Nga po shkon bota me Presidentin Trump drejt luftës së përgjithëshme apo drejt paqes së qëndrurshme?

Opinione

Nga po shkon bota me Presidentin Trump drejt luftës së përgjithëshme apo drejt paqes së qëndrurshme?

Nga: Ejup Berisha Më: 3 mars 2025 Në ora: 09:52
Autori Ejup Berisha

Pas ndryshimeve të fundit tektonike të politikës së jashtme amerikane me ardhjen e Presidentit të ri të vjetër në krye të administratës amerikane, Donald Trump, a po shkon bota drejt paqes së përgjithshme apo drejt konfrontimeve plotësuese? Kjo është një çështje që ditëve të fundit po dominon debatin ndërkombëtar. Disa komentues thonë se bota po rrëshqet drejt të keqes, luftës, ndërsa disa të tjerë besojnë se ajo do të shkojë drejt stabilizimit dhe zgjidhjes së situatave delikate ndërkombëtare. Sikur njerëzit ta kishin sensin e të bërit të paqes, nuk do të ekzistonte ajo më e keqja, më e papranueshmja dhe më shkatërrimtarja: lufta.

Kjo e fundit thuhet se është pamundësim i paqes. E paqja është dhënia e rëndësisë apo përparësisë dialogut, respektit të ndërsjellë, dashurisë mes njerëzve dhe bashkëpunimit ndërmjet tyre. Porosia e atyre që e duan paqen është që mos t’u jepet përparësi mosmarrëveshjeve, urrejtjeve dhe konfrontimeve. Lufta është një gjë e tmerrshme, thonë ata që e kanë përjetuar atë. Të bëhet përpjekje për dominimin e paqes dhe sigurisë, porosin disa që i duan këto dy gjendje të pranueshme dhe të pëlqyeshme. Mirëpo, ndonjëherë dominojnë ata pak njerëz që e duan apo e parapëlqejnë diktatin dhe dominimin ndaj të tjerëve, gjendje që sjellin mospajtime, përçarje dhe, në shkallë të fundit, edhe konflikte. Këta, pra, edhe pse janë të pakët në numër, çuditërisht arrijnë ndonjëherë të dominojnë në arenën ndërkombëtare, duke i diktuar kushtet e raporteve mes shteteve dhe kombeve.

Ku jemi ne në konstelacionin e raporteve të krijuara së fundmi? Fatkeqësisht, ne si rajon, por edhe si kombe, jemi në fund të debatit rreth ngjarjeve botërore. Neve, pra, askush asnjëherë nuk na ka pyetur dhe nuk na pyet për asgjë. Fjalën kryesore, se a do të ketë paqe apo luftë, gjithmonë e kanë ata të mëdhenjtë apo ata që e kanë në posedim fuqinë. Këta i kanë arrën dhe çekanin në duar. Botën e udhëheqin ata, dhe shtetet e vogla si këto tonat në Ballkan dhe gjetiu nëpër botë duhet t'u nënshtrohen vullnetit të diktatit të tyre. Pas ngjarjeve të fundit në SHBA, me ndryshimin drastik të kursit të politikës së jashtme amerikane nga Presidenti i ri i vjetër Trump, krijohet përshtypja se askush nga kombet e vogla më nuk e gëzon sigurinë për paqen dhe qetësinë që e kishin deri tani nga vetë Amerika. Në botë ka filluar të dominojë frika e të gjithëve nga të gjithë, apo ka filluar të dominojë pasiguria e përgjithshme.

Dhashtë Zoti që ky qëndrim i Presidentit Trump të mos i trimërojë shtetet që kanë synime territoriale dhe grabitqare, që të fillojnë ekspansionin e tyre ndaj territoreve të shteteve të tjera. Kjo do t’i bënte të pashmangshëm mospajtime, fërkime dhe konflikte. Meqë Presidenti i SHBA-ve nuk e ka shpjeguar plotësisht politikën e jashtme amerikane, parashtrohet pyetja se nga do të shkojë bota: drejt stabilizimit apo drejt destabilizimit të përgjithshëm? Gjithashtu, parashtrohet edhe një pyetje tjetër më e rëndësishme: Athua vallë njerëzimi është në rrezik të madh, apo do ta arrijë gjendjen më të mirë të mundshme, stabilizimin? Pavarsisht ndodhive në skenën ndërkombëtare, më mirë është të dominojë paqa sesa lufta.

Më mirë gjatë kohës të bisedohet dhe të dialogohet sesa shumë shkurt të luftohet. Botës dhe njerëzve nuk u duhen armiqësi dhe konflikte të reja, por u duhen vendosja e urave të bashkëpunimit dhe të respektit të ndërsjellë, të cilat sigurojnë zhvillim dhe përparim. Por pas takimit të fundit në Uashington, mes Presidentit dhe Zëvendës Presidentit Amerikan, me Presidentin e Ukrainës, duket se kemi një krizë në raportet mes SHBA-ve dhe shteteve europiane. Apo në raportet mes tyre do të dominosë ajo gjendje që Henry Kissinger më herët e ka paralajmëruar si ekzistencë të luftës së ftohtë mes SHBA-ve dhe aleatëve të saj nga Evropa.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat