Pragmatizëm ekstrem, minë në themelet e së ardhmes

Opinione

Pragmatizëm ekstrem, minë në themelet e së ardhmes

Nga: Llesh Ndoj Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 09:22
Llesh Ndoj

Tregojnë për një burrë të mençur në Lezhë, dikur bujk, blegtor e tregëtar i njohur, i cili i këshillonte njerëzit me urtësitë e tij të vazhdueshme. Mes të tjerave ai u përsëriste herë pas here edhe këshillën si më poshtë: - Ngrihu në mëngjes, bëj bismilah dhe hidhi sytë nga kalaja. Shih, kush e ka ngritur flamurin dhe bëji temena! Një pragmatizëm ky i kulluar, i kuptueshëm për një tregtar e një njeri të thjeshtë, që me punën e djersën e tij pretendonte të jetonte i qetë, të shtonte pasurinë e të mos shihte se ç’ndodh më përtej tij. Por e praktikuar në nivele politike, qoftë nga zgjedhësit, qoftë nga ata që zgjidhen, drejtojnë apo pretendojnë të drejtojnë vendin, kjo mendësi, apo ky pragmatizëm i pastër, shndërrohet në një minë me sahat në themelet e së nesërmes. Mua më duket, se ky lloj pragmatizmi ka zënë vend në thelbin e punës, të qëndrimeve e pretendimeve të politikanëve, partive politike, të zgjedhurve e të emëruarve dhe është injektuar keqas edhe në trupën elektorale, duke i shndërruar fushatat elektorale, qeverisjet e produktet e tyre, më shumë se zgjedhje e zgjidhje, në pazare të ulëta që kanë dëmtuar vendin në ecurinë e tij në këto dekada të pluralizmit politik.

Përveç lëvizjes demokratike të vitit 1992, plotësisht e njejtësuar me një lëvizje popullore antiregjim, që është e justifikuar në përbërjen e saj amalgamë, bashkim në diversitet i kujtdo që ishte për ndryshimin e sistemit monist e diktatorial, rastet e tjera në vijim, kanë rezultuar bashkangjitje pa bosht, e të panatyrshme dhe produkti i tyre gjithashtu ka qenë i paqëndrueshëm. Le të kujtojmë me radhë: Partia Socialdemokrate e Gjinushit, një parti që duhet të ishte e profilit të majtë tipik, iu bashkëlidh Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të vitit 1992, duke bërë që e majta të humbiste atëherë shumë organe të pushtetit lokal, sidomos këshillat e rretheve që pëfaqësonin asokohe nivelin e dytë të pushtetit vendor, Partia Komuniste e Hysni Milloshit, e ekstremit të majtë, konkuroi si kandidat më vete dhe praktikisht iu bashkua Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të Tiranës në vitin 2011 duke marrë 1395 vota nga kontigjenti i votuesve të majtë, arësye kjo që Lulëzim Basha u shpall fitues falë edhe shumë manovrave ekstra ligjore të KQZ – së, me vetem 81 vota plus, Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, një parti që pretendon të jetë e vendosur më majtas se vetë Partia Socialiste në spektrin politik shqiptar, shumicën e kohës, përveç legjislaturës 2013 - 2017, iu bashkëlidh Partisë Demokratike. Parti si ajo e të Drejtave të Njeriut apo Partia Bashkimi Demokratik për Integrim e Shpëtim Idrizit, ndonëse në thelb janë të spektrit të majtë, aleancën e natyrshme e gjejnë shumicën e kohës djathtas etj. Nuk mbeten pas as veprimet e të majtës socialiste, ku spikat parulla e shpallur dhe e pashpallur, por gjerësisht e praktikuar në zgjedhjet e vitit 2013: Të bashkohemi me çdo lloj hori, mjafton të mundim Berishën, parullë e filozofi që po mundohet t’a bëjë të veten Berisha në zgjedhjet politike të vitit 2025. Deklarimet e disa prej partive të reja nuk kanë as bosht, as peshë e ndoshta as nuk ia vlen për momentin të merremi me to, megjithëse fondet i marrin nga taksat tona.

E gjithë kjo situatë vijuese, na bën të shtrojmë natyrshëm disa pyetje: - Cili është spektri real i organizimeve politike shqiptare dhe a kanë partitë tona politike një filozofi politike e një pozicionim të vetin ideor e programor, që u jep atyre identitet të spikatur politik? Pak më tej: - Pushtetet që rrjedhin prej tyre, a kanë objektiva të qëndrueshme e të përputhshme me filozofinë e tyre politike? - Po anëtarësia e të zgjedhurit, a janë aty si gjendje e natyrshme, apo si një pragmatizëm i çastit, në mos një pazar i pisët? Unë mendoj se jo! Partitë tona janë kthyer në turma servilësh të bashkuar rreth drejtuesit të vet, me nuhatje për pushtetin e të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me paratë e pista e krimin, më shumë se bashkime të ndërgjegjshme rreth kauzave të përbashkëta. Anëtarët, të zgjedhurit e të emëruarit e tyre, nuk janë njerëz që përfaqësojnë ndonjë kauzë apo filozofike politike (edhe aty ku ajo ekziston, e në masën që ekziston!), por pazargji të mirë, matrapazë politik e njerëz që i bashkëlidhen çdo lloj “këpuce” (si ba…ga), mjafton që ajo t’i dërgoje në destinacionin e tyre të preferuar. Keni parë në historinë tonë pluripartiake sa deputetë kanë “tradhëtuar” partitë e tyre e votën e elektoratit, duke votuar fshehurazi qeveritë kundërshtare, apo duke u bashkuar hapur me to, vetëm për një mandat vendor ose qendror, për një tendër më tepër, apo për një mbrojtje prej partisë fituese ndaj bëmave të tyre korruptive e kriminale, nga ndjekja e mundshme prej organeve të drejtësisë etj. Kaq e turpshme është kjo situatë, sa të bën të vjellësh e të mos besosh asgjë nga ato që thuhen nëpër tribunat politike e mitingjet si rasti, kur sheh Kastriot Islamin, ish njeriu më i privilegjuar e i respektuar i së majtës, të konvertuar në çast si antisocialist i sëmurë, maskuar si demokrat i devotshëm, apo Metën konvertuar në demokrat ekstrem, apo kur sheh plot kryetar të bashkive tona, deputetë apo të emëruar të të majtëve, njerëz që dikur thyenin kutitë e votimit për t’i kthyer në rezultate pro PD – së, apo torturonin nëpër komisariate komisionerët e majtë! I turpshëm dhe i neveritshëm ishte spastrimi i administratës për arësye të pikpamjeve politike, tipike kjo pë Partinë Demokratike e personifikuar në nenin e famshëm 24/1, por më e turpshme dhe shkatërruese paraqitet situata e “blerjes” së kundërshtarëve politikë me një rrogë në administratë, apo kur parti si ish - LSI, sot Partia e Lirisë e familjes Meta, që gjithë organizimin e tyre e kishin dhe e kanë pazar mbi numrin e karrigeve në çdo nivel të administratës publike.

Më kujtohet një personazh i deformuar politik në zgjedhjet vendore të vitit 2019 në Lezhë, pjestar i rëndësishëm i administratës pararendëse demokratikase në pozicione të rëndësishme, që rezultuan më së shumti “tregti” tokash, i cili në atë fushatë shante me të madhe socialistët, që i quante komunistë, bile të fëlliqur, por kur këta erdhën në pushtet ai u shpërblye me përmirësim të pozicionit të punës e në këmbim, shihej të shoqërohej nëpër kafene me shumë nga të vetëquajturit socialista të afërt me pushtetin e radhës. Kujt dreqin i duhen njerëz të tillë? Po listat përfaqësuese të PS – së në 2013 - n kryesisht, më pak në 2017 - n e 2021 - shin, e me gjasa do t’a përmbyllin ciklin me të njejtin nivel në 2025 - ën, çfarë përfaqësonin? Të majtët e të majtën jo! As të djathtët jo! Po kë do të përfaqësojnë atëherë? Pak opsione mbeten, e secili le t’i marrë vetë me mend ato. Po ashtu listat e PD - s, cilësia e besnikëria, identiteti politik i pëfaqësuesve të së cilës u vërtetua me rastin e “djegies së dirigjuar të mandateve” në vitet 2017 - 2021 me synim shpërndarjen e Kuvendit, e ku monstrat politike që ishin renditur në lista për një grusht vota u futën në vendin e deputetëve të dorëhequr në bllok, duke pjell parlamentin, ndoshta më qesharak në historinë tonë si shtet.

Pyetja shtrohet: - A pasqyrojnë partitë politike përbërjen e elektoratit shqiptarë, apo këta janë pasqyrë e deformimeve të imponuara nga krimi e pushteti, krimi me pushtet e pushteti i kriminalizuar? Përveç Partisë Socialiste që vjen si vazhdim i transformimit të të majtës ekstreme, ish PPSH - s dhe partive Lëvizja e Legalitetit e asaj të Ballit Kombëtar, vazhduese në distancë kohore e partive të djathta tradicionale, partitë e tjera janë parti të reja, më saktë, krijesa të lindura në pluralizëm të cilat, nisur nga nevoja për pushtet apo mbijetesa politike, nuk kanë ndjekur një bosht të tyrin e nuk kanë adaptuar një filozofi të tyren politike, që të jetë identifikuese për to, veç dogmës së antikomunizmit, që më së shumti ka rezultuar një “komunizëm” i kamufluar. Kjo e ka bërë spektrin e politikës tonë të ngjashëm me flamurin e komunitetit të LGBTI - së, (asgjë personale kundër tyre!), dhe elektoratin një trupë mobile që voton herë majtas e herë djathtas, shpesh me vullnet të deformuar e yshtur nga paraja, nga krimi, nga pushteti ose nga të gjitha bashkë, duke e bërë parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve një ekuacion vështirë të deshifrueshëm.

Krahas shprehjes standarte “shih kush ka ngrit flamurin n’kala, e bëji temena”, apo grupimit që dukshëm e bazon mbijetesën tek servilizmi ndaj pushtetit dhe partisë që e mban atë, hapur dhe si reaksion ndaj tyre, është krijuar edhe grupimi tjetër që mund të quhet grupimi “për inat të sime vjehërr, shkoj e fle me mullixhinë”, ku e gjejnë veten ata që s’i përmbushin pritshmëritë personale nga pushteti i partisë që kanë votuar, për më tepër kur shohin kundërshtarët e tyre ulur këmbëkryq mbi ëndërrimet e veta, votojnë kundërshtarin në zgjedhjet e radhës. Në një përcaktim normal të identitet të spikatur politik të partive që janë apo konkurojnë për pushtet, elektorati është i qartë se çfarë mbetet e çfarë ndryshon në se vota e tyre sjell në pushtet forcën politike të preferuar, ku jo çdo gjë do të duhet të përmbyset për të rifilluar nga e para. Parë në këtë prizëm, në kushtet tona shpresa, ose më saktë ëndërrimet tona elektorale, shohin përmbysje e fatkeqësisht edhe rezultojnë të tilla dhe vendi, nga njëra pale zgjedhje tek tjetra, bën një hap përpara e dy hapa mbrapa. Shihni qëndrimin aktual ndaj asaj që shqiptarët e përceptojnë në shumicë si shpresën e daljes nga tuneli i errët i tranzicionit, SPAK - un e Drejtësinë e Re. Të dyja palët e kërcënojnë ardhmërinë e saj. Njëra, socialistët, nën parullën e “nevojës për standartizim”, e tjetra duke premtuar hapur zhbërjen totale. Pse? Hapur e dukshëm për të mobilizuar të kërcënuarit prej drejtësisë, botën e errët të krimit e korrupsionit shtetëror, për fitoren e pretenduar të radhës. Shih më tej qëndrimin ndaj pensioneve e pensionistëve. Socialistët bëjnë premtime për rritje të vogla e të mundshme, kryesisht bazuar mbi skema që e bëjnë sistemin e sigurimeve shoqërore të qëndrueshëm, veprime që ndonjëherë ngjajnë se anojnë djathtas, ndërsa e djathta, PD - ja, bëhet më e majtë se e majta ekstreme dhe premton shifra rritjeje, dukshëm të pamundura. Shih ekonominë e perspektivën e saj, asnjë pikë ku synohet të arrihet për një zhvillim të qëndrueshëm, veç lajthitjeve të qëllimshme elektorale. Të njëjta janë premtimet për pagat e tatimet mbi të ardhurat. Dukshëm, e majta në pushtet tregon qëndrueshmëri, ndonëse treni i saj ecën në disa drejtime në “shina të djathta”, ndërsa e djathta bën premtime tipike të majta, si ulje taksash, rritje pagash, taksa zero për biznesin e vogël (e realizuar prej kohësh nga e majta në pushtet), ulje të kontributeve për sigurimet shoqërore e njëkohësisht rritje pensionesh apo përcaktim e plotësim të minimumit jetik, që janë qendrime tipike majtiste.

Një mishmash politik, që nuk të çon askund, ky qendrim i politikës shqiptare, thjesht për të trullosur trurin e lodhur të shqiptarëve. Ndërsa elektorati lëviz sa andej - këndej, majtas e djathtas (si bo..t e dashit, pati thënë dikur një kandidat për deputet i Partisë Demokristianë), fatin e vërtetë të ardhmërisë së vendit e përcakton jo vota jonë, por paraja dhe krimi i organizuar në partitë politike ose organizatat kriminale dhe ne, më kot mundohemi të projektojmë një vizion të largët mbi ardhmërinë, e cila edhe po lindi, lind e vrarë por e pa kallur nga pragmatizmi ynë vrastarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat