Shumë medie shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e gjetkë i bëjnë jehonë idesë së krijimit të një shteti shqiptar të përbashkët. Spartak Ngjela është një ndër më të zëshmit në parashtrimet e tij për bashkimin e shqiptarëve në Ballkan në një shtet. Ka edhe të tjerë. Shumë zëra, majtas e djathtas, bërtasin me të madhe se “po vjen bashkimi kombëtar”! Por real-politika dhe real-diplomacia nuk besoj se të çojnë në këtë përfundim. Zhvillimet e sotme dëshmojnë se e kundërta është e vërtetë. Se koha për shqiptarët është e vështirë. Nuk bëhet fjalë që të fuqishmit e Perendimit, aq më pak të Lindjes, të mendojnë për shqiptarët, aq më pak vetëm për shqiptarët.
Nëse do të rrekemi mbas idiotësisë se për ne kanë ardhur kohë të diamanta e të arta dhe besojmë se gjithçka e kemi në xhep e të sigurt, atëherë ne vetë përgatisim katastrofën tonë kombëtare. Nëse ne duam të bëhemi faktor në rajonin e Ballkanit, atëherë merr kuptim e vlerë vetëm konsolidimi i shtetit të Kosovës. Po a i shërben shtetit të Kosovës propaganda për “Bashkim Kombëtar”? Përkundrazi, e rrënon atë. Pse e rrënon? Sepse, sipas të drejtës ndërkombëtare, nëse Kosova bashkohet me Shqipërinë, atëherë do të duhet miratimi me dy të tretat i parlamentit të Serbisë. Ndërkohë që pavarësia dhe shtetësia e saj nuk kanë si kusht të domozdoshëm njohjen e Beogradit.
Po kur mund të thotë Serbia se është e gatshme ta pranojë bashkimin e Kosovës me Serbinë? Vetëm atëherë kur të sigurohet se do të përfitojë prej saj territore që shtrihen jo vetëm në veri të saj. Në këto kushte bashkimi del si shkatërrim. Sepse me Shqipërinë mund të bashkohet vetëm pjesa më e varfër e Kosovës në pasuri nëntokësore dhe se të gjitha territoret e tjera shqiptare në Ballkan do të mbeteshin jashtë saj. Kujt i shërben kjo klauzolë? Vetëm Beogradit dhe Moskës. Beogradi realizon ëndërrën e tij të Serbisë së Madhe, të transformuar në atë që Vulin e Vuçiq e quajnë „Bota serbe“, ndërsa Moska garanton një mbështetje të zgjeruar të interesave të saj në Serbi e në Ballkan.
Nga ana tjetër le të shkojmë në një dimension të ri. Thamë se bashkimi kombëtar dhe shtetësia e Kosovës shkojnë në kundërshti me njëra-tjetrën. Pse? Sepse po të merremi me bashkimin kombëtar heqim dorë automatikisht nga përpjekja për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Këto të dyja e përjashtojnë njëra-tjetrën. Pikërisht këtë municion ia japim në dorë Beogradit, që ai ta ketë më të lehtë të bëjë diversion e agresion kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj. Beogradi dhe Kremlini kanë shumë interes që vetë ne shqiptarët të bërtasim me të madhe „Duam bashkim kombëtar“! Ata do të thonë „Po, edhe ne ju përkrahim për bashkimin tuaj kombëtar“, sepse e dinë se ai proces i çon ata në fitoren përfundimtare kundër shqiptarëve e sidomos kundër Kosovës.
Mediet shqiptare kudo që janë duhet t’ua mbyllin derën të gjithë atyre që me dije apo pa dije i mëshojnë konceptit të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, së paku sa kohë që Kosova nuk është bërë anëtare e OKB-së. Por në atë rast nuk do të donte më Serbia që Kosova të bashkohej me Shqipërinë. Ndërkaq jam dyshues pse disa figura të njohura dhe të mençme i mëshojnë kësaj ideje, si Spartak Ngjela, p.sh. Kjo kategori intelektualësh që flasin për bashkimin kombëtar të shqiptarëve i dinë ose së paku duhet t’i dinë pasojat e kësaj aventure. Atëherë pse i mëshojnë kësaj teorie? Thjesht për klikime? Edhe mediet për klikime i përçojnë ide të tilla vrasëse për interesat e kombit tonë?!
Duhet të ndriçohen mendjet tona. Duhet të kuptojmë se nëse luajmë me emocionet e shqiptarëve, mund të çojmë ujë te interesat serbe. Duhet të gjykojmë bazuar në atë çfarë është e pranueshme dhe çfarë është e lejueshme ose jo! Duhet të çelim sytë dhe të ikim nga injoranca e dikurshme, përmes së cilës bashkimi kombëtar është bërë jo doktrinë, por indoktrinim!