Me listat e hapura, te ne do të jetë më e qartë se sa peshon politikisht dhe moralisht një politikan

Opinione

Me listat e hapura, te ne do të jetë më e qartë se sa peshon politikisht dhe moralisht një politikan

Nga: Ejup Berisha Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 16:26
Autori Ejup Berisha

Në zgjedhjet parlamentare dhe lokale, të cilat organizohen dhe mbahen periodikisht çdo katër vjet në vendin tonë, që nga viti 2001, me zbatimin e modelit zgjedhor me gjashtë njësi zgjedhore, qytetarëve zgjedhës u mundësohet të votojnë në zgjedhjet e organizuara me lista të mbyllura. Megjithatë, me këtë mënyrë të bërjes së zgjedhjeve po vërehen dobësi dhe mangësi të shumta, dhe në opinion ka filluar të promovohet ideja për aplikimin e listave të hapura si mundësi për zgjedhjen e kandidatëve të mundshëm në procesin zgjedhor. Me aplikimin e listave të hapura në zgjedhjet parlamentare dhe lokale, zgjedhësit kanë mundësi t'i njohin më mirë dhe më për së afërmi kandidatët e mundshëm për deputetë, për kryetarë komunash dhe për këshilltarë komunalë. Të njohësh kandidatët e mundshëm për poste politike që do të zënë vende të larta dhe të rëndësishme në institucionet shtetërore dhe lokale të pushtetit, do të thotë t’i njohësh karakterin, personalitetin, si dhe aftësitë profesionale dhe njerëzore të tyre.

Listat e hapura për deputetë, për kryetarë komunash dhe për këshilltarë komunalë janë dëshmi e sa peshon realisht legjitimiteti i çdo kandidati në politikë. Me këto lista gjithashtu mund të shihet se sa vota ka marrë një kandidat i mundshëm për tu zgjedhur në postet politike. Ne tani në shtetin tonë kemi zgjedhje me lista të mbyllura, me mundësi votimi vetëm për emrin dhe logon e partisë pjesëmarrëse në zgjedhje. Duhet theksuar se kjo mënyrë e mbajtjes së zgjedhjeve nuk jep informacione të sakta dhe të besueshme për sa vota ka marrë realisht një kandidat i caktuar në ditën e zgjedhjeve.

Pra, listat e hapura bëjnë të ditura shumë gjëra për votuesin, dhe ky është më i lirë, më i motivuar dhe më i sigurtë në bërjen e zgjedhjes së tij në ditën e zgjedhjeve. Listat e hapura po ashtu japin informacione më të sakta dhe më burimore për sa mbështetje reale te zgjedhësit gëzojnë udhëheqësit e partive politike. Deri tani, me listat e mbyllura zgjedhore, kjo ka qenë e pamundur të bëhet, pasi njerëzit e parë të partive janë fshehur pas votave që ka marrë partia politike si subjekt politik në përgjithësi, e jo sa vota kanë marrë udhëheqësit e tyre si individë veç e veç.

Listat e mbyllura i kanë favorizuar kandidatët e pëlqyer të udhëheqësve partiakë që të zgjidhen, dhe jo ata kandidatët që meritojnë të jenë të zgjedhur. Listat e hapura zgjedhore e stimulojnë konkurrencën dhe garën mes kandidatëve nëpër subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Ato gjithashtu ua bëjnë më të lehtë dhe më të qartë zgjedhësve përcaktimin e tyre se për kë mund dhe duhet të votojnë në zgjedhje. Meqë kjo i lehtëson zgjedhësve vendimin që do të marrin, një mënyrë e tillë e zbatimit të zgjedhjeve kontribuon në përforcimin dhe thellimin e demokracisë zgjedhore, si dhe në rritjen e rolit dhe peshës politike të qytetarëve zgjedhës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat