Ka një diskutim të përsëritur për atë se sa është e rrezikuar Kosova edhe në këto kohë nga një agresion ose provokacione të Serbisë. Kjo tashmë në rrethana të reja të zhvillimeve ndërkombëtare pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump. E vërteta është se presidenti Trump i ka disbalancuar të gjithë ekuilibrat e mëparshëm dhe po e çon botën me shpejtësi drejt një koncepti dhe vemdimmarrje të re për të. Thelbi i ndryshimit është aleanca ende e pashpallur midis SHBA-ve dhe Rusisë. Një aleancë ruso-amerikane do të çvendoste më pas të gjitha aleancat e tjera. Sepse kombet europiano-lindore dhe juglindore nuk e pranojnë kurrë më të bëhen zonë e influencës së Moskës.
Në këto kushte Serbia merr zemër. Presidenti Vuçiq ka gjithashtu një arsye tjetër që së paku të provokojë në Kosovë. Ai është nën presionin e protestave të studentëve dhe qytetarëve serbë. Dhe për shuarjen e këtyre protestave do të donte të niste “një luftë të vogël me Kosovën”! Është ende e paqartë, sesa ndikim kanë amerikanët në ato protesta dhe nëse Uashingtoni i sotëm ia ka heq vizën presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kjo varet nga kreditet që ai ka edhe te Vladimir Putin. Ndoshta është dikush tjetër më radikal se Vuçiq ai që ka mbështetjen e Putin. Dhe shija e kreut të Kremlinit do të ndikojë edhe te qëndrimi i zotit Trump, sa i përket lidershipit serb.
Në kushte të tilla Vuçiq do të donte të sillte një provokim në veri të Kosovës, ndoshta një akt si ai i Banjskës ose i ngjajshëm me të. Por me parapërgatitje shumë më të sofistikuar, me qëllim që të mos dështojë më. Shenjat për këtë po i jep çdo ditë. Së fundmi ai përmendi rastin e rajonit të Nagorni-Karabakut në Azerbajxhan dhe kërkoi që pronat serbe në veri t’i kthehen Serbisë. Në TV Sputnik ka pranuar se "Nëse e sheh se nuk ke fuqi, duhet të durosh. Prano atë që duhet të pranosh dhe prit momentin kur mund të arrish një rezultat tjetër". Gjithnjë duke iu referuar Azerbajxhanit ai ka ndërtuar tashmë projektin e destabilizimit të Kosovës. Nejse rasti është i pakrahasueshëm me Kosovën. Edhe se ajo fuqi rajonale që mbështeti Azerbajxhanin, tani mbështet Kosovën dhe ndërton fabrikën e prodhimit të municioneve në këtë vend.
Megjithatë Vuçiq ka shpenzuar në 10 vitet e fundit rreth 3 miliard euro për armatimin. Gjithçka është investuar për momentin e arritjes së rezultatit, siç shprehet presidenti i Serbisë. A është tani momenti për të? Një agresion ushtarak besoj se ende është i pamundur. Kjo për shkak të pranisë së forcave të KFOR-it, por edhe se do ta dëmtonte imazhin e Donald Trump si lider i përkushtuar për paqen. Megjithatë provokimet me grupe ushtarakësh e paraushtarakësh të përgatitur sipas përvojës së Aspiç (1914) apo të Shejshel dhe Arkanit (1992-1999) nuk përjashtohen. Por Rashka Banjskën Vuçiq e sheh si pronë serbe dhe po përdor këtë lloj retorike për ta justifikuar një ndërhyrje ose akt terrorist në veri të Kosovës.
Aksioni i këtyre ditëve për mbylljen e zyrave serbe në veri ka hasur në kundërshtinë e ambasadës amerikane, aq sa duket se asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimet e kohës së Blinken. Ndoshta këtë reagim Beogradi e merr si inkurajim “në të drejtën e vet mbi Kosovën”! Ndoshta deklarata ka edhe këtë qëllim. Nuk përjashtohet mundësia që dikush nga diplomatët amerikanë të nxisë rikthimin e situatës së para vitit 2021 në veri të Kosovës. Edhe për ta shënjuar Donald Trump si dështues në paqebërje!
Nëse do të duhej që të sillej në vëmendje ndarja e Kosovës, atëherë duhet që sovranitetin dhe kontrollin në veri ta ketë Serbia. Për ta realizuar këtë presidenti serb do të përdorë metodat e dhunshme. Ky fakt nuk duhet nënvleftësuar. Në kushtet kur Kosova e kontrollon territorin është shumë e vështirë ose e pamundur që të realizohen projektet e Serbisë së Madhe në Kosovë.
Në këto kushte rreziku vetëm sesa rritet për Kosovën. Siguria e saj është në fijen e perit. Por askush nuk ka për ta eleminuar guximin dhe ndjenjën patriotike e profesionalizmin e forcave të sigurisë e të mbrojtjes në Kosovë, përfshirë edhe policinë. Qeveria e re do të duhet që këtë gatishmëri të lartë të këtyre forcave ta shpërblejë. Duhet t’ia bëjë me dije qytetarëve, nëse ata duhet të sakrifikojnë, se do të investohet edhe te pagat dhe shpërblimet e ushtarakëve dhe policëve. Atdheun e duan të gjithë, por e duan më pak ata që e kanë barkun bosh, sepse atdheu duhet me zemër e njëkohësisht edhe me stomak!