Festa e Pavarësisë së Kosovës në Istog

Opinione

Festa e Pavarësisë së Kosovës në Istog

Nga: Milazim Maraj Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 08:02
Milazim Maraj

17 shkurt në Kosovë u festua 17 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kjo ditë solli shumë kujtime, të rëndësishme që ndodhën nga viti 1989 deri në vitin 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës. Shumë viktima në demonstrata dhe greva. Shumë të burgosur dhe të vrarë në burgje.

Helmime masive të nxënësve. Mbyllje të shkollave largime nga puna. Ndërtimin e shtetit të Kosovës nën okupim dhe rezistencën fillimisht paqësore pastaj luftën çlirimin e shtetit nga okupatori serb. Përkujtuam shumë masakra, dhe Kosovën tokë të djegur.

Përkujtuam ndihmën e SHBA dhe NATO s dhe kthimin e shqiptarëve me lot për faqe nga gëzimi që po ktheheshin përsëri në shtëpitë e tyre dhe për humbjen e familjarëve që ende nuk po ua gjenin kufomat.

Për mungesën e anëtarëve të familjes që Serbia i kishte marrë peng dhe përballja me matrapazët që zhvatnin familjet që i kishin këtë hall për gjeja që do të ua gjenin familjarët nëpër burgje private të kriminelit Voisllav Sheshel. Përkujtuam vuajtjet rrahjet e burgosjet e veprimtarëve madje edhe të atyre të shoqatës “Nëna Tereze”.

Bastisjet e Kishave katolike dhe torturimi i stafit të tyre. Në këtë ditë kujtuam mësuesit e vrarë dhe “Dëshmorët Shkollës shqipe” Kujtuam vrasjen e Hajriz Metajt dhe të Sokol Mehmetja. Ajo që tani na kujtohej ishte rezistenca e shqiptarëve dhe humanizmi i tyre. Mirëkuptimi dhe dashuria dhe ndihma e pa ndërprerë për njeri tjetrin dhe përkrahja e vazhdueshme për ata që kishin nevojë.

Por vetëm tre muaj pas, ndërrimi i kësaj gjendje. Vendin e respektit e kishte zënë xhelozia,përplasja në mes të shqiptarëve, arrestime pa gjyq, vrasje nga dorë e fshehtë. Diferencimet të përgjakshme në mes të vëllazërive, “nëse je me mua në rregull nëse nuk mendon si unë je kundër meje, je armik” që nënkuptonte likuidime.

Kërcënimet dhe dhuna ndaj njeri tjetri deri në plagosje dhe vrasje zunë vendin e mirëkuptimit në mes të shqiptarëve. Vrapimi për plaçkitje uzurpime ishte shndërruar në moral që nuk kishin qenë kurrë më parë.

Nuk munguan as vrasjet për prona që fare nuk ishin të tyre. Vrapimet për përfitime grada ushtarake, merita të pa justifikueshme. Atentate dhe vrasje në tentim u bënë anë e këndë Kosovës. Përfitimet nga veteranët e rrejshëm dhe dëshmorët e rrejshëm u bënë përditshmëri.

Rrahagjoksët dolën pa farë turpi me thirrje “Unë jam Liria jote”. Vrasje e shpresës së shqiptarëve që mezi e pritën lirinë ishte një krim masiv që solli shumë vuajtje të reja, të pa pritura. Pushteti me çdo kusht solli shumë pasoja që do të merr kohë deri sa të shërohen. Pastaj shpërngulje masive nga Kosova e lirë dhe e pavarur.

A ishte kjo ikje nga Liria? Me gjithë këto peripeci dhe ato që Serbia i bënë pa ndërprerë Kosova po ngritët, ndërtohet dhe forcohet, por jo me ritmin që e pritnim.

Demokracia në Kosovë po zë vendin e vet edhe pse me një kosto tjetër. Po këtë ditë kujtuam të arriturat në ekonomi, në ndërtimin e rrugëve, shkollave, dhe vendbanimet e qytetarëve. Zgjedhjet në Kosovë përkujtuan edhe një herë që ende dashuria për pushtet është me e lartë se sa dashuria ndaj njerëzve nga të cilët kërkohet vota dhe të cilëve u premtojnë jetë të qetë, të lumtur dhe të begatshme. Po sot nuk kishim vetëm gëzim.

Tani kujtuam edhe dëshmorët e rënë dhe reagimet e familjeve të tyre, për këtë listë një vit më parë jo reale. Tani përsëri jetojmë më një ankth, çka do të ndodhë me Kosovën, dialogun me Serbinë kriminele? A do të na përkrah dhe mbrojë SHBA sikur deri tani? A u prishën marrëdhëniet tona me aleatët tonë nga Qeveria Kurti? A do të behët Qeveria në kohë ligjore? Në fund a është kjo Kosova e lirë për të cilën luftuan shqiptarët? Këto dhe shumë pyetje tjera do të gjejnë përgjigje në vazhdim? Urime dita e Pavarësisë së Kosovës! Në Kosovën e Lirë, të Pavarur, Demokratike do të korrim atë që e mbjellim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat