Përse Diplomacia e Enver Hoxhës, rezultoi Diplomaci mjerane?!

Opinione

Përse Diplomacia e Enver Hoxhës, rezultoi Diplomaci mjerane?!

Nga: Prof. Dr. Elmas LECI Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 11:55
Autori Prof. Dr. Elmas Leci, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Tiranë

Sepse Enver Hoxha, personazhi kryesor dhe aktori prima i politikës shqiptare, i diplomacisë dhe i shtetit, i cili  për më se 40 vjet me radhë e çoi popullin e tij nga lidhjet pindarike me të mëdhenjtë e kohës apo superfuqi botërore si me Jugosllavinë, me Bashkimin Sovjetik dhe me Republikën e Kinës, dhe mandej  me secilën e zbriti në pikiadë e prishje marramendëse dhe përfundimtare me të gjithë këto veç e veç dhe e çoi Shqipërinë në vetizolim të plotë e të pa parë. Ja kjo ishte diplomacia e dështuar dhe me pasoja katastrofale e Enver Hoxhës ndaj e etiketoj diplomaci mjerane apo Diplomaci e mjerimit të madh.

Në aspekt të diplomacisë dhe të zhvillimit të saj në qeverimin e Enver Hoxhës ajo ndahet në tri periudha që perkadin me marrëdhëniet e Shqipërisë në vitet e diktaturës komuniste, përfshi edhe periudhën se si Enver Hoxha erdhi në pushtet deri te periudha e fundit e vetizolimit të plotë, të gjitha këto e nëpër to diktatori luajti fijet e diplomacisë së tij të pasuksesëshme, diplomaci (rezultat i politikës) që e çoi popullin shqiptar në skamjen e madhe të mjerimit, te tolloni e te persekucioni.

Secila periudhë historike e marrëdhënieve të Enver Hoxhës, që ishte në majën e piramidës partiake e shtetërore, me të tjerët si me jugosllavët, me sovjetikët e me kinezët dhe periudha e vetizolimit, të Shqipërisë  janë secila periudha të me vraga e plagë të shumta politikë që u kollandris e që u zbatua po aq keq nga arkitekti i saj Enver Hoxha. Në se gjithnjë diplomacia e tij nisi me ovacione të mëdha, ashtu me jugosllavët dhe shkoi në prishje, ashtu me obshe edhe me sovjetikët e përsëri në pikiadë e prishje, si edhe me kinezët që pati kulminavione por që rezultoi në mosmirënjohje dhe shkoi keq e me keq e për dreq deri në prishje. Veçse të gjitha prishjet lidhen me thelbësoren, me ruajtjen e pushtetit personal të Enver Hoxhës. Të paktën këto dalin nga studimi i materialeve te ndaluara rreth veprimtarisë së tij diplomatike, duke shmangur ne studimet e sotme propagandën e tij që e nxirrte atë "qelibar" e udhëheqës "të madh", kur nik ishte veçse një diktator i tipit "pasha" i kamufluar me komunizmin e tij që nuk i ngjante asnjë lloj komunizmi.

Duke ditur se diplomacia përndryshe thirret edhe si arti i marrëveshjeve, që zakonisht janë atribut i diplomatëve e kryesisht i ambasadorëve por që në çdo rast shefat e vërtetë të diplomacisë ndërshtetërore janë drejtuesit e shteteve ose të punëve të mëdha e që konsiderohen me vizione për të ardhmen e vendit. Si një art në vetvehte, diplomacia udhëhiqet nga teoritë moderne e të rëndësishme të saj si teoria e Forcës, teoria e Lojës, teoria e Integritetit e të tjera e të tjera, si teoria e Interaksionit, teoria e Konsistencës, teoria e Interesimit Nacional apo teoria e Rolit Ndërkombëtar. Pikërisht bazuar te këto teori, lojtarët e mëdhenj e në rastin tonë konkret në vitet 1944-1985 Enver Hoxha, duhet ta dinte dhe patjetër e dinte se elementet thelbësore në marrëdhënieve ndërkombëtareve, pra diplomacia bazohet në interesin kombëtar, i cili prevalon mbi çdo lloj interesi tjetër. Po Enver Hoxha, që u vu në krye të shtetit që gjatë Luftës së Dytë Botërore, a i dinte dhe a i zotëronte këto?!

Nga analizat e politiologëve më të mirë ndërkombëtarë, rezulton se Enver Hoxhën, gjëja kryesore që e pengoi të mos i realizonte gjithnjë e me sukses teoritë e prakikat e diplomacisë, madje që shkoi me to nga dështimi në dështim ishte se ai nuk ndoqi rrugën e reformimit te sistemit e as ligjësitë e shoqërisë njerëzore, madje nuk bëri as atë me të paktën diplomacinë funksionale.

Tematika në këtë studim është e ndërtuar e gjitha mbi denoncimin e fenomeneve, ku çdo pjesë e tij është fenomen-huq  dhe veprim përfundimtar makabër i Enver Hoxhës, që përkon apo i përket një periudhe të caktuar historike dhe secila pjesë është vendosur në funksion të ngjarjeve e të marrëdhënieve me jugosllavët, sovjetikët e me kinezët, të zhvilluara këto në periudha të ndryshme e shpesh herë të ndërthurura me njëra tjetrën.

Nuk pretendoj se po sjell vetëm gjëra të panjohura për diplomacinë e mjerimit të Enver Hoxhës veçse ajo më rezulton me dokumentacione arkivore se ajo dhe ai ka qenë 1.Rrugetim me manipulime,  2.Tregetar i sovranitetit, 3.Dashuria dhe divorci me sovjetikët, 4.Flirti me kinezet dhe prishja 5.Vetizolimi, tolloni dhe persekucioni. Në këtë kuadër po u bëj ngjarjeve dhe fakteve një evidentim pak më të sistemuar, me synimin për të dritësuar të gjitha pasojat degraduese që i solli vendit e shoqërisë egoizmi i tij i pa konceptueshëm dhe diplomacia e tij e mjerimit të madh, një populli të tërë.

Në antitezë me mbrojtësit e Enver Hoxhës, që thonë se “ai punoi e ndërtoi, madje edhe e zhvilloi Shqipërinë”, pasi "mjeranët" për veprat e tij të "bukura" të përmendin arsimin deri në Universitete e Akademi, se “ndërtoi hidrocentrale e kombinate, se e elektrifikoi gjithë vendin e se bëri deri diku edhe bujqësi intensive etj.,etj”! Po! Edhe unë them se i bëri, duke mos u hyrë rentabilitetit të tyre katastrofik. Por çe do që i bëri?! Këtu është çështja e lëmshit.

Edhe faraonët bënë piramida që çudisin edhe sot njerëzimin, edhe fashistët e nazistët bënë ndërtime, madje edhe autostrada por të gjithë këta që presupozohet se i bënë që nga faraonët e deri te Duçja, Hitleri, Stalini e ato të tipit Çaushesk, ishin që të gjithë diktatorë.  Punët e tyre nuk dhanë liri njerëzore e janë vepra të ngurta. Njerëzit punuan nën skllavëri mendore dhe “gëzuan” vetëm sundim, madje sundim me despotizëm. Diktatorët bënë vepra por edhe vranë e prenë popujt, dhe themeloren e të gjithave, lirinë dhe të drejtat e njeriut nuk ua dhanë njerëzve asnjëherë. E pa të, pa lirinë e të drejtat njerëzore, të tjerat shumëzohen me zero. Dhe këto, liritë e të drejtat e njeriut, Enver Hoxha nuk i solli e nuk i krijoi asnjëherë. Pretendoi çlirimin nga nazifashistët por pastaj vargonjtë u a hodhi në fyt më keq popullit. Madje foli me tepri për liritë e njeriut por atë nuk e krijoi kurrë dhe nuk e lejoi asnjëherë. Anatemoi teorikisht jetën me shtypje e shfrytëzim por e çoi popullin vit pas viti e për gjysmë shekulli në një mjerim e terrorizim të tejskajshëm.          

E tërë mbikoshienca e Enver Hoxhës, e gjithë veprimtaria e tij shoqërore, politike e diplomatike në se do ta lexosh, apo në se do ta investigosh, madje në se do ta trajtosh në mënyrë korrekte, tregon qartë vetëm egoizmin e tij të shfrenuar e sigurimin e pushtetit personal. Të gjitha standardet e historisë së sundimit të Enver Hoxhës, tregojnë se për egoizmin e tij, që ishte padyshim pushteti i tij personal sepse ai veproi në mënyrën e mundshme më të keqe, deri në vënien me anë të diplimacisë së tij, në ankand të Shqipërisë dhe në mbylljen e një populli të tërë në tela me gjemba e në një territor që e bëri vendin burg për shtetasit e tij.

Siç tregohet në dokumentacionet arkivore, e gjithë jeta e Enver Hoxhës, u sundua nga egoizmi i tij sepse e tërë vepra në se mund të konsiderohet e tillë, ishte e bazuar në bëma antinjerëzore. Në të gjitha kohërat ai jetoi e veproi ters me interesin e njerëzve sepse zbatoi teorinë e praktikën, për të qenë ai gjithçka, vetë zoti mbi tokë e mbi kokë të shqiptarëve. Të tjerët, sipas studimit të bëmave të tij, kishin lindur për tu drejtuar nga ai, për tu shtypur nga ai, për të qenë pa liri e pa dinjitet, për të jetuar pa demokraci e në izolim të plotë, në mjerim të thellë e të burgosur, të pllakosur e të vrarë por të pa kallur, të varrosur e pa varre. Politika e diplomacia mjerane e Enver Hoxhës, a nuk e telendisi në një gjendje të tillë mjerane popullin shqiptar?!

Kur flasim për diplomacinë e Enver Hoxhës, mendja na çon edhe në një drejtim tjetër të kësaj fjale, ku na rezulton se ngarkesa e parë e saj dhe e tij ishte “ego”, domethënë synimi për të arritur në labirinthet e pushtetit me mjete e forma amorale. Mirëpo antiteza e kësaj fjale është egoizmi negativ, pra ai “izmi”, që e bëri Enver Hoxhën sadist në veprime për të marrë, për të mbajtur e për të ruajtur pushtetin personal me çdo kusht. Kësaj i u nënshtrua edhe diplomacia e tij, të cilën e aplikoi me sadizëm, madje e kaloi edhe në terrorizëm, e cila u mbështoll me verbim ndërgjegje dhe nuk u ndal para asgjëje, veçse në realizimin e qëllimeve të unit e kultit. Diplomacia e tij e etiketuar e mjerimit, a nuk ishte “uni” i Enver Hoxhës dhe “kulti i tij i individit”?!

Koha dhe historia botërore e njerëzimit ka provuar katërçipërisht se diplomacia  egoiste si ajo që mbisundonte te Enver Hoxha, ishte tipari më i keq i një njeriu që i ve synimet e tij dhe plotësimin e tyre pa pyetur për asgjë, vetëm e vetëm që ato të realizohen. Dhe dokumentet tregojnë se diplomacia e Enver Hoxhës ishte ana më e errët dhe më e zezë e gjithë qeverisjes së tij, në parti e në pushtet. Kur themi ana më e errët dhe më e zezë, a mos deduktojmë me atë që Enver Hoxha ka pasur edhe ndonjë anë të bardhë?! Unë them jo, të tjerë në se gjejnë le të japin anët e tij “të bardha”. Vështirë të ketë ndonjë diktator, që të ketë anë të bardha sepse egua ua ka errësuar atyre gjithnjë arsyen e moralin. Përjashtim nuk bën as Enver Hoxha.

Diplomacia te Enver Hoxha qe e kamufluar me ideologjinë e politikën e një partie terroriste që as e krijuan shqiptarët por sllavët, që flinte brenda koshiencës së tij terrorizmi që u shfaq ethshëm te ai që gjatë luftës dhe veproi po ethshëm nga ai për dekada. Kjo rezulton, pavarësisht nga sukseset e fillimit, si e keqja më e madhe e atij njeriu që bëmat e tij rënduan mbi popullin shqiptar të shumëvuajtur, popull që shpresoi  më shumë se çdo kush popull tjetër, vetëm te çlirimi e ndërtimi i vendit.

Rezulton se menjëherë sapo mbaroi lufta, Enver Hoxha në krye të shtetit ndërtoi edhe falangat e diplomacisë së tij makiaveliste. Me kë? Fillimisht me jugosllavët që e projektuan dhe e sollën në pushtet.Në fakt ajo lloj diplomacie e tij e pasluftës, ishte si ajo në kohën e Luftës, diplomaci servile dhe e nënshtrimit pa kushte. Ndërsa sipas dokumentacioneve ajo del se ishte diplomaci diskredituese, diplomaci e kapitullimit, tradhti kombëtare.

Si rezultat i diplomacisë së Enver Hoxhës, jugosllavët ndërhynë në Shqipëri me anë të po-ve edhe jo-ve të marrëveshjeve e të akordeve diskriminuese në të gjitha skutat, ku çdo gjë e lëvizshme mall, u ngarkua në makina e vaporë dhe u nisën për në Jugosllavi. I a morën të gjitha shqiptarëve, të gjitha prodhimet e mallrat, të gjitha i u grabitën tregëtarëve dhe diplomacia e Enver Hoxhës i a dhuroi Titos. Mirëpo kur ndodhi prishja Stalin Tito për çështje “kulti”, Enver Hoxha bën kthesën e madhe të braktisjes së Jugosllavisë dhe me mjeshtëri brilante “aktoriale”, i a faturon të gjitha përgjegjësitë në marrëdhëniet me Jugosllavinë të tjerëve, dmth bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Mirëpo dokumentet janë gjithnjë kokfortë dhe ato “bërtasin” se asgjë nuk është bërë pa dijeninë e Enver Hoxhës, as pa vendimin e tij. E të gjitha këto flasin jo për diplomaci ku prima është interesi nacional, por për diplomaci kapitullimi e nënshtrimi.

Një marrëdhënie e gjatë, me uljet e ngritjet e veta, me flirtet dhe mëritë e saj, ishte periudha 1948-1961. Pas prishjes me jugosllavët e flirtit të plotë me sovjetikët, Enver Hoxha e vijoi egoizmin e tij të shfrenuar me diplomacinë e tij të nënshtrimit total dhe të servilizmit të plotë me sovjetikët, me të vetmin qëllim për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin e tij. Nga një titist i zellshëm, Enver Hoxha pas prishjes së Stalinit me Titon, kthehet e bëhet një stalinist i tërbuar, një besnik i plotë dhe një imitues perfekt i Stalinit. Bën vizita në Moskë si "kontribues" në dënimin e Titos, cilësi që ja ushqente vetes dhe ndërmerr në planin e brendshëm të Shqipërisë edhe "masa revolucionarizuese". Për të mbuluar shpirtin e tij të shitur te Titua, Enver Hoxha eliminon një e nga një "bashkëpunëtorët” e tij të tjerë si Tuk Jakovën e Bedri Spahiun. 

Pas vdekjes së Stalinit, gradualisht erdhën përplasjet e mëdha mes Enver Hoxhës dhe Nikita Hrushovit, jo për parime siç është thënë, por për pushtet personal. Mirëpo "zënkat" e "përplasjet" i janë "shitur" opinionit shqiptar të kohës, si trimëri të Enver Hoxhës mbi sovjetikët hrushovianë. Kështu e "shiti" ai e propoganda e tij marramendëse apo u përpoq ta shiste konfliktin e tij, por nuk ishte kjo. Nën atë petk, Enver Hoxha u përpoq të mbronte "kultin e individit", pushtetin e tij politik, që duhet thënë se për interesat e tij e mbrojti mirë! Është periudha më interesante si studimore, por edhe më problematikja për Enver Hoxhën dhe diplomacinë e tij personale e nga ana tjetër mjerane për popullin.

Ka plot manovrime diplomatike në atë periudhë se si Enver Hoxha qëndroi në pushtet, jo vetëm në vitet e "dashurisë" me Stalinin, por veçanërisht në vitet kur në pushtet në Bashkimin Sovjetik erdhi Hrushovi. Mund të themi se periudha e dashurisë dhe e divorcit të Enver Hoxhës me sovjetikët, ndahet në tri pjesë. E para; dashuria për Stalinin me interes për pushtetin e Enver Hoxhës. E dyta; dashuria e "shtirë" për të mbijetuar me Hrushovin, përsëri për të ruajtur pushtetin. Dhe e treta; divorci me "sovjetiket e rinj" si masë për të ruajtur po pushtetin e tij Enver Hoxha.

Egoizmi i Enver Hoxhës edhe në fushën e diplomacisë ka treguar se ai nuk shfaqte interesim për nevojat e të tjerëve dhe nuk kishte respekt për dinjitetin dhe integritetin e tyre, sepse ai nuk shihte agjë përpos vetvetes. Çdo person dhe çdo gjë e vlerësonte në aspektin e dobisë së tyre për të. Në thelb ishte përbindësh dhe këto cilësi të egoizmit të tij të shfrenuar, i ka shfaqur kurdoherë e sa here i është dukur se po i cënohej pushteti i tij personal. Enver Hoxha kërkonte për vehte vëmendje e admirim të vazhdueshëm nga çdo njeri, sepse mendonte se ai ishte i “veçantë”, ndaj i jepte gjithmonë të drejtë vetes dhe e quante ekzistencën e të tjerëve si iluzion ose si të dyshimtë. Me këto, ai ndjehej i vetëmjaftueshëm dhe synonte ta zëvendësonte edhe vetë Zotin, në mos sipas mendjes së tij e kish zëvendësuar, madje të bënte siç bëri edhe krejt pa të.

Mendonte se nuk i detyrohej askujt e për asgjë, me përjashtim të vetvetes dhe pretendonte se kishte gjithnjë vetëm të drejtë. Egoizmi nuk e la asnjëherë Enver Hoxhën që brenda tij të ekzistonte bonsensi për njerëzit, sepse egoizmi ishte një papjekuri e ndjenjave të tij. Me egoizmin e paprecedent, Enver Hoxha u shndërrua gradualisht në më se eliminues për gjithçka që ai i vinte synim vetes, vetëm e vetëm për pushtetit të tij personal.

Trajektorja e Diplomacisë mjerane të Enver Hoxhës, përshkruan të gjitha format e egoizmit të tij për sigurimin e mbajtjen e pushtetit si me mashtrime të vazhdueshme, si me manovrime të paskrupullta, si me vrasje rivalësh, si me ekzekutime nacionalistësh, si me shitje interesash kombëtare etj. etj. Kjo tregon se jo pa qëllim gjithçka ishte ndërtuar edhe mbi diplomacinë që ka ushtruar Enver Hoxha në politikën e tij të jashtëme, pasi ajo me dokumente tregon qartë se si ai në gjithçka, qoftë edhe mbi interesat e mëdha të Shqipërisë, vendosi mbi të gjitha egoizmin e tij personal. Kështu ndodhi me jugosllavët, ku egoizmi e çoi deri në shitjen e sovranitetit për sigurimin e pushtetit, kështu ndodhi me sovjetikët që egoizmi nuk e la të “reformohej”, dhe po ashtu ndodhi edhe me kinezët që po egoizmi i tij nuk e la Enver Hoxhën t’i vlerësonte situatat realisht.

Ngjarjet e jetës së tij reale, janë zhvilluar në sfondin e periudhave historike por gjithçka në funksion të idesë themelore, që padyshim ka karekterizuar gjithnjë Enver Hoxhën sepse ai ka konsistuar vetëm në një prirje ose zgjedhje, për të kënaqur ekskluzivisht prirjet dhe ndjenjat e vetvetes. Michael Mok thotë se “kur themi që një person vepron me egoizëm, zakonisht kuptojmë se ai nuk shqetësohet për njerëzit e tjerë por ai interesohet vetëm për veten e tij. Në se është kështu, atëherë përdorimi korrekt i egoizmit duhet të jetë “mungesa e interesit personal ndaj interesit të individëve të tjerë””. Siç shprehej edhe Kanti, “në momentin që një qenie njerëzore fillon të thotë “unë”, ai e shfaq veten vend e pa vend e sa here që të mundet dhe në këtë mënyrë egoizmi rritet vazhdimisht”.   

Ky ishte një fakt i pa mohuar historik gjatë gjithë sundimit të tij, i cili e ka shtyrë Enver Hoxhën për të luajtur apo për të realizuar gjithnjë diplomaci me shtete të mëdhenj, por me të njëjtën kurbë, fillim e ngjitje dhe arritje në majë, e pastaj zbritje pikiadë me disfatë. Kështu me jugosllavët që gjatë Luftës Antifashiste dhe në vitet e mëpastajme deri në 1948 -n, kështu me Bashkimin Sovjetik superfuqi deri në vitin 1961..., kështu edhe me kinezët, fuqi e madhe e pretendentë për superfuqi, deri në 1978 -n.

Veprimtaria diplomatike, lidhjet e zgjidhjet e Enver Hoxhës kryesisht me këto tre shtete të mëdhenj për afro katër dekada, shihet e konkludohet jo se me kë “të madh” u lidh Enver Hoxha, por se çfarë pozitiviteti sollën këto marrdhënie, kjo diplomaci e tij që rezultoi mjerane, se në mjerim e çoi dhe e la popullin.

Vërtet duhet pranuar se në periudha të caktuara, politika dhe diplomacia e Enver Hoxhës i solli për kohën popullit e vendit “ndihma e prestigj”, por përfundimisht është se dhe këto, duhet thënë fuqishëm që ai lloj egoizmi i tij e çoi Shqipërinë në skamje e mjerim, në jetë mizerabël e në diktaturë të egër politike, në një vend e popull pa aleatë e pa perspektivë, në një vend të mbyllur e në vetizolim total. Egoizmi i Enver Hoxhës edhe në diplomaci, a nuk duhet pranuar pa ekuivok se ishte sëmundje  e tij patologjike, që ai e aplikoi dhe që e shkatërroi përfundimisht vendin dhe që e degradoi plotësisht popullin shqiptar?!

Diplomacia e Enver Hoxhës edhe një herë ka pasur vetëm një devizë, qëndrimin e tij në pushtet, sakrifikimin e çdo gjëje vetëm e vetëm për fitimin dhe mbajtjen me çdo kusht të atributeve dhe të vlerave të pamerituara.

Është e vërtetë se për diplomacinë e Enver Hoxhës që në marrjen e pushtetit prej tij, ka shumë thënie e kundërthënie, që nisin qysh me krijimin e partisë dhe vazhdojnë edhe në vitet e ushtrimit të diktaturës së tij. Arsyeja e hamendësimeve është se për periudhën e krijimit të partisë, nuk ka shumë dokumente, sepse “dy jugosllavët, që u “ndodhën” e themeluan partinë komuniste shqiptare”, as që mbajtën dokumente sepse ata si zbulues të veshur me petkun e politikanëve, asnjëherë nuk mbajtën me vete materiale komprometuese. Dhe nëse patën të tilla dokumente dhe patjetër patën, si ndonjë ditar a raport, ata i morën me vete në Jugosllavinë e Titos.

Tashmë është provuar katërcipërisht se diplomacia e kulisave e Enver Hoxhës, nis që me mbledhjen themeluese të partisë dhe kjo konsiderohet diplomacia e vockël por e fitores së tij, pasi ai e shfrytëzoi me mjeshtëri “dashamirësinë” e Koço Tashkos e të Ymer Dishnicës dhe luajti gjithë rolin skuthnik që Komisioni votues i Konferencës ta “nxjerri” atë Enver Hoxhën në Komitetin Qendror Provizor. Janë momentet që diplomacia djallzore provinciale në subkoshiencën e tij thuajse u zgjua, pasi menjëherë sapo “doli” në udhëheqjen e partisë, ai “hodhi” sytë për më tej e pse jo edhe “njësh -i” i saj. Shfrytëzoi me mjeshtëri dy emisarët jugosllavë krijues të partisë Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, të cilët pasi e përpunuan mirë e mirë atë pro “komunizmit jugosllav”, në Konferencën e Labinotit “e nxorën” edhe në krye të partisë. 

Rruga e ardhshme për Enver Hoxhën mbetej fitimi i betejës, që kryesorja ishte fitimi i besimit të Titos, me të cilin nuk kishte asnjë kontakt verbal por që duhet thënë se gjithçka rreth tij Miladin Popoviçi e transmetojë mjeshtërisht në Jugosllavi. Këtë e thotë veçanërisht në një letër që Enver Hoxha i shkroi Titos me përuljen më të madhe që e njeh historia si bashkëpunim konkret të tyre, të cilën Miladini e mori në xhep kur u largua nga Shqipëria dhe ja dorëzoi direkt në dorë Titos së bashku me konsideracionet e tij për Enver Hoxhën që as më pak as më shumë por e etiketon për post si "një tel kallaji". Ishte koha kur Enver Hoxha, edhe disa nga rivalët e tij ai i kishte filluar ti eliminonte apo i kishte vrarë, mandej e kishte marrë edhe revanshin e pushtetit. 

