Letër e hapur drejtuar presidentes Vjosa Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurti!

Opinione

Letër e hapur drejtuar presidentes Vjosa Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurti!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 23 shkurt 2025 Në ora: 17:08
Autori Ismail Muçiqi

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,

Po ju drejtohemi me këtë letër me qëllimin më të mirë, që pas zgjedhjeve kombëtare të cilat përfunduan me sukses, të bashkoheni për të ndërtuar kauzën e unitetit, për ta krijuar një Qeveri gjithpërfshirëse, që e kërkon momenti aktual.

Ju drejtohemi juve, dy figurave politike që mbani përgjegjësi për funksionimin normal të Shtetit të Kosovës, duke lënë anash të gjitha tendencat, inatet dhe përçarjet, të cilat me shekuj e kanë dëmtuar popullin shqiptar. Nuk mendoj të bëhem më i dijshëm se ju, as më i mençur, por kam obligim moral dhe njerëzor, si gazetar shumëvjeçar, si veprimtar dhe intelektual, të shpreh pikëpamjet e mia për situatën aktuale të pasigurisë pothuajse në gjithë globin, e cila paraqet shqetësim dhe brengë për të ardhmen e njerëzimit.

Mendoj se rendi i ri botëror dhe siguria globale po dalin nga binarët, dhe kjo po shihet gjithnjë duke u hapur kriza, konflikte dhe luftëra gjithandej botës. Situata në botë, pas zgjidhjes së Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka humbur ekuilibrin global në funksionimin e Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kompromiset që kanë filluar të bëhen me luftën në Ukrainë po e stimulojnë agresionin e Rusisë, si dhe rehabilitimin e Putinit karshi Bashkimit Evropian dhe shteteve demokratike të botës.

Çdo kompromis në favor të Rusisë rrezikon paqen në Ballkan, duke e nxitur (trimëruar) Serbinë për të realizuar projektin famëkeq për krimin e Serbisë së madhe.

E nderuara Presidente dhe i nderuari Kryeministër, situata në Ballkanin në të cilin po jetojmë ekzistojnë tri kriza të cilat mund të shpërthejnë në një luftë të armatosur me pasoja të paparashikueshme. Këto ditë, Serbia po përballet me protesta, demonstrata, bllokada të rrugëve dhe greva të punëtorëve, të cilat paraqesin rrezik për destabilizimin e këtij shteti. Këtë situatë mund ta keqpërdorë Vuçiç duke hapur një konflikt të ri. Republika Serbe e Bosnjës, e cila udhëhiqet nga presidenti Milorad Dodik, është një vatër e shpërthimit përherë, dhe pritet të marrë kahje të destabilizimit. Këto ditë, kur ndaj Milorad Dodikut do të fillojë gjykimi në Sarajevë, ai paraqet kërcënim për stabilitetin në Ballkan dhe më gjerë.

Në anën tjetër, Kosova është e rrezikuar nga politika fashiste e Beogradit, e cila me vite ka dislokuar ushtrinë dhe policinë afër kufijve të Republikës së Kosovës. Propaganda sistematike, agresive, armiqësore ndaj Kosovës, kohëve të fundit ka marrë një dinamikë ekstreme për ta pushtuar Kosovën.

Roli i faktorit ndërkombëtar, përkatësisht i institucioneve të Bashkimit Evropian për ta ruajtur paqen është i limituar dhe i zbehur në skajshmëri. Kjo u pa edhe tani, kur Presidenti Trump e bojkotoi Bashkimin Evropian ndaj zgjidhjes së problemit të Ukrainës.

Të nderuar, ne populli i Kosovës jemi dëshmitarë të vuajtjeve, sfidave dhe gjenocidit, dhe jemi ata që më së shtrenjti e kemi paguar fakturën për liri dhe pavarësi. Duke i renditur disa nga argumentet, propozoj që zonja Presidente të ftojë partitë politike në kabinetin tuaj, ato që janë pjesë e Parlamentit, për të arritur një konsensus (marrëveshje politike) për të krijuar institucionet e reja, të cilat do të marrin përgjegjësi shtetërore dhe kombëtare për ta ruajtur Republikën.

Më thotë mendja se është momenti që të krijohet një Qeveri e unitetit, pavarësisht programeve politike, të cilat nuk duhet të jenë pengesë për një unitet më të madh për zhvillimet e ardhshme politike dhe strategjike që e presin Kosovën. Më thotë mendja se Qeverinë e re duhet ta krijojë partia e cila ka marrë shumicën e votave të elektoratit, por është e rëndësishme që në Qeveri të vijnë njerëz me background meritokracie, intelektualë, profesionistë, njerëz me përvojë edhe nga partitë tjera të opozitës apo nga shtresat intelektuale dhe akademike që do të mirën vendit.

Ka ardhur koha që ta ndryshojmë vetëdijen për të krijuar një moratorium politik dhe kombëtar për një periudhë të caktuar, gjithpërfshirëse, derisa lëvizjet që po ndodhin gjithandej dhe të cilat po e godasin rendin e ri botëror të marrin kahje për sigurinë globale të njerëzimit.

Andaj, të nderuar përfaqësues të dy institucioneve, tani më përgjegjës në detyrë, keni përgjegjësi para popullit dhe Republikës së Kosovës për t’u afruar për një unitet të vërtetë kombëtar në këto kohë të vështira, kur vazhdimisht jemi të kërcënuar nga armiku shekullor, i cili nuk po ndalet as tani për tu rikthyer në vendin ku i bëri krimet.

Kalkulimet e debateve politike nëpër televizione se kush mban vijat e kuqe, e kush do të bëhet president apo presidente e ardhshme, nuk çojnë asnjë peshë karshi zhvillimit dhe sigurimit të sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës.

Andaj, është koha e historisë të reflektoni.

Ju faleminderit për mirëkuptim dhe për qëllimin më të mirë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat