Kur Trump ta “përzë” Vuçiqin nga Shtëpia e Bardhë...

Opinione

Kur Trump ta “përzë” Vuçiqin nga Shtëpia e Bardhë...

Nga: Faton Mehmeti Më: 3 mars 2025 Në ora: 15:50
Autori Faton Mehmeti

Paralajmërimi për takimin e të premtes mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyt askujt nuk do t’i kishte shkuar mendja për skandalin e pritur. Vetë Trump para takimit kishte deklaruar se: “Marrëveshja për mineralet do të nënshkruhet sot,” duke qenë i bindur se do të ndodhte marrëveshja.

Mirëpo, nikoqiri nuk u tregua mikpritës ndaj presidentit të Ukrainës mes debateve të ashpra, pasi presidenti Trump sulmoi vazhdimisht presidentin e Ukrainës dhe, rrjedhimisht, e amnistoi diktatorin rus Vladimir Putin. Presidenti Trump, në vend që të mbështeste Zelenskyn, e akuzoi atë se "Ju jeni duke luajtur me jetën e miliona njerëzve. Ju jeni duke luajtur me Luftën e Tretë Botërore", i tha para kamerave presidentit ukrainas.

Ky i fundit nuk kishte si të vepronte ndryshe përveçse të mbronte të vërtetën që e gjithë bota e di, përveç Putinit dhe Orbanit, se kush është agresori. A mund ta ketë të njëjtin fat edhe Kosova, kur një ditë Trump të akuzojë kryeministrin Kurti se "Jeni duke luajtur me jetën e njerëzve", pa akuzuar Vuçiqin dhe Serbinë për agresion?

Kështu duhet t’i thotë Trump Vuçiqit, njeriut që me shtetin e tij kanë kryer krimet më të mëdha në Evropë dhe që e mban ende rajonin të tensionuar. Trump e njeh pavarësinë e Kosovës, por është praktik që nënkupton se mund të pajtohet me çdo version që do të çojë deri te njohja e Serbisë për Kosovën, rrjedhimisht fundin e konfliktit shekullor shqiptaro-serb. Ideja për korrigjim, ndarje nuk është për t’u hedhur poshtë.

Shto këtu edhe Grenellin, etur për ndarje të Kosovës; rreziku për një skenar të tillë është më i mundur. Sot i ndodhi Ukrainës, e nesër mund t’i ndodhë Kosovës. Andaj, të jemi të gjithë bashkë për të mbrojtur sovranitetin e vendit. Trump çdo gjë e lidh me interesat e vendit të tij, por Kosova duhet të jetë e përgatitur për bisedime të vështira në Bruksel apo Shtëpinë e Bardhë për të mbrojtur sovranitetin e vendit të vet, të cilin e njeh edhe vetë SHBA.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat