Në shumicën e vendeve perëndimore, kreu i shtetit zgjidhet nga qytetarët. Kjo nuk do të thotë se Kosova do të bëhet republikë presidenciale. Parlamenti do të ketë të njëjtin funksion politik, por zgjedhja e kreut të shtetit nga qytetarët i jep shtetit një hallkë tjetër efikase në kontrollin e pushteteve dhe garantimin e demokracisë.
Presidenti i Republikës së Kosovës duhet të zgjidhet direkt nga vota e lirë e popullit, pasi ai është faktori politik që është jashtë politikës partiake. Në gjendjen e sotme, presidenti propozohet dhe zgjidhet nga partitë politike në Kuvend, dhe ndaj është në dorën e tyre. Presidenti duhet të përfaqësojë popullin direkt, pasi ai president që zgjidhet nga vota e lirë e popullit është edhe ai që do ta ruajë drejtësinë në vend.
Mënyra që kryetari të zgjidhet nga populli është e domosdoshme për të pasur një kryetar të shtetit me një personalitet të shquar dhe kapacitet, pse jo një njeri të shquar me tituj shkencorë dhe akademikë, jo një president që është pjesë e një partie dhe që bën fushatë për atë parti.
Edhe një vit, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse partitë politike nuk unifikohen rreth një emri për president të vendit.
Sa herë që vjen koha për zgjidhjen e presidentit, me të drejtë opinioni publik shqetësohet, sepse krizat politike zëvendësojnë njëra-tjetrën. Dhe ndonjëherë nuk janë të mjaftueshme as zgjedhjet e reja. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, se dy herët e para të votimit duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë (pra 2/3 e deputetëve), aq sa duhen për ta zgjedhur presidentin, e bën këtë një mision shumë të vështirë për Kuvendin.
Për të mos pasur kriza të tilla, duhet që presidenti të zgjidhet nga populli, duke përfaqësuar më së miri misionin e tij si përfaqësues i vullnetit të qytetarëve.