Më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme një vështrim ose analizë e thellë, tunduese dhe tepër sfiduese e Zonjës Elida Buçpapaj me titull "Tirana, metropoli i shqiptarëve nuk ka elitë"!
Ndërkaq, si përkufizim i njohur shkencor ose metodologjik, sipas Znj. Elida: "Elita është një grup ose kategori e njohur sociale ose sociopolitike, e cila e ka vendin më të lartë në hierarkinë e shtetit. Gjë që, e shprehur metaforikisht, gjithnjë sipas Znj. Buçpapaj, kjo do të thotë se elita është ajka e shoqërisë, aristokracia, fisnikëria, krenaria dhe bujaria e kombit dhe e shtetit, etj. Absolutisht po."
Ndaj, gjithashtu sipas Zonja Buçpapaj, në Tiranë nuk ka elitë, ka pseudoelitë që përfitojnë privilegje jo për shkak të arritjeve ose rezultateve të saj në të mirën e vendit, por për shkak të simbiozës së saj me politikën e krimbur nga korrupsioni dhe të qelbur nga cinizmi dhe injoranca, e cila gjithashtu sipas Elida Buçpapajt dhe teorive të njohura elitare, burimin ose gjenezën e tyre e kanë nga latinishtja e vjetër që nënkupton shtresën ose kategorinë më të ulët të shtetit dhe shoqërisë, apo të robit (skllavit) në shërbim të bindur dhe të verbër ndaj padronit ose skllavopronarit. E njëjta vlen edhe për Kosovën (shënimi im, ash).
Absolutisht e vërtetë kjo si ide dhe teori, e cila origjinën e saj e ka nga "shteti" (polisi) i Athinës dhe Roma e Lashtë-Antike kur romakët dhe athinasit ishin të fokusuar shumë tek të pasurit, aristokratët dhe politokratët e ndryshëm. Asokohe, më shumë se 80% e athinasve nuk kishin të drejtë vote as pune. Kështu që "polisi" (shteti) i Athinës asokohe ishte i ndarë në të varfër dhe shumë të pasur. Kjo deri me rastin e një intervenimi spektakular ose tepër energjik të Aleksandrit (Lekës) të Madh, i cili ua konfiskoi pronën ose pasurinë aristokratëve të lartë të Athinës, duke ua shpërndarë shtresave ose kategorive të varfëra, si dhe duke i burgosur, përndjekur ose internuar të gjithë të korruptuarit ose abuzuesit e ndryshëm me pronën ose pasurinë e shtetit, së bashku me ata që çuan Athinën drejt një qeverisjeje katastrofike dhe luftërave e disfata fatale.
Edhe mbreti ose perandori i njohur romak, Polibie (viti 150 para Krishti), bën fjalë lidhur me nocionin, kuptimin dhe teorinë e njohur të elitës, e cila në Romën Antike quhej pushtet mbi pushtetin dhe autoritetin e shtetit... Autokraci dhe aristokraci intelektuale, kulturore dhe politike.
Aty e kemi edhe Shkollën e njohur italiane të Elitës ose Elitarizmit, të përfaqësuar nga Vilfrido Pareto (1843-1923), Geatano Mosca (1855-1941), Roberto Michelis (1876-1936), etj.
Geatano Mosca i nda elitat në klasa ose kategori të larta politike dhe jopolitike.
Robert Michelis, ndërkaq, në kuadër të "ligjit të hekurt të elitës dhe oligarkisë së lartë shkencore, intelektuale, kulturore dhe politike", nënvizon ose potencon fuqinë dhe rëndësinë e madhe të teorisë së njohur mbi karakteristikat, afinitetet dhe përparësitë intelektuale, profesionale dhe intelegjente të elitës.
Erich Schattschneider, në kuadër të studimeve dhe analizave të tij, i shquan ose fokuson elitizmin, deficitin demokratik, elitën liberale dhe demokratike, teorinë e dominimit në kuadër të veprave të tij "Regional City" dhe "Global State", etj.
Pa i harruar këtu edhe teoricientët tjerë elitarë ose prominentë si Flloyd Hunter, G. William Domhoff, James Burnham, Robert Putnam, George Gonsales, Thomas Ferguson, Martin Gilens etj.
Aty i keni edhe teoritë ose hipotezat gjenerale, idetë, teoritë dhe hipotezat e posaçme ose specifike, idetë, teoritë dhe hipotezat personale ose individuale, teoritë e njohura menaxhuese dhe konkurruese si elemente dhe instrumente të fuqishme elitare të mbrojtjes dhe sigurisë - përballë kanosjes (rrezikut), befasisë dhe pasigurisë individuale dhe kolektive, e kështu me radhë.
Në fund të fundit, sipas Bodlerit dhe Servantesit, e keqja mund të bëhet edhe pa u lodhur fare, në mënyrë fatale ose ordinare, duke i pranuar memetizmin dhe katarsisin (fatin që nuk ndryshohet fare dhe nuk lëviz dot nga vendi) në mënyrë të pandryshuar natyrë ose ordinare.
Dhe, siç thotë George Wilhelm Friedrich Hegeli: "Historia e përgjithshme e kulturës dhe civilizimit njerëzorë, nuk është asgjë tjetër, përveçse përparim ose avansim i vetëdijes, edukatës, kulturës dhe intelektit të lartë njerëzorë." Atëherë, po t’i përmbahesh dhe referohesh vështrimit ose analizës elitare të Znj. Elida Buçpapaj, del se vullneti për të jetuar, mbijetuar dhe dominuar, mishërohet, penetron dhe interferon tek të gjitha qeniet ose krijesat e mundshme njerëzore ose sociopolitike dhe lëviz tek të gjitha gjërat në një luftë të përhershme ose permanente për përmbushjen e ëndërrave, caqeve ose qëllimeve të caktuara personale ose individuale, dhe jo atyre globale ose universale.
Është pra një "luftë" ose "stuhi infernale" që nuk pushon kurrë, ku qeniet ose speciet njerëzore, intelektuale, kulturore dhe politike, janë në kaos ose anarki, në kërkim të vazhdueshëm të vetvetes, gjegjësisht, identitetit, integritetit dhe ekskluzivitetit të tyre individual ose personal, si dhe të plotësimit të nevojave dhe kërkesave jetësore, materialiste, karieriste ose ekzistencialiste.
Ndonëse, sipas Aristotelit, shteti (polisi) nuk është vetëm njësi, por edhe shumësi (bashkësi) e posaçme dhe tepër specifike e pushtetit shoqërorë ose qytetar - kundër atij autokratik, despotik ose teokratik. Duke i nënkuptuar këtu edhe anën teorike dhe anën praktike.. për dallim të "polisit" (shtetit) të Platonit, Tukididit, etj. U mor vesh se nga thesari ose nga "kopshi i madh" intelektual, kulturor dhe filozofik grek: Romakët e lashtë e ngritën, zgjeruan, modernizuan dhe afirmuan Perandorinë Romake nga "polisi", "politia" (politeia) ose "polietika" në "civitas" (qyteti-shteti), "civis" (qytetari), "civilis" (i hapur ose pranuar për të gjithë) dhe "res publica" (republika ose realiteti i njohur shtetror, qytetar ose politik).
Socioantropologët e njohur politikë si Linton, Lulen, Margaret Mead, etj., janë të mendimit se në fokusin ose agjendën kryesore të epistemologjisë dhe antropologjisë politike, duhet të jenë marrëdhëniet ose raportet e njohura ndërmjet njeriut (liderit institucional ose politik), popullit (kombit), shtetit, pushtetit, edukatës, traditës luftarake ose patriotike, si dhe elitës së njohur shkencore, kulturore, intelektuale dhe politike, të cilës i përkasin ose takojnë Elida dhe Skënder Buçpapaj etj.
"Suksesi dhe lumturia ju falen vetëm atëherë, nëse pranoni me zemërgjerësi t’i ndani ose pjesëtoni ato me të tjerët. Mirëpo, për të qenë të lumtur, është esenciale të mos shqetësoheni me të tjerët. Si pasojë e kësaj, nuk ekziston falas ose gratis ndonjë shpërblim. Të lumtur dhe të gjykuar ose të falur dhe të mjerë." (Albert Camus)
Aty janë edhe psikometria, së bashku me mekanizmat dhe instrumentët e matjes së madhësisë dhe fuqisë së përgjithshme morale, shpirtërore, emocionale, mentale ose psikologjike të përfaqësuesve të elitës së kombit dhe atdheut, e sidomos fuqia, roli dhe misioni i gjinise së bukur ose polit të butë.
"Arti lindë ose buron nga dëshira dhe gjurmimi për të bukurën, dashuria nga dëshira ose nevoja e kahmotshme për artin, ndërsa, shkenca nga etja ose nevoja e madhe për të vërtetën." (Eduard Bulwer-Lytton)
Lufta, shteti, politika, diplomacia dhe fuqia e njohur e pushtetit të grave (femrave) të bukura, të mençura, intelektuale ose intelegjente, kanë rëndësi dhe karakter kolateral dhe multilateral.
Se këndejmi, kur e zgjodhën Teuten për mbretëreshë të Ilirisë në Antikë, dikujt nga elita ose superstruktura e njohur qytetare, kulturore ose politike në Romën e lashtë Antike, asokohe iu kujtua t'i thoshte edhe këto fjalë: "Lumë si ata të cilët, për dalëzotëse ose udhëheqëse të tyre supreme, kanë zgjedhur një pjesëtare të gjinisë së bukur ose polit të butë që e lindin, rrisin dhe edukojnë edhe pjesën tjetër të gjinisë mashkullore." Fund i citatit.
U mor vesh se e drejta, liria, barazia dhe pavarësia e njohur ligjore, gjinore, racore, shtetërore, nacionale, etnike, profesionale, institucionale, funksionale, klasore, sociale, kulturore, historike dhe politike, së bashku me lëvizjet e njohura feministe dhe të tjera, kanë qenë objekt i studimeve, analizave dhe interpretimëve të njohura shkencore ose metodologjike që nga etapat ose periudhat e njohura revolucionare, pararevolucionare ose postrevolucionare dhe deri më sot. E sidomos feminizmi, i cili në fillim, më tepër ishte si të thuash organizatë ose lëvizje politike, se sa koncept ose pozicion i definuar shkencor ose humanist në mënyrë praktike dhe teorike.
Ndërkaq, me kyçjen, angazhimin, involvimin, inkorporimin dhe insubordinimin e grave (femrave) të njohura feministe në botën dhe jetën e përgjithshme politike, shkencore, kulturore ose akademike: Do bëhen valide dhe relevante kritikat dhe teoritë e njohura shkencore dhe humaniste, jo vetëm ndaj shtetëve, sistemeve dhe shoqërive të ndryshme liberale, parlamentare dhe demokratike, por edhe ndaj teorive të ndryshme determinante dhe paradigmatike në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, informimit dhe politikës, diplomacisë etj. Sidomos në Angli, Francë, SHBA dhe vende të tjera nëpër etapat ose periudhat e ndryshme revolucionare, postrevolucionare, bihevioriste, postbihevioriste etj.
Ndaj, sipas ideve, teorive, konceptëve dhe definicionëve të njohura feministe: "Duhet hedhur poshtë idetë ose teoritë e ndryshme maskuliniste dhe heteronormative, për të hapur mundësinë dhe dritë të re që femra të jetë një individ i barabartë, i lirisë dhe dinjitetit të barabartë për të drejtat e njeriut."