Diplomacia dhelpërake e Enver Hoxhës, a nuk del qartë e plotësisht se si ai i triblon përmes manovrimeve e vrasjeve mafioze të bashkëpuntorëve më të afërt e figurave më të shquara  vetëm e vetëm për të marrë vetë pushtetin?!

Në fakt Berati ishte “goditja”dhe “përkëdhelja”, e cila i çeli rrugën Enver Hoxhës për kalimin në një stad tjetër, në atë të aplikimit të servilizmit pa kufi e pa doganë dhe të nënshtrimit të plotë e të përgjithshëm ndaj jugosllavëve. Nëse për periudhën e parë historike, se si Enver Hoxha doli në krye të partisë, dokumentet janë të pakta por jo se nuk ka, në këtë libër për tu bërë të besueshme ashtu siç ishin, do të trajtohen dhe argumentohen me analiza krahasuese e deduksione, duke u mbështetur në ngjarje e në dëshmitarë bashkëkohorë.

Ndërsa për pjesën e dytë të kësaj periudhe historike, lidhur me nënshtrimin e plotë të Enver Hoxhës ndaj jugosllavëve, që rrok vitet 1944-1947, çdo gjë mbështetet në dokumentacione e në letra, në deklarata e në takime, në vizita e në marrëveshje, deri në miratimin për dislokimin e forcave ushtarake jugosllave në Shqipëri, apo për bashkimin e plotë të Shqipërisë me Jugosllavinë. Të gjitha këto që i nënshtrohen një analize faktike edhe me autorë të tjerë të vendit e të huaj, që kanë dhënë një kontribut të çmuar, për t’i ndriçuar këto bëma të Enver Hoxhës, si pjesë e luftës së tij për pushtet.

Periudha e viteve 1948 - 1961, periudha e “dashurisë së pakufishme” dhe e divorcit me sovjetikët tregon se Enver Hoxha ndonëse për egoizmin e tij i ishte nënshtruar Titos deri në përulje, vetëm e vetëm që të qëndronte në pushtet, ndofta edhe si i parë i një Republike të shtatë jugosllave (edhe kaq atij i mjaftonte), prishja e Stalinit me Titon, ishte sikur i ra një meteor diamanti nga qielli. Enver Hoxha menjëherë merr kthesën dhe nga “një djalkë i mirë i Titos”, bëhet një bishë agresive ndaj tij dhe në një puthadoras i zjarrtë i “dashurisë” për Stalinin. I shkruan letra, i raporton vetë, i përbetohet e çfarë nuk i demonstron ai për besnikëri Stalinit. Kjo ishte periudha tjetër e diplomacisë së tij, e konsolidimit të pushtetit të Enver Hoxhës. Në këtë periudhë, Enver Hoxha ishte Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, Kryeministër i vendit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Ministër i Jashtëm,  Ministër i Mbrojtjes, pra  ai i kishte arritur të gjitha e i kishte kapur plotësisht të gjitha pushtetet.

 Mirëpo ku ta dinte Enver Hoxha se “papritur” Stalini do të vdiste dhe në Kremlin me kohë ishin organizuar forca antistaliniane për aplikimin e “një politike të re”! Ardhja e ekipit hrushovian dhe shpalosja e politikës së re “në marrëdhëniet me Jugosllavinë”, lufta kundër “kultit të individit” dhe veçanërisht, heqja e njëri pas tjetrit të të gjithë Sekretarëve të Parë të partive në vendet e Evropës Lindore satelite të Bashkimit Sovjetik, e shqetësuan shumë Enver Hoxhën. Egoizmi i tij nuk i pranonte këto“reformime”, sepse në se ato do të zbatoheshin edhe në Shqipëri, patjetër do t’i duhej apo do t’i thuhej t’i jepte “lamtumirë” pushtetit të tij, për të cilin Enver Hoxha kishte “investuar” aq shumë. Ai për pushtetin e tij kishte vrarë e prerë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, kishte pështyrë babain e komunizmit të Ballkanit Titon e ndërsa tani Hrushovi i kërkonte “kthesë” dhe të shikonte në mënyrë kritike gjithë politikën e diplomacinë me Jugosllavinë.

