Kontrast: - Fushata zgjedhore në Kosovë dhe banaliteti i Edi Ramës në fushatën elektorale në Shqipëri!

Opinione

Kontrast: - Fushata zgjedhore në Kosovë dhe banaliteti i Edi Ramës në fushatën elektorale në Shqipëri!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 6 mars 2025 Në ora: 12:07
Albin Kurti dhe Edi Rama

Këtë vit ndodhi që Kosova të votojë e para dhe Shqipëria të shkojë në votime pas saj për zgjedhjet parlamentare në të dy vendet. Në Kosovë kishim një fushatë diçka më të tensionuar sesa në të kaluarën me gjuhë pak më të rënduar se herët e tjera. Në Shqipëri për të gjashtën fushatë zgjedhore kreu i mazhorancës qeverisëse, pra Edi Rama, përdor një gjuhë të egër, armiqësore, me urrejtje politike e më shumë se politike, me mllef dhe gjeste prej të çmenduri. Kryeministri i vendit tonë në çdo fjalë përdor dy fyerje të rënda kundër opozitës dhe Partisë Demokratike.

Në Kosovë janë vënë