Unë nuk njihesha me Ferid Aganin. Unë njihesha me Prof. Emrush Bejtullahun, logoped, tani i ndjerë, anëtar i NDSH bashkë me Shaban Shalën. Emrush Bejtullahu kishte vuajtur dy vite burg pse motrat e tij nuk kishte lejuar të shkolloheshin në gjuhën turke në Gjilan. Një luftëtar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare, një njeri në plotëkuptimin e fjalës. Atë e kishe për çka të doje. Në daç për shok, në daç për mik, në daç për profesionin e tij, në daç për Atdhetarizëm... po..., në daç edhe për kundërshtar – ishte i denjë dhe nuk lëshonte pe.
- Shkojmë t’ia urojmë postin e Ministrit Ferid Aganit? – m’u drejtua me një zë lutës profesori i nderuar, Emrush Bejtullahu, me të cilin ne kishim një bashkëpunim dhe harmonizim të ideve.
- Shkojmë, mbasi jam me Ju, ndryshe ne nuk njihemi!. – ia ktheva, dhe ne shkuam. Më kujtohet si sot. Shkuam në ordinancën e tij private, që as sot nuk di ku ishte. Mbasi hymë, ai ishte vetëm dhe, a kishte mundësi të mos priteshim mirë, kur ne ishim me prof. Emrushin – absolutisht se jo. U pritëm mirë, shumë mirë. Ata ishin të të njëjtit profesion dhe njiheshin prej moti.
Emrushi ishte i respektueshëm, i afërt, pa komplekse dhe po fliste haptas krejt çka i shkonte në mendje për të mirën e Kosovës.
- Mirë që erdhe deri në Ministër Ferid! Ta dish se ke shumë obligime në këtë ministri, ku njerëzit kërkojnë shërim nga sëmundje të ndryshme, duhet të kesh kujdes e ta kthesh për së mbari shëndetësinë në Kosovë. Ke shumë punë përpara me të cilat duhet të merresh sepse shëndetësia në Kosovë është në gjendje të mjerueshme në çdo lami. Më lejon të kem besimin në Ty që të përpiqesh për së mbari, që të të Uroj detyrën e Ministrit!
- Pooo, gjithsesi professor Emrush, do të përpiqem, dhe do e shohësh punën time, mundin dhe sakrificën për shëndetësinë e Kosovës! – ishte premtimi i Ferid Aganit.
Ne po përcillnim punën e tij më pastaj nga larg, i cili, përveç në fillim, që, gjoja se po mundohej të bënte diçka, nuk bëri kurrë asgjë, teksa shkonte gjithherë e më keq puna e tij, i cili as që po përpiqej ta kthente për së mbari shëndetësinë.
Vërtet, sakrifikoi shëndetësinë e popullit… e jo veten, sipas premtimit!!
Më vonë u pa më mirë se si kishte punuar, me aktakuzën e paraqitur nga prokurori a kryeprokurori, po shihet qartë se për çfarë qenka interesuar Ferid Agani në gjithë mandatin e tij si ministër i Shëndetësisë në Kosovë.
Edhe lirimi nga ajo aktakuzë nuk do të thotë se ai ishte i pafajshëm, deri sa ai ishte i dyshimtë.
Lirimi nga aktakuzat për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare u bënë për të gjithë zyrtarët e asaj kohe...!
Tani është i pakënaqur me zgjedhjet e 9 shkurtit, sepse partia e tij me të cilën kandidoj për deputet në Kuvendin e Kosovës ”Lista për Familjen”, nuk kaloi pragun dhe ndjehet i pakënaqur që të mos themi edhe i zhgënjyer, sepse kur një herë dështon njeriu, ai mbetet i tillë gjithherë. Populli shikon punën, jo fjalët, jo premtimet e mëdha e të pambulesë. Dhe, shih, pse nuk ka kaluar as pragun, parashikon krizë institucionale, në një intervistë te “Bota Sot”!!!
Nuk ka kurrgjë më njerëzore sesa kur njeriu njeh vetveten, pa e mbiçmuar veten, në veçanti kur është provuar më parë. Apo, mos në plitikë nuk paska nder? Nëse jo në politikë, ka në popull dhe eleminohen figurat që punojnë vetëm për vete.