Brenda dy ditësh Kosova humbi dy zëra mjaft të rëndësishëm, për sa i përket denoncimit, dokumentimit dhe kërkimit të drejtësisë për krimet dhe gjenocidin që Serbia e ka kryer gjatë luftës.
Behet fjalë për Enver Duriqin e Bajram Qerkinin.
Sot (e martë 25 shkurt) ka vdekur Enver Duriqi, të cili kriminelët serbë ia vranë katër fëmijët, bashkëshorten dhe dy prindërit në masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë më 28 mars 1999.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që Duriqin e quajti “zëri i së vërtetës dhe drejtësisë”.
“Me dhimbje dhe respekt të thellë ndahemi nga Enver Duriqi, një njeri i cili, përkundër tragjedisë së pamasë që përjetoi, nuk reshti së luftuari për drejtësi dhe të vërtetën. Gjatë luftës, ai humbi gjithçka – katër fëmijët, bashkëshorten dhe të dy prindërit, të vrarë mizorisht. Megjithatë, kjo humbje nuk e theu shpirtin e tij, por përkundrazi, e bëri edhe më të vendosur që të kërkonte drejtësi për viktimat dhe të ndihmonte që zëri i tyre të mos shuhej kurrë”. Ai besonte se vetëm përmes të vërtetës mund të ndërtohej një e ardhme më e drejtë dhe më humane. Sot, teksa përcjellim në amshim Enver Duriqin, kujtojmë forcën dhe dinjitetin e tij të pashoq. Ai nuk ishte vetëm një dëshmitar i së kaluarës së dhimbshme, por edhe një simbol i palëkundur i qëndresës dhe drejtësisë. Trashëgimia e tij do të mbetet frymëzim për brezat që vijnë. U prehtë në paqe!”, thuhet në njoftimin për vdekjen e tij.
E pikërisht në ditën kur u dha lajmi për vdekjen e Enver Duriqit, u varros Bajram Qerkini, Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”.
Bajram Qerkini nuk reshti asnjëherë së kërkuari djalin e tij të zhdukur gjatë luftës, së bashku me mijëra shqiptarë të tjerë.
Për fat të keq ai vdiq pa i gjetur eshtrat e të birit. Bajram Qerkini nuk mungonte në asnjë prej organizimeve që kishin të bëjnë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ai kritikonte herë pas here edhe autoritetet e Kosovës që nuk tregonin edhe aq gatishmëri që të kërkonin llogari nga Serbia.
Ditë më parë është ndarë nga jeta edhe Nëna Zejnepe nga komuna e Lipjanit, e cila përjetoi dhimbje të madhe, pasi humbi bashkëshortin, dy djemtë dhe dy nipat nga dora kriminale serbe.
Për vdekjen e saj ka njoftuar kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili dhe e ndau ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e saj.
“Sot, paska pushuar zemra e Nënës Zep, një nëne që përjetoi dhimbjen më të madhe, por që nuk u përkul kurrë. Nëna Zep humbi bashkëshortin, dy djemtë dhe dy nipat nga dora kriminale e pushtuesit serb por gjeti forcën për të kërkuar të vërtetën, për të zbuluar trupat e të dashurve të saj dhe për të kërkuar drejtësi. Ajo nuk e jetoi dhimbjen në heshtje, por e ktheu atë në betejë për drejtësi dhe kujtesë. Sot, largohet nga kjo botë, por zëri dhe sakrifica e saj do të mbeten përjetësisht në zemrat tona dhe në historinë e Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që ndanë dhimbjen dhe krenarinë për këtë grua të jashtëzakonshme. U prehsh në paqe, Nënë Zep! Lavdi jetës dhe veprës tënde!”, shkroi Ahmeti.
Kosova ende nuk ka informacion rreth fatit të mbi 1500 të pagjeturve, ndërsa Serbia vazhdon të jetë neglizhente dhe të mos jap llogari.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, ka deklaruar ditë më parë se në përpjekje për të vënë drejtësinë në vend dhe për të zbardhur të vërtetën, Qeveria e Kosovës ka dërguar një letër drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Nënkryetare e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës.
“Në këtë letër, kemi kërkuar:
- Hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave shtetërore të Serbisë, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve.
- Bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë.
- Llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj”, ka deklaruar Hoti.
Këto kërkesa mund të konsiderohen të drejta, pasi për fat të keq, në të kaluarën, në vend se të kërkohej fuqishëm drejtësi për krimet dhe gjenocidin që Serbia e ka kryer në Kosovë, janë bërë kompromise e marrëveshje që e kanë dëmtuar shtetësinë!
Enver Duriqi dhe Bajram Qerkini dhanë një kontribut të çmuar në dokumentimin e krimeve të luftës dhe vdekja e tyre i lë një boshllëk të madh në këtë proces.
Sikurse edhe shumë shqiptarë të tjerë, ata ishin dëshmitarë të drejtpërdrejtë të gjenocidit serb mbi popullatën e pafajshme shqiptare.
Ky fakt i jep një ngarkesë edhe më të madhe procesit të drejtësisë, pasi dëshmitarët e gjallë mund të jenë të pakët.
Për këtë arsye, është e domosdoshme të ruhet kujtesa dhe të mblidhen sa më shumë prova.
Në këtë periudhë, kur dëshmitarët po vdesin, shumë të dhëna dhe prova mund të humbasin për shkak të kalimit të kohës.
Për këtë arsye, duhet të ekzistojnë përpjekje të vazhdueshme për të mbështetur dhe mbrojtur ata që kanë dëshmuar dhe që mund të japin dëshmi për gjenocidin që Serbia e ushtroi në Kosovë.
Edhe pse ka pasur disa përpjekje ndërkombëtare dhe vendore për të ndihmuar në zbardhjen e krimeve të luftës, ende mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim.
Andaj, është në dorën e institucioneve të Kosovës që të mos heqin dorë, me asnjë kusht nga kërkimi i drejtësisë, derisa Serbia të marr dënimin e merituar.