Në se do të ndodhnin këto siç tregonin "bathët", kjo do ishte fundi i Enver Hoxhës. Ndaj ai me djallëzi u sul dhe shpiku “mbrojtjen” e parimeve, të cilat “i shiti” në popull se “hrushovianët kishin ndaj popullit shqiptar e Shqipërisë tendenca hegjemoniste e se ato ishin tradhtarë”. Kjo lloj politike e përzjerë direkt me diplomaci krijuan në opinionin e atëhershëm shqiptar reaksion ndaj BS dhe se “përballjet” e Enver Hoxhës me sovjetikët hrushovianë “u konsideruan” qëndrime të një “burrëri” shteti dhe një “shpëtim” për Atdheun.

E vërteta qëndron krejtësisht ndryshe. Enver Hoxha nuk i kundërshtoi “sovjetikët e rinj” për “parime”, por se egoizmi nuk e linte Enver Hoxhën të pranonte “konsideracionet e humbura” ndaj Titos, sepse ai e llogariste se klima e re sovjetike do të kërkonte rehabilitimin e Koçi Xoxes dhe llogaridhënie për ekzekutimet me e pa gjyqe që kishte bërë ai pas prishjes me Jugosllavinë. Këto bëma të së kaluarës do ta çonin vetë Enver Hoxhën në bankën e të akuzuarit. Ngado ta marrësh e ngado ta vërtitësh, Enver Hoxha ishte në epiqendër të gjësë për llogaridhënie e dënim. Nuhatja e përzier me dinakërinë e tij të pakufishme, e çoi në një rrugëzgjidhje tjetër: Enver Hoxha iu drejtua Kinës. Diplomacia e tij dështoi me një superfuqi por fitoi me një fuqi të madhe botërore pretendente për superfuqi.

Kina, një vend me popullsi të madhe e me një parti po të madhe dhe Mao Ce Duni ndonëse ishte shumë më i moderuar se Enver Hoxha, përsëri në atë kohë ishte Stalinist. Këto cilësi, Enver Hoxha i shfrytëzoi me diplomaci, por shfrytëzoi edhe tendencat e Kinës e synimet e saj për në Ballkan e në Europë. Kjo është edhe pjesa e katërt e këtij libri që rrok periudhëm 1962 - 1978, e cila është titulluar edhe si “flirti me Kinën” e zbatimi i politikës së vetizolimit, që konsiderohet edhe politika vetëvrasëse e regjimit të Enver Hoxhës.

Megjithëse kinezët ishin ato, që e shpëtuan Enver Hoxhën nga asgjësimi sovjetik dhe e ndihmuan në pafundësi si ekonomikisht ashtu edhe ushtarakisht, e pse jo edhe politikisht të qëndronte në pushtet, ai përsëri gjoja po për “parime”, u prish edhe me kinezët. Kjo ishte edhe fundi i komedisë më të paprecedentë në histori, të cilën Enver Hoxha i a dirigjoi popullit shqiptar, vetizolimin e plote e absolut, që kushtoi shumë shtrenjtë.

Gjithë kjo rrugë historike, gjithë kjo diplomaci e pa suksesëshme dhe e sëmurë e Enver Hoxhës ose më saktë të gjitha akrobacitë e tij politike e diplomatike, miqësi me jugosllavët e prishje, miqësi deri në dashuri me sovjetikët e përsëri prishje, miqësi e përzemërt me kinezët e përsëri edhe me to prishje, bëri që ai gjithë popullin shqiptar gjatë të gjithë kohërave e mbajti në tensione të mëdha e në një stres të paparë se po e sulmonin e do ta “mbysnin imperialistët dhe socialimperialistët”.

Me këto sllogane e pallavra ai i shkaktoi një fat tragjik Shqipërisë, që nuk mund të mëshirohet dhe i solli popullit vetëm vuajtje e mjerim. Ja, këtu e çoi popullin shqiptar diplomacia mjerane e  Enver Hoxhës, politika e tij e nënshtrimit dhe e mashtrimit, gjithnjë për të marrë e vetëm për të qëndruar ai dhe vetëm ai, përgjithnjë në pushtet.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat