Trajektorja gjeopolitike po ndryshon, ose më mirë të themi se ka ndryshuar. SHBA-të po përpiqen që ta bëjnë Rusinë aletatin e tyre. Dikur presidenti amerikan Nixon së bashku me shefin historik të diplomacisë amerikane, Kisinger, bënë të mundur aleancën e tyre me Kinën. Asokohe Kina ishte shumë më e dobët sesa ish-Bashkimi Sovjetik. SHBA-të qenë në rivalitet me Moskën. Ndaj dhe u duhej Kina, me qëllim që të neutralizonin rivalin e tyre në Kremlin. Kjo ndodhi në fillimin e viteve 1970. Kësisoj amerikanët u bënë lokomotiva e fitores mbi lindjen komuniste.
Po sot? Kina dhe Rusia kanë ndërruar vendet. Kinezët e shndërrruan vendin e tyre në një superfuqi. Ndërkohë që rusët u rrudhën dhe u dobësuan së paku nga pikëpamja ekonomike e teknologjike. Ndaj dhe kësaj radhe SHBA-të shohin si interes afrimin me Moskën për ta sfiduar Pekinin. Dhe kjo është arsyeja pse në SHBA u rikthye Donald Trump. Shumë nga ne e shohim këtë si shprehje të vullnetit amerikan për demokracinë. Në fakt është interesi amerikan për supremaci, ajo që bëri të mundur rikthimin e Trump. Megjithatë ne nuk e prisnim se trajektorja do të ndryshonte me këtë shpejtësi marramendëse. Aq sa prej pak javësh ka pushuar në Rusi çdo lloj propagande anti-amerikane.
Është e dyshimtë, nëse SHBA do të arrijë ta izolojë Kinën nga Rusia. Por aktualisht gjasat janë se një sukses i përkohshëm do të arrihet nga ana e presidentit amerikan. Dhe kjo ndodh për shkak të interesave të vendit të tij. Këto interesa askush nuk mund t’i ndryshojë. As nuk mund të qortohet Amerika dhe presidenti i saj, pse ata mbrojnë interesat e veta, bazuar në një strategji krejt tjetër nga ajo që ka ekzistuar së paku prej vitit 1948 e këtej. Rusia ka gjithashtu interes bashkëpunimin me SHBA-të, sepse në këtë mënyrë ajo rrit forcën kërcënuese ndaj Europës. Europa nga ana e saj është në amulli totale. U tregua e pakujdesshme dhe e pavendosur në kohezionin e vet. Kurrë europianët nuk janë ndjerë kaq “të poshtëruar” sesa sot. Edhe pesimistët më të zellshëm, si Joschka Fischer, në parashikimet e tyre për gjeopolitikën e shekullit XXI kanë rekomanduar forcimin e marrëdhënieve midis Europës dhe SHBA-ve. Pa llogaritur faktin nëse amerikanët do të ishin të gatshëm përjetësisht të mbanin lidhje me kontinentin e vjetër.
Kjo zhvendosje e aleancave gjeopolitike prish shumë ekuilibra. Europa, e mësuar të jetojë nën ombrellën amerikane, do të duhet tashmë të mësohet e të mobilizohet të prodhojë një sistem sigurie të vetin. Eshtë pak vonë, por më mirë vonë sesa kurrë. Megjithatë Europa do ta zgjidhë vetë kontradiktën e krijuar. Ku jemi dhe çfarë duhet e mund të bëjmë ne shqiptarët? Kjo është dilema më e madhe e jona. Ne nuk prisnim kërë ndryshim ekuilibrash në botë e sidomos në Europë. Sa kohë që amerikanët në konflikt e armiqësi me rusët, aq kohë kemi pasur mbështetjen e pakursyer të tyre, si popull dhe si komb anti-rus. Ka funksionuar maksima “armiku i armikut tim është miku im”! Po tani? Ka mundësi që administrata Trump të vazhdojë të jetë mirënjohëse ndaj shqiptarëve për solidaritetin e tyre pro Amerikës. Megjithatë lajmi se KFOR-i amerikan mund të largohet nga Kosova, është domethënie e asaj që trajtuam më lart. Pra, mundet edhe që me kërkesën e Kremlinit të ndryshojë politika amerikane ndaj nesh.
Ne nuk e dimë sa interes kanë dy super të mëdhenjtë e botës, SHBA dhe Rusia, të merren me një vend të vogë, si psh Kosova. Por duhet supozuar se afrimi ruso-amerikan nuk është diçka pozitive për Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan. Atëherë çfarë duhet të bëjmë? Eshtë domozdoshmëri jetike të bashkohemi, të formulojmë një qëndrim të përbashkët dhe ta mbrojmë qëndrimin, pikëpamjen dhe strategjinë tonë kombëtare me të njëjtën gjuhë e me të njëjtat metoda. Të evidentojmë pikat e forta dhe ato të dobëtat dhe pikat e forta tonat t’i dërgojmë në veëmendjen e Donald Trump, DASH dhe administratës amerikane. Në këtë administratë ne shqiptarët kemi aq shumë miq e simpatizantë, sa mumd të lobojmë me sukses për mbrojtjen e interesave tona.
Para së gjithash dhe emergjente është që të ndalet çdo zë kritik ndaj presidentit Trump dhe administratës së tij. Kjo për arsye se ne nuk jemi kurrkushi ta ndryshojmë trajektoren e sjelljes gjeopolitike të tij. Por edhe se do të merrnim mbrapsht një grusht dy herë më të fortë sesa në kushtet normale. Paraqitja e një strategjie të menduar mirë dhe taktizimi në sjelljen politike dhe diplomatike janë dy mjetet e mundshme për të mbrojtur interesat tona, para së gjithash ato të Kosovës. Më tej akoma, marrëdhënien me SHBA-të duhet ta konceptojmë tashmë si një marrëdhënie interesash dhe jo simpatish. Kur themi marrëdhëniem nënkuptojmë procesin e përfitimit të diçkaje në këmbim të diçkaje që duhet ta japësh. Kjo është ajo që duhet të ndodhë tashmë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Zhvendosja e marrëdhënieve gjeopolitike në botë duhet të zhvendosë botën shqiptare drejt një projeksioni të ti e të ndryshëm nga ai i mëparshmi.