Sipas gjykimit tim takimi Trump-JD Vance-Zelensky më 28.02.2025 në Uashington, i përcjellë live, kur mund të zhvillohej pa praninë e kamerave e të mikrofonëve, me atë që u pa dhe dëgjua, ishte manifestim i prepotencës dhe arrogancës prej përfaqësuesve të një superfuqie ndaj presidentit të një vendi më të vogël e në gjendje kritike! Mund të interpretohet dhe mendohet edhe si një leksion ndaj të gjithë vendeve të tjerë, sidomos atyre më të mëdha në BE e më të vegjëlve, mes të cilëve janë edhe Shqipëria e Kosova. Jo për vetëmburrje, por për objektivitet e saktësi, unë jam shprehur me kohë, bile qysh më tetor 2016 në një opinion të botuar në “GAZETA SHQIPTARE”, para se Donald Trump të fitonte mandatin e parë: ai do të jetë i suksesshëm dhe i mirë vetëm për AMERIKËN, Izraelin dhe për...Rusinë!
Këtë bindje e kam rishprehur edhe në fillim nëntor 2024! Në mendje e disa edhe publikisht kam shtruar edhe pyetjet: Përse Trump luajti në mandatin e parë dhe po luan kaq hapur në favor të Rusisë edhe në javët e para të mandatit të dytë? Përse e trajtoi si shërbëtor Zelenskyn, sa befasoi dhe lumturoi jo vetëm Putinin e Medvedevin, por edhe Lukashenkon, Vuçiçin, Kim Jong un-inv, Xi Jinping, Presidentin e Kinës, i cili edhe më 24 shkurt 2025, rikonfirmoi partneritetin “pa kufij” me Putinin, Ali Khomenein e Iranit...! Përgjigja mund të kërkohet edhe gjendet edhe tek ngjarje apo thashetheme të rreth 40 viteve më parë. Ndoshta është edhe ajo që është thënë e shkruar, edhe në mediat amerikane: "Trump është biznesmen i suksesshëm, por politikan mediokër..."?
Por, me sa kuptohet, jo pak veprime të Trump në 4 vitet e mandatit të parë e në këto javë të mandatit të dytë përforcojnë dyshimin se nuk është thjeshtë një sajesë apo një përrallë ajo çka thuhet në një intervistë botuar në mes vitin 2016 në disa media amerikane, edhe në “ The New Republic”, të një drejtuesi të lartë të KGB- së, emigrant politik prej 20 vitesh në SHBA? Sipas intervistës së tij, ribotuar edhe në gazetën e Tiranës “Mapo”, më 22/08/2018,, biznesmeni Trump mund të jetë "peng" i qejfeve dhe flirteve me rusianka të reja e të bukura në disa klube nate dhe hotele për biznesmenë shumë të pasur të Shën Petersburgut në fund vitet 1980...!!!???
Kjo përrallë, legjendë apo e vërtetë është trajtuar gjërësisht nga Craig Unger në librin e tij, “American Kompromat, Si KGB kultivoi Donald Trump”. Unger është një gazetar dhe autor i gjashtë librave, duke përfshirë bestsellerët e New York Times House of Bush, House of Saud, House of Trump, House of Putin...! Këtë histori apo sajesë e ka vazhduar edhe ish-kryetari i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kazakistanit (KNB), Alnur Mussayev, i cili në vitin 1987, ka shërbyer në Drejtorinë e Gjashtë të KGB-së në Moskë. Në informacionin e tij të zgjeruar të përhapur edhe pak ditë më parë në facebook, ndarë e përhapur në faqet e tyre edhe nga plot të tjerë nëpër botë, si edhe në Kosovë. Mussayev pretendon se “KGB-ja sovjetike rekrutoi Donald Trump përpara rënies së Bashkimit Sovjetik, duke i caktuar atij pseudonimin Krasnov...”!? Në këtë shkrim ai jep detaje, data e hollësi për operacionin e rekrutimit të Donald Trumpit, kur si biznesmen rreth 35-38 vjeçar ishte vizitor i shpeshtë edhe i hoteleve dhe klubeve të natës në Moskë e Shën Petersburg...
Duke mos e dëshiruar kurrë e aspak që kjo të jetë e vërtetë, edhe më shumë një përplasje masive ushtarake Perëndim-Rusi, përsëri nuk mund të mos e shpreh pyetjen: përse e gogolizojnë, e mbivlerësojnë dhe e kanë kaq shumë frikë Rusinë e këtyre viteve Biden, Trump dhe disa liderë të BE-së? Vërtetë ajo ka ushtri të madhe dhe armatime të sofistikuara e shkatërruese, por nga konsumimi tre vjeçar ushtarak, ekonomik, njerëzor, moral...në frontin e Ukrainës nuk është e aftë të përballojë gjatë aleancën ndjeshëm superiore të NATO-s si dhe SHBA e BE! Përse Trump, JD Vance e të tjerë në Uashington dhe Bruksel bëjnë sikur nuk e kuptgojnë dhe shikojnë se Luftën e Tretë Botërore ka 3 vjet që e ka nisur Rusia! Ukraina vetëm po mbron veten dhe ka ndalur përparimin e ushtrisë ruse drejt Evropës Perëndimore, sidomos drejt Gjermanisë dhe Francës! Qëndrimi, reagimi dhe frazeologjia e presidentit dhe zv.presidentit të SHBA është e kuptueshme: Amerika është AMERIKË dhe E PARA! Nga sa u duk dhe u shpreh, qëndrimi, përtej vetëpërmbajtjes, ftohtësisë dhe etikës diplomatike dhe “dushi me fjalë” ndaj Zelenskyt, ishte "dhuratë" apo fitore për Putinin dhe Rusinë!
2- Nga sa pashë e dëgjova në atë takim unë, si SHQIPTAR, përfytyrova me shumë shqetësim Albin Albin Kurtin në vend të Zelenskit dhe Kosovën në vend të Ukrainës! Mendova se një ditë jo të largët mund t'i thotë Albinit: "prano asociacionin e jepi Serbisë Trepçën e Ujmanin, që së bashku me Rusinë mos ta sulmojnë Kosovën me ushtri e të na rrezikojnë të niset Lufta e tretë Botërore!? Por, siç e dinë shumë mirë edhe në Beograd, Moskë, Uashington, Bruksel, në të vërtetë e në të drejtë, Kosova nuk ka asnjë metër katror tokë e liqen për të shkëmbyer! Serbia i ka rrëmbyer me ushtri dhe masakra masive makabre dhe i takon me i kthye Kosovës mijëra kilometra katrorë! Edhe Plani Ahtisaari i fali plot të drejta, shumica të tepruara apo të pamerituara! Kjo do të ishte MARRËVESHJE E DREJTË mes Kosovës dhe Serbisë! Nëse Trump sillet si më 28 shkurt 2025 me Zelenskin dhe Ukrainën edhe me Albin Kurtin dhe Kosovën, disa javë apo ditë më vonë, atëherë mund të mendohet dhe thuhet se TRUMP edhe në mandatin e dytë do të jetë i mirë vetëm për AMERIKËN, Izraelin, Rusinë, Serbinë...!? Frika për një takim dhe vendim të tillë nuk mund të përjashtohet kategorikisht apo 1000%! Për këtë na ndihmon edhe kujtesa, duke u rikthyer vetëm 5 vjet prapa. Siç dihet në harkun kohor mars-qershor 2020, Presidenti Donald Trump, duke pasur pranë tij edhe Richard Grenell, ndikoi ndjeshëm apo ishte vendimtar për miratimin në parim të një marrëveshjeje njohjeje reciproke, me kusht parësor shkëmbimin e territoreve, mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi...!?