Ka kohë që ka qarkulluar lajmi për, gjoja, largimin e trupave të SHBA nga Kosova. Çdo herë kur Kosova ka refuzuar ndonjë propozim amerikan, siç ka ndodhur me rastin kur Kosova refuzoi të hiqte taksën 100%, këtë gjë e kishte paralajmëruar edhe senatori amerikan David Perdue, duke bërë thirrje që të shqyrtohet mundësia e largimit të trupave nga Bondsteel.
Pastaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishte thënë se arsyeja pse partia e tij kishte inicuar mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti ishte frika se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të merrnin masa ndaj Kosovës për shkak të ish-kryeministrit, Albin Kurti, deri aty sa ishin frikësuar se shteti më i fuqishëm në botë do të tërhiqte trupat ushtarake nga Kosova.
Këto zëra u shtuan edhe tani pas fitores së z. Trump. Fillimisht ka qenë gazeta gjermane “BILD” që dje raportoi se institucionet e sigurisë evropiane janë të alarmuara për mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Evropë.
Kjo media e kishte përmendur në mënyrë specifike edhe Kosovën, me mediat e opozitës që, me pompozitet, shpërndanë një lajm që, si edhe të tjerët, rezultoi të ishte gënjeshtër. Ashtu siç ka gënjyer edhe Isa Mustafa.
Këto përgënjeshtrime i bëri misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, të pyetur në mënyrë specifike për Kosovën, ku thanë se s’janë në dijeni të ndonjë diskutimi për reduktim apo tërheqje të trupave amerikane. Madje, edhe Sekretari i Mbrojtjes, Hagel, në javën e kaluar ka thënë se s’ka pasur vendime që kanë të bëjnë me nivelin e trupave amerikane. Andaj, të gjitha lajmet për, gjoja, largimin e trupave amerikane nga Kosova janë në kuadër të luftës hibride ndaj qeverisë Kurti.