimin e pavarësisë, shtetndërtimin dhe krijimin e institucioneve të mirëfillta shtetërore, edhe 25 vjet pas çlirimit dhe 17 sosh të pavarësimit të saj, Kosova nuk rrezikohet vetëm nga aventurat e Grenellit dhe serbofilëve të tjerë të blerë nga Vuçiqi me dollarë, por edhe nga tradhtitë e zuzarëve shqipfolës, të shitur për dinar serb.
Ata të cilët pas nënshkrimit dhe miratimit të marrëveshjes me shumicën dërmuese të votave në Kuvend, nga paraardhësit partiak, si pasues të tyre, tani duan me çdo kusht edhe ti jetësojnë në tokën e Kosovës, ngrehinat kurrë të paqena serbosllave, si “zajednica” kundërkushtetuese serbe, duke shkelur rëndë mbi kushtetutën e ligjet e shtetit të Kosovës dhe gjakun e derdhur të heronjve dhe dëshmorëve të popullit tonë të shumëvuajtur!
Kështu që para se ta pranojë birësimin e kopilit të opozitës si "zajednica" kundërkushtetuese një etnike serbe, e lindur kundërligjshëm dhe lënë përdhunshëm Kosovës në derë, për dëmtimin sa më të rendë dhe hapjen e rrugës, për ndarjen e ricopëtimin përfundimtare të saj, si problem të pariparueshëm të kthyer tanimë edhe në imponim “ndërkombëtar”, në rastin më të keq, të pamundësisë për rrugëdalje, me reciprocitet për minoritetet analoge, në mënyrë që ato që përfiton pakica serbe në Kosovë, tu garantohet me marrëveshje të nënshkruar ndërkombëtare edhe shqiptarëve të Kosovës Lindore të mbetur nën Serbi, kryeministri aktual, kësaj radhe, më mirë do të ishte të mos e formojë fare qeverinë edhe nëse i siguron numrat.
Dhe nga opozita bashkë me popullin që e donë vërtetë këtë vend me gjithë zemër, ta luftojë në rrugët dhe sheshet e gjithë territorit tonë, krijimin e “zajednicës”, dhe bosnjëzimin e Kosovës, kësaj katrahure të pashembullt të tradhtisë kuislinge, në mënyrë që të shpëtohet vendi nga ricopëtimi, avancohet shtetndërtimi e pavarësia dhe të garantohet vazhdimësia e shtetësisë së Kosovës.
Duke njohur qëndrimet e dyshimta të opozitës dhe brengën e thellë mbarëpopullore për fatin e rëndë që e ka pllakosur mbarë vendin nga pasojat e tradhtive dydekadëshe të kuislingëve shqipfolës, vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohet tërësia territoriale e Dardanisë tonë të bukur, sigurohet ecja me hapa më të sigurt, drejtë integrimeve euro perëndimore, mundësohet anëtarësimi në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare dhe jetësohen përpjekjet për pranimin e Kosovës si shtet i pavarur në gjithë territorin e saj, me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara!
Andaj qytetar dhe bashkëkombës shumë të dashur të Dardanisë tonë martire, me gjithë brengën e pashuar për fatin e frikshëm që e ka pllakosur mbarë popullin nga pasojat e mëdha të tradhtive të vazhdueshme të kuislingve shqipfolës, që tanimë po shihet sheshazi se nuk janë një a dy, por janë një mori kuislingësh dhe një armatë e tërë renegatësh recidvist, përkundër të gjithave, neve nuk jemi dorëzuar dhe vijon të na mbajë dhe bëjë edhe më të fortë atdhedashuria e pavdekshme dhe shpresa jonë e pashuar liridashëse, se ky nuk do të jetë përvjetori i fundit, i festimit të pavarësisë në territorin tënd të plotë e të pa ndarë, ndaj ty dhe gjithë qytetarëve të shtetit tonë të vogël, ju urojë nga thellësia e zemrës 17 vjetorin e madh të Pavarësisë së Dardanisë tonë të lirë!