Sot, më 2 mars 2025, në varrezat e fshatit Nepole të Pejës, mes dhimbjes dhe pikëllimit, iu dha lamtumira e fundit Leze (Nikolla) Krasniqit, një gruaje fisnike dhe bujare, e cila ndërroi jetë më 26 shkurt 2025 në Zvicër. Në këtë ditë mortore, për t’i dhënë nderimet e fundit, u mblodhën familjarë, të afërm, miq dhe bashkëkombës nga Nepolja, Gjakova, Klina, Lugu i Drinit, Dukagjini dhe mërgata shqiptare nga Zvicra. Ata i qëndruan pranë familjes Krasniqi, duke ndarë me ta dhimbjen e madhe të kësaj humbjeje të pazëvendësueshme.
Ceremonia mortore nisi në kapelën e Kishës Katolike pranë varrezave të Nepoles, sipas traditës shqiptare. Ajo u drejtua nga meshtari don Samuell Ramaj, famullitar i Kishës Katolike të Gllogjanit.
Lezja lindi dhe u rrit në një familje të njohur në Klinë, ku u edukua me virtytet më të larta familjare dhe me dashurinë për familjen të afërmit dhe kombin. Që në fëmijëri, ajo u dallua për urtësinë dhe mirësinë e saj, duke qenë një mbështetje e madhe për prindërit, familjen dhe rrethin ku jetonte. Ajo vinte nga një familje me tradita të forta patriotike dhe kombëtare.
Babai i saj, Pren Nikolla, ishte një burrë i urtë dhe autodidakt, njohës i thellë i historisë, veçanërisht i Ballit Kombëtar, që në Kosovë drejtohej nga Nue Përlleshi, së bashku me Marije Shllakun, Shaban Demën dhe Nrecë Nikollën – ky i fundit ishte vëllai i Prenit dhe xhaxhai i Lezës.
Lezja ishte e martuar në fshatin Nepole me Tunë Krasniqin (i ndjerë, varrosur në Zvicër më 2010), bir i familjes së nderuar të Zef Smajlit-Krasniqi, e njohur në trevën e Dukagjinit për fisnikëri, atdhetari dhe burrëri. Së bashku, për dekada me radhë, ndërtuan një familje të shëndoshë, të ndershme dhe të respektuar, duke e bazuar jetën e tyre në punë, përkushtim dhe vlera të larta morale.
Për më shumë se pesë dekada, Lezja dhe Tuna jetuan dhe vepruan në Zvicër, duke ndërtuar një jetë të ndershme, por pa harruar kurrë rrënjët, gjuhën dhe identitetin kombëtar. Ajo ishte një nënë e përkushtuar, e gatshme të sakrifikonte gjithçka për t’u siguruar fëmijëve të saj një të ardhme më të mirë. Ajo, la pas vetës gjashtë fëmijë: Martinin, Dushen, Gjysten, Tonin, Lizen dhe Robertin, të cilët, me nder e krenari, do ta ruajnë kujtimin e saj dhe do të ndjekin rrugën e ndershme që ajo u trasoi. Përveç fëmijëve, ajo la pas edhe shumë nipa e mbesa, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë për këshillat e saj të mençura, përzemërsinë dhe dashurinë e pashoqe.
Në këtë ditë lamtumire, të pranishmit në ceremoninë mortore dëshmuan dashurinë dhe respektin e madh që Lezja kishte fituar në mesin e familjarëve, miqve dhe gjithë atyre që patën fatin ta njihnin. Për shumëkënd, Lezja nuk ishte thjesht një grua e zakonshme, por një simbol i mirësisë, urtësisë dhe përkushtimit të pashoq ndaj familjes, farefisit dhe kombit.
Largimi i saj la një boshllëk të madh, por vlerat dhe kujtimi i saj do të mbeten të pavdekshëm.
Në përmbyllje, me shumë bindje na këndveshtrimi im e them se Lezja nuk ishte vetëm një nënë dhe bashkëshorte, por një grua fisnike dhe bujare, me një vizion të qartë, një shtyllë e fortë e familjes dhe një mbështetje e pathyeshme për të gjithë ata që kërkonin fjalën e saj të urtë.
Lavdi jetës dhe veprës së saj fisnike, humane dhe bujare. Pushoftë në paqe, dada Leze!
