Liria ka edhe çmim, e jo vetëm emër!

Opinione

Liria ka edhe çmim, e jo vetëm emër!

Nga: Fatmir Bajraj Më: 26 shkurt 2025 Në ora: 17:26
Autori Fatmir Bajraj

Ra perdja: Lirisë i jep emër ai që pagoi çmimin e saj, dhe jo ai që përvetëson nga çmimi i paguar prej tjerëve.

Nuk thoshte kot presidenti Rugova:

"Falë sakrificës sonë ndër breza, zotit në qiell, dhe zotit në tokë – Amerikës, sot jemi të lirë, në tokën tonë dhe truallin e të parëve, në Dardaninë Antike – Kosovë."

Pas një çerek-shekulli me abuzimin me termin "Liria ka emër", duke i atribuar "vetes" si meritë të "pushtimit" të lirisë, jo vetëm si nocion, por edhe si dimension dhe përmbajtje, nga ana e një grupi të organizuar kriminal, të infiltruar dhe të katapultuar në organizimin dhe drejtimin e luftës së UÇK-së;

Asli:

Në abuzimin dhe keqpërdorimin e fondeve, personalizimin dhe përvetësimin e meritave, si dhe privatizimin, jo vetëm të aseteve nacionale, por edhe të vetë lirisë, ky narracion u pagua shtrenjtë me vrasjet politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë 98/99!

Këta "krerë" pandehnin:

"Ne e bëmë luftën, ne e çliruam, dhe ne menaxhojmë me fatin e vendit dhe të qytetarëve të këtij vendi, përfshi jetët tuaja individuale, pra thjesht: jemi padronët e vërtetë të kësaj që gëzojmë sot – lirisë."

Për kujtesë:

Presidenti Klinton, në vizitën e parë në Kosovën e çliruar, pati deklaruar:

"Ne, (aludimi në Amerikën në krye të aleatëve në NATO), e çliruam Kosovën, derisa ju, ndërtojeni paqen." Ishte porosia, përgjigje jo shumë diplomatike, por e imponuar dhe imediat, abuzuesve të situatës së re, pas çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999.

Më kot, vite më pas, James Rubin u kërkonte "padronëve" të lirisë që të heqin dorë dhe të tërhiqeshin nga politika, edhe pse ishte bërë vonë dhe pas shumë dëmeve të shkaktuara vendit. Një thirrje e tillë u injorua, sepse vetëm përmes politikës ia dolën të "notonin" mbi dëmet dhe padrejtësitë e shkaktuara kombit dhe atdheut!

PS:

Bota po ndryshon, madje me shpejtësinë e dritës, dhe neve na gjen në shpejtësinë e breshkës, dhe një fakt i tillë na përballë me këto zgjidhje:

Të zëmë hapin me ata që diktojnë ritmin e shpejtësinë, apo të shkilemi nga "qizmja" që kalon mbi "trupin" tonë, por pa shpresë për ringjallje dhe ringritje!

Një gjë e di:

Me logjikën sovraniste, lojën e sentimenteve absurde populiste dhe kategoritë morale-anakronike, siç janë: sovraniteti, dinjiteti, identiteti dhe integriteti i një populli dhe i një kombi, thuajse jemi fuqi berthamore dhe vetë kërthiza e botës, ndërkohë që realisht, jemi vetëm hiç prej hiçi në këtë botë të ekspansionit marramendës, nga thermi i atomit e deri te inteligjenca artificiale. Mundemi vetëm të vazhdojmë të mashtrojmë vetën, të hipnotizojmë një shoqëri, por pa i ofruar zgjidhje, dhe duke i humbur jo vetëm fijën, por edhe lamshin kombit dhe atdheut.

Është kohë reflektimi dhe inercioni që të dalim nga kjo letargji mbytëse dhe asgjësuese për shoqërinë dhe shtetin tonë të pavarur, Republikën e Kosovës!

Si të arrijmë deri aty:

Ata që deri dje kanë vjedhur dhe vrarë atdheun për pushtetin e tyre të pa kufizuar, të ikin dhe të heqin dorë nga pretendimet në lidership!

Ata që dje dhe sot kanë ndjekur të njëjtën logjikë, por kanë ndryshuar vetëm në gjuhë dhe në ndonjë rast në mjete dhe metoda, por jo edhe në qëllim, kanë dëmtuar jashtëzakonisht vendin, dhe mbi të gjitha:

Ata të cilët janë në pushtet në 5 vitet e fundit, dhe për këtë kohë, e kanë polarizuar shoqërinë dhe kombin, e kanë vjedhur dhe zhvatë buxhetin e shtetit deri në rezervat shtetërore, e kanë izoluar vendin dhe e kanë futur vendin nën sanksione, dhe mbi të gjitha, e kanë larguar vendin nga orientimi perëndimor, duke e armiqësuar me Perëndimin dhe Amerikën, si sponzorin e lirisë dhe shtetit tonë të pavarur, të ikin nga "qeverisja" e vendit, dhe kështu t’i hapet rruga një perspektive të ndritshme, si alternativë e vetme dhe imediate për Republikën e Kosovës.

Aman, shkoni, madje sa më larg atdheut dhe fateve tona, të cilat i keni dëmtuar shumë rëndë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat