Zgjedhjet në Kosovë dhe vota e diasporës

Opinione

Zgjedhjet në Kosovë dhe vota e diasporës

Nga: Nexhmije Mehmetaj Më: 1 mars 2025 Në ora: 11:05
Nexhmije Mehmetaj

Askush nuk ka investuar në Kosovë më shumë sesa diaspora shqiptare, si para lufte ashtu edhe pas saj. Me ndihma financiare të vazhdueshme, me remitanca që kanë mbajtur gjallë ekonominë e Kosovës dhe me mbështetje të gjithanshme për zhvillimin e vendit, diaspora ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e progresit. Megjithatë, përkundër kontributit të jashtëzakonshëm që ka dhënë ndër dekada, kërkesa kryesore e mërgimtarëve – institucionalizimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër dhe vendet e tjera evropiane – ka hasur në vesh të shurdhër nga të gjitha qeveritë e Kosovës.

Për më shumë se tri dekada, ishin mësuesit dhe prindërit shqiptarë ata që vetorganizuan dhe financuan shkollat shqipe në mërgim. Me përkushtim dhe sakrificë, ata bënë të mundur që fëmijët e tyre të mësonin gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë kombëtare, në mënyrë që kur të ktheheshin në atdhe të mund të komunikonin lirshëm me gjyshërit dhe bashkëmoshatarët e tyre. Por përpjekjet e tyre, që do të duhej të mbështeteshin fuqishëm nga institucionet shtetërore të Kosovës, kanë mbetur të injoruara dhe të pa përkrahura.

Një ndër shpresat më të mëdha për diasporën ishte premtimi i dhënë nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila në korrik të vitit 2021, gjatë një takimi me mësuesit e gjuhës shqipe nga Zvicra, Gjermania etje. u zotua se në vitin 2023 mësimi plotësues i shqipes do të institucionalizohet. Ky premtim ishte një dritë në fund të tunelit për të gjithë ata që për vite të tëra kishin kërkuar me ngulm një angazhim serioz të shtetit në këtë çështje jetike për ruajtjen e identitetit kombëtar në mërgim. Megjithatë, ajo që pasoi ishte zhgënjimi i radhës: nuk u hartua asnjë ligj për diasporën, nuk u zhvillua asnjë negociatë me shtetin zviceran për të rregulluar statusin e mësimit shqip në mënyrë të qëndrueshme dhe asnjë hap konkret nuk u ndërmor për të mbajtur premtimin e dhënë.

Kjo neglizhencë ka dëshpëruar prindërit, mësuesit dhe nxënësit, të cilët ndihen të tradhtuar nga institucionet e Kosovës. Për më tepër, është ironike dhe e pakuptueshme se si diaspora shqiptare vazhdon të mbështesë me votë një qeveri që nuk ka bërë asgjë për ta, përkundrazi ka injoruar kërkesat e tyre legjitime. Vota e diasporës ka qenë shpesh vendimtare në zgjedhjet e Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin e qeverisë. Dhe megjithëse kjo votë është një reflektim i përkushtimit dhe dashurisë së shqiptarëve të mërgatës për vendin e tyre, mbetet e habitshme se si ende nuk kërkohet llogari nga ata që kanë ardhur në pushtet falë kësaj mbështetjeje.

Ndërsa Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të vitit 2025, është koha që diaspora të reflektojë seriozisht mbi ndikimin e votës së saj. A mund të vazhdojë të mbështesë një qeveri që i ka zhgënjyer dhe nuk ka bërë asgjë për të realizuar kërkesat e tyre të kahershme? A mund të pranohet që sakrificat e mërgatës të mbeten të pavlera në sytë e institucioneve të Kosovës? Nëse vota e diasporës vazhdon të përdoret për të forcuar një qeveri që nuk i përmbush premtimet, atëherë zhgënjimi do të thellohet edhe më tej, dhe mërgata mund të ndjejë një shkëputje gjithnjë e më të madhe nga vendi i saj.

Koha për ndryshim është tani. Vota e diasporës duhet të jetë një mjet për të kërkuar përgjegjësi dhe jo thjesht një mbështetje emocionale pa kushte. Përndryshe, mërgata rrezikon të mbetet vetëm një burim financiar për Kosovën, pa asnjë ndikim të vërtetë në politikat që e prekin drejtpërdrejt atë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat