Në 27-vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, përkujtim për Kongresmenin Tom Lantos

Opinione

Në 27-vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, përkujtim për Kongresmenin Tom Lantos

Nga Më 3 mars 2025 Në ora: 10:02
Autori Hafiz Shala dhe konkresmeni Tom Lantos

Më 28 shkurt të vitit 1998, Serbia, e frustruar dhe duke mos u përmbajtur nga urrejtja ndaj çdo gjëje shqiptare, nga nervoza dhe habia me paraqitjen një vit më parë të UÇK-së, më 28 nëntor të vitit 1997 në fshatin Llaushë të Skenderajt, duke menduar se do të nxisë frikë ndaj popullit shqiptar, ndërmori një ofanzivë me tërë arsenalin ushtarak ndaj civilëve të pambrojtur.

Po atë vit, 1997, dy ditë më parë, ushtria serbe vrau në mënyrë tinëzare mësuesin e shkollës së Llaushës, Halit Geci.

Në ceremoninë e varrimit të mësuesit, më 28 nëntor 1997, UÇK-ja përmes një Deklarate të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vendosi që ta bëjë për herë të parë publike ushtrinë nga vetë ushtarët e UÇK-së.

Me sulmin ndaj Likoshanit dhe Qirezit, paralajmëroi spastrim etnik gjithçka që është shqiptare, duke i shkelur të gjitha Konventat Ndërkombëtare për përdorim të forcës ndaj civilëve të pambrojtur.

Po atë vit, pas asaj masakre, me kërkesën e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e njohur si Lobi Shqiptar në SHBA, i vetmi i regjistruar në Washington DC, e udhëhequr nga ish-Kongresisti dhe njëherazi Kryetar i Ligës, Joe DioGuardi, bashkë me bashkëshorten e tij zonjën Shirley Cloyes Dioguardi, e cila është Këshilltare për çështje të Ballkanit, u mbajt një dëgjim në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan.

Nën udhëheqjen e Kongresmenit Tom Lantos, nga San Francisco, të Kalifornisë, njëherazi edhe Kryetar i këtij Komiteti, i njohur edhe si shampion për të drejtat e njeriut, një hebre me origjinë hungareze, i lindur në Budapest më 1 shkurt 1928, përjetues i Holokaustit, i cili e humbi familjen nga Gjermania naciste, sikurse shumë hebrej gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në shenjë respekti për kontributin e tij shumë të çmuar për çështjen shqiptare, veçanërisht asaj kosovare, e meriton një mirënjohje të veçantë nga shqiptarët kudo që ndodhen, brenda e jashtë atdheut, i cili ishte një zë shumë i fuqishëm nga një High Ranking Congressman, që do të thotë një njeri me respekt të lartë në këtë post për një periudhë të gjatë, nga viti 1981 deri në vitin 2008, deri në vdekjen e tij.

Për seancën dëgjimore, nga Kosova na arritën fotografi trishtuese nga ajo masakër, të cilat ia ofruam zotit Lantos në panelin e kryesuesit të Komitetit, i cili, nga emocionet si përjetues i Holokaustit, nuk u përmbajt nga lotët. Ishim dëshmitarë të këtij momenti prekës për të gjithë, ku e vërejtëm gjatë qëndrimit në sallë, ku mbahej dëgjimi në rreshtat e parë.

Kongresmeni Lantos, në udhëtimin historik të tij bashkë me zotin Dioguardi në Kosovë dhe Shqipëri, duke takuar udhëheqës të atëhershëm të Kosovës, zotin Ibrahim Rugova dhe intelektualë të tjerë, pastaj edhe vizita në Shqipëri ku u takuan Kryetarin Ramiz Alia, nga i cili, pas një bisede të gjatë, morën premtimin për një hapje të re ndaj SHBA-ve për herë të parë dhe shenja për një tranzicion paqësor nga ish-regjimi komunist te organet demokratike.

Ishte lobues dhe zë i fuqishëm për të drejtat e shkelura shqiptare nga regjimi diktatorial e policor serb.

Fjalimi i tij i zjarrtë në seancat e Kongresit ndikoi në rritjen e shumë përkrahësve nga kolegët e tij nga të dy krahët partiakë, demokratë e republikanë.

Prandaj, bashkë me ish-Senatorin Joe Biden, sot Kryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i dhanë tonin e merituar politik, por edhe ndikim në marrjen e vendimeve shtetërore, veçanërisht kur ishte në pyetje marrja e vendimit për bombardimin e Serbisë nga forcat Verioatlantike, NATO, për largimin e forcave ushtarake, policore e paramilitare, duke i shpëtuar qytetarët shqiptarë nga masakra e përgjithshme gjenocidale, e pastaj edhe përkrahja e pavarësisë së Kosovës dhe demokratizimit të Shqipërisë.

Me qëllim e theksova rolin dhe kontributin e këtij miku të madh të shqiptarëve, humanistit dhe demokratit të njohur, si përkrahës i çështjes, jo vetëm shqiptare, por edhe të gjithë popujve nën regjimet diktatoriale, i cili është shpërblyer me shumë dekorata dhe mirënjohje për kontributin e tij të lartë e të palodhshëm.

Me humanitetin e tij të pashembullt në cilësinë e Kongresmenit, si shumë kolegë të tjerë, janë pasqyrë dhe shpresë e demokracisë amerikane si shampione e botës, nga e cila kishin marrë përkrahje të parezervë të gjitha vendet në tranzicion dhe zhvillim.

Prandaj, populli i Kosovës është më fat që ka krijuar marrëdhënie të përhershme me një aleat më të fuqishëm në botë, të cilin duhet ta respektojë, t’i dëgjojë këshillat dhe sugjerimet si kusht i zhvillimit, përparimit dhe sigurisë kombëtare dhe respektit nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi në shenjë përkujtimi nga kjo masakër në zemër të Drenicës nga ana e regjimit të Millosheviçit, sot, kur Evropa përmes të dërguarit special për bisedime Kosovë-Serbi (Evropa i quan në mes Prishtinës dhe Beogradit), që nënkupton se nuk e njohin shtetin e Kosovës pasi 5 shtete të saj ende nuk e kanë njohur.

A do të thotë kjo se BE-ja nuk e njeh gjenocidin përmes masakrave deri në format e Holokaustit, siç ishin djegjet e kufomave në shkritoret e Trepçës dhe atyre nëpër shkritoret e Serbisë, dhe hedhja në lumenjtë Danub e Tisë përmes kamioneve të transportuara deri te vendet ku mendonin se do t’i humbin tragjet e trupave të vrarë të të gjitha moshave dhe gjinive?

Çka kërkon zoti Lajçak për vizitë në Kosovë kur në këto momente nuk i kemi institucionet e konstituara, një Qeveri në detyrë dhe një në ardhje, me të cilët nuk mund të merret kurrfarë qëndrimi zyrtar, përpos nëse për qëllim e ka pasur ta mas pulsin apo një lloj provokimi për t’u bërë presion si Kryeministrit në ardhje, po ashtu dhe Presidentes në ardhje.

Ose, në momentin kur Izraeli e fton Kryeministrin në ardhje për të marrë pjesë në hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalemin Lindor, që konsiderohet pjesë e Palestinës, dhe letra e Presidentit turk Erdogan, i cili përputhët me atë të qëndrimit të BE-së e cila nuk pajtohet për një hap të tillë.

Kryeministri në ardhje, i gjendur në mes të vendimit të Administratës Trump, e cila vendosi sipas marrëveshjes së Uashingtonit dhe megjithatë në pritje të Administratës së Presidentit Biden, i cili në ndërkohë ka revokuar disa vendime nga ish Administrata Trump, duhet të vendosë përmes Parlamentit të Republikës së Kosovës, në konsultim me Administratën e Presidentit Biden.

Kosova është në një pozicion politik nga i cili varet se si do të dalë nga ky ngërç, nga i cili më së shumti do të humbë Kosova nëse nuk i përcjellë këshillat e Administratës së re të SHBA-ve.

Nëse e vendosë ambasadën në Jerusalem, Evropa, po ashtu edhe Turqia si aleat i Kosovës, do të ndihen të pakënaqur, duke mos u lëshuar në pasojat e mëvonshme.

Dorën në zemër, Evropa e ka humbur respektin e popullit të Kosovës duke e mbajtur padrejtësisht të mbyllur në geto, dhe njëherazi duke e përgëdhelur Serbinë agresore, e cila, deri sot, nuk ka kërkuar falje për zhdukjen e shqiptarëve, ngjashëm me atë që e bëri Hitleri ndaj hebrejve, kuptohet numerikisht shumë më të vogël, por me metoda të njëjta.

Në anën tjetër, nëse me vendosjen e ambasadës në Jerusalem, obligohet që edhe Serbia ta bëjë të njëjtën gjë, që të dy shtetet i përkeqësojnë marrëdhëniet me BE-në. Nëse Kosova nuk e bën këtë, Serbisë ia lehtëson pozicioni karshi BE-së, ndërsa, në këtë rast, Kosova është humbëse sepse, me humbjen e Izraelit, humb shumë përkrahje për njohje, duke e pasur parasysh ndikimin e shtetit të Izraelit në politikën ndërkombëtare.

Gjëja më fatlume do të ishte që SHBA-të dhe BE-ja të merren vesh për një strategji të përbashkët rreth problemit të vendosjes së ambasadave dhe marrëveshjes rreth bisedimeve Kosovë-Serbi.

Kushti i Kosovës për t’i filluar bisedimet me Serbinë, do të jetë, së pari, kërkimfalja për gjenocid ndaj Kosovës, pasi, udhëheqja në ardhje ka marrë votat e mbi 50% të popullit, i cili i ka obliguar që ky të jetë kushti fillimtar.

Evropa nuk ka të drejtë morale që udhëheqjes së re t’i kërkojë të heqë dorë nga kjo, që edhe Evropa ishte deshtë t’ia kërkojë të njëjtën gjë, pra, t’i kërkojë falje shtetit të Kosovës.

Vizita në varrezat e Qirezit dhe të Likoshanit nga ana e udhëheqjes në ardhje, zonja Osmani dhe zoti Kurti, është dëshmi se premtimi i dhënë popullit për këtë kusht, s’do të ketë heqje dorë.

Dhe për fund: Nëse Evropa ende nuk e ka kuptuar se kryetari aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si ish-ministër i informatave të Hitlerit të Ballkanit, Millosheviq, po mundohet që nën lëkurën e qingjit t’u shitet si qengj, që, në të vërtetë, është i njëjti sikur ish-bosi i tij më zemër dhe sjellje të një ujku të rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën, por për Evropën dhe më gjerë.

Nëse nuk bëhet diferencimi i vërtetë në mes të agresorit, në këtë rast Serbisë, dhe viktimës, Kosovës, marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke nuk do të ketë.

Megjithatë, një shpresë ekziston duke u bazuar në qëndrimet e Presidentit Biden përmes letrës së dërguar zonjës UD Presidente, ku kërkon marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke dhe, nën dy, deklarata e tij drejtuar Rusisë se Krimea kurrë nuk do të jetë pjesë e Rusisë, por pjesë e Ukrainës, dhe bombardimi ndaj milicisë iraniane në Siri, janë shumë domethënëse.

Presidenti Biden, ani pse ishte dy mandate nënpresident i Barak Obamës, ky, nuk do të qëndrojë pasiv.

Megjithatë, me ardhjen e Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë, e ardhmja e Kosovës është shpresëdhënëse.

Por, ne, duhet vetë t’i kryejmë detyrat e shtëpisë.

Hafiz Shala

New York

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat