Nga Giovanni Falcone te cirku i drejtësisë në Kosovë: Gjyqësori që luftoi mafian dhe Gjyqësori që mbron krimin

Opinione

Nga Giovanni Falcone te cirku i drejtësisë në Kosovë: Gjyqësori që luftoi mafian dhe Gjyqësori që mbron krimin

Nga: Gëzim Mekuli Më: 4 mars 2025 Në ora: 10:47
Autori Gëzim Mekuli

Në historinë e drejtësisë, pak emra qëndrojnë me aq nderë dhe guxim sa Giovanni Falcone, gjyqtari italian që u vra nga mafia më 23 maj 1992. Falcone nuk ishte një gjyqtar i zakonshëm. Ai ishte simbol i ndershmërisë, përkushtimit dhe kurajos për të përballuar krimin e organizuar, pavarësisht kërcënimeve ndaj jetës së tij. Ai bashkë me kolegun e tij Paolo Borsellino sfiduan "Cosa Nostran" në një kohë kur mafia kishte depërtuar thellë në politikë dhe në sistemin e drejtësisë.

𝐓𝐞̈ 𝐝𝐚𝐬𝐡𝐮𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,

Falcone nuk kërkoi rehati, luks e as pasuri. Ai nuk u shit për interesa të grupeve kriminale. Përkundrazi, ai punoi me përkushtim për të ndjekur penalisht bosët mafiozë dhe për t’i çuar pas hekurave. E pagoi këtë luftë me jetën e tij, por la një trashëgimi të pashlyeshme mbi atë se çfarë duhet të jetë një gjyqtar apo prokuror i vërtetë.

Si duhet të jenë gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë dhe Shqipëri?

Në kontrast të plotë me figurën e Falcones, drejtësia në Kosovë dhe Shqipëri është e kapur dhe në shërbim të politikanëve të korruptuar dhe grupeve kriminale. Në vend që të ndjekin mafian dhe të korruptuarit, shumë gjyqtarë dhe prokurorë në këto dy shtete tona janë kthyer në shërbëtorë të tyre. Në vend që të çojnë prapa hekurave ata që kanë shkatërruar vendin, ata bëjnë marrëveshje me ta, duke i amnistuar nga përgjegjësia penale.

Një prokuror ose gjyqtar duhet të jetë si Giovanni Falcone: guximtar, i paanshëm dhe i gatshëm të përballet me këdo që cënon ligjin dhe drejtësinë. Por çfarë ndodh në realitetin tonë? Për vite me radhë, drejtësia në Kosovë dhe Shqipëri ka vepruar si një mburojë për politikanët e korruptuar dhe kriminelët e fuqishëm ekonomikë. Ata që kanë vjedhur miliarda nga pasuria publike ecin të lirë, ndërsa drejtësia përdoret si një mjet për shantazh dhe eliminim politik.

𝐒𝐡𝐞𝐦𝐛𝐮𝐥𝐥𝐢 𝐬𝐤𝐚𝐧𝐝𝐚𝐥𝐨𝐳 𝐢 𝐠𝐣𝐲𝐤𝐚𝐭𝐞̈𝐬 𝐧𝐞̈ 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈

Një nga rastet më të freskëta dhe më të turpshme të drejtësisë së kapur në Kosovë është vendimi për të dërguar kryeministrin Albin Kurti si dëshmitar për një çështje joekzistente, pikërisht në prag të zgjedhjeve. Ky veprim është shembull i pastër i një gjykate që nuk funksionon si institucion i pavarur, por si një instrument politik në duart e ish-pushtetarëve të korruptuar. Kjo gjykatë, e cila për dekada ka heshtur përballë krimeve të rënda ekonomike, papritur "aktivizohet" për të goditur një politikan të pakorruptuar, vetëm për të ndikuar negativisht në fushatën parazgjedhore; pra i shpallë luftë demokracisë dhe qëllimeve progresive të Kryeministrit të Kosovës.

𝐓𝐞̈ 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,

Nëse një gjykatë do të ishte e ndershme dhe do të kërkonte vërtet drejtësi, ajo do të kishte nisur hetime për vjedhjet industriale të pasluftës, për privatizimet e dyshimta, për krimin ekonomik dhe për lidhjet mes politikës dhe mafias. Por kjo nuk ndodh. Përkundrazi, shohim një sistem drejtësie që mbron ata që kanë vjedhur popullin dhe ndëshkon ata që tentojnë të sjellin ndryshime.

Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi frikë, mbi shërbime ndaj politikës dhe mbi lidhje me krimin. Nëse Kosova dhe Shqipëria duan të kenë institucione të pavarura, atëherë duhet të mësojnë nga figura si Falcone. Duhet të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që nuk shiten për para, që nuk i shërbejnë kriminelëve, por që punojnë për të mbrojtur interesin publik.

Nëse drejtësia vazhdon të mbetet e kapur, atëherë nuk ka përparim. Nuk ka zhvillim. Dhe mbi të gjitha, nuk ka shpresë për brezat e ardhshëm. Historia na ka treguar se ndryshimi nuk vjen vetë. Ai duhet kërkuar, luftuar dhe mbrojtur me çdo kusht. Giovanni Falcone e bëri këtë dhe pagoi me jetën e tij. A do të kemi ndonjëherë një prokuror të tillë në Shqipëri dhe Kosovë? Deri tani, përgjigja është tragjikisht "Jo".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat