Ekziston diçka në esencë që njeriun e bën të thotë, "jam ky që jam", ndoshta edhe duke rrahur gjoks, por në këtë botë ka edhe një rend njerëzor e shoqëror, që e bën të mundur që po ky njeri mund të pohojë: "Jam këtu dhe tani, i lidhur me këto gjëra që na rrethojnë dhe në këto rrethana, në një mjedis që njeriun e kërcënojnë, por ekziston mundësia që ta mbrojmë."
Prandaj, është e mundur që të pritet fundi i luftës ndërmjet Izraelit dhe Palestinës me Hamazin, por edhe fundi i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Siç dihet, këto ditë përmes një marrëveshjeje me ndërmjetësimin e SHBA-ve, Egjiptit, Jordanisë, Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, propozimi i presidentit Donald Trump për armëpushim do të sillte mundësinë e një marrëveshjeje paqësore ndërmjet këtyre vendeve në konflikt dhe luftë shkatërruese.
Shkaktari i këtij konflikti lindi atëherë, kur militantët palestinezë të Hamasit, më 7 tetor 2023, sulmuan papritur Izraelin nga Rripi i Gazës, duke vrarë mbi 1200 njerëz të pafajshëm dhe duke marrë peng edhe 250 të tjerë, të cilët gjendeshin në një argëtim muzikor. Me këtë, lufta ndërmjet këtyre dy vendeve u thellua në një shkallë të gjerë, dhe brenda një periudhe disa mujore, vetëm nga pala palestineze humbën jetën mbi 61,709 persona, përfshirë shumë fëmijë.
Po ashtu, edhe politika që udhëheq Rusia, përmes Putinit, mund ta shndërrojë gjysmën e botës në një arenë lufte, sepse me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, synimet janë edhe më të gjerë për të ndikuar në përvetësimin e atyre vendeve që dikur ishin nën pushtimin e unionit të BRSS-së, dhe për të krijuar një dëshmi të një "sllavizmi" të veçantë në botë.
Padyshim se këto situata shkaktojnë kureshtje te secili popull në botë, ashtu si edhe te populli ynë shqiptar, i cili i ka përjetuar ngjarjet më të rënda nga regjimi i egër serb. Prandaj, nuk e dëshiron dhe nuk mund ta imagjinojë përsëritjen e historive të tilla tragjike.
Kosova, përveç që është shteti më i ri dhe pothuajse është në fillimet e plotësimit të standardeve për një ushtri dhe forcë që duhet të afrojë mbrojtje për vendin e vet, fati i saj qëndron duke qenë nën përkujdesjen dhe mbrojtjen e NATO-s, gjegjësisht të forcave të SHBA-së. A është ose nuk është kjo që po ndodh në Ukrainë një absurd i vërtetë i Rusisë, ka një arsye, sepse ethet e luftës mund ta kaplojnë edhe Evropën, duke mos përjashtuar as vendet e Ballkanit Perëndimor, që përfshijnë edhe Kosovën.
Një qëndrim i tillë i Rusisë, e cila po i tregon muskujt e vet para botës përmes një rrethimi të hekurt dhe me armë moderne ndaj Ukrainës, duke e nxitur në luftë edhe botën perëndimore, siç janë SHBA-të dhe aleatët e saj me NATO-n, mund të krijojë një gjendje të rëndë nga përshkallëzimi dhe shpërthimi i një lufte të rrezikshme, deri në përdorimin e armëve bërthamore.
Edhe pse presidenti Trump do ta quante presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelensky, si një diktator, që do të ishte një fjalë e vrazhdë për të dhe nuk përputhet me realitetin, në anën tjetër, këto fjalë do të kishin qenë të nevojshme për t'ia thënë Putinit. Ndërkohë, duke i njohur rrethanat dhe duke e ditur se kush është Putini dhe Rusia, siç thotë një shprehje popullore: "Atëherë, për të rregulluar punë, apo për ta ndalur konfliktin dhe luftën trevjeçare ndërmjet këtyre palëve, duhet pak të mbahet ana e të 'fortit'."
Prandaj, armëpushimi si një akt i nevojshëm dhe i domosdoshëm për secilën palë në konflikt, ashtu si dhe në mes këtyre luftrave aktuale, të cilat do të shkaktonin dëme të mëdha në humbjen e jetëve njerëzore, si dhe në shkatërrimin e objekteve të banimit, marrëveshja paqësore do të ishte zgjidhja më e mirë dhe më jetike për secilin popull. Megjithatë, për një vendim të tillë, dikush mund të thotë se ndonjëherë, ndoshta, do të ishte e arsyeshme të përdoret edhe "kamxhiku" i të fortit.
Por vjen pyetja, a do të përdoret ky "kamxhik" edhe në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh rrezikun e pranishëm ndërmjet këtyre dy vendeve fqinjësore, për shkak të tensioneve dhe kërcënimeve që i nxit sot Serbia, duke mbetur me shpresë dhe në mbështetje të SHBA-ve? Dhe tani, me presidentin Trump, ekziston mundësia e një marrëveshjeje ndërmjet këtyre dy vendeve, pa e përdorur "kamxhikun".