Trevjetori i sulmit të Rusisë fashiste kundër Ukrainës

Opinione

Trevjetori i sulmit të Rusisë fashiste kundër Ukrainës

Nga: Prof.dr Eshref Ymeri Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 07:55
Prof.dr Eshref Ymeri

Sot u mbushën tre vjet që kur një shtet fqinj me Ukrainën, me këtë kryevatër të kulturës sllavianolindore, Rusia fashiste, filloi sulmin agresiv kundër saj. Banda kriminale e Kremlinit ishte e bindur plotësisht se me sulmin e koduar “operacioni special”, do t’i lante hesapet me Ukrainën brenda dy-tre ditëve. Por nuk e kishte parashikuar absolutisht se do të ndodhej përballë unitetit shembullor të mbarë popullit heroik të Ukrainës dhe të forcave të tij të armatosura, të cilat e bënë pluhur e hi mitin e rremë të “madhështisë” së Rusisë dhe të “pathyeshmërisë” së ushtrisë fashiste ruse, si e pajisura me “armatimin më të mirë” në botë.

Nuk është hera e parë që Rusia i ka përfunduar me turp luftërat agresive që ka pasë ndërmarrë këto dy shekujt e fundit kundër vendeve fqinje. Le të kujtojmë luftën ruso-japoneze të vitit 1906, luftën kundër Finlandës që filloi më 30 nëntor 1939 dhe përfundoi më 15 mars 1940, në të cilën Rusia pati 127 mijë՞ ushtarë të vrarë (asokohe Lidhja e kombeve e përjashtoi Bashkimin Sovjetik nga radhët e veta), luftën në Afganistan, të cilën e pagoi me 30 mijë të vrarë dhe 60 mijë ushtarë të sakatuar.

Deri në mbrëmjen e djeshme (23 shkurt), sipas faqes së Internetit “Fakti”, ushtria fashiste ruse e ka vaditur tokën ukrainase me gjakun e 867 180 ushtarëve dhe oficerëve të vrarë. Por popullit rus, të edukuar me psikologjinë shumëshekullore të bujkrobit, nuk i bën përshtypje absolutisht vrasja e kaq shumë bijve të tij. Përkundrazi, uniteti i tij rreth bandës së Kremlinit, me Putinin në krye, është bërë edhe më i çeliktë.

Normalisht, Organizata e Kombeve të Bashkuara duhej ta kishte përjashtuar menjëherë Rusin nga radhët e veta që para tre vjetëve. Me këtë qëndrim soditës ndaj Rusisë fashiste, e cila sulmoi një vend fqinj në shek.XXI, kjo Organizatë dëshmoi se është thjesht një figurante në sytë e mbarë botës.

Kaliforni, 24 shkurt 2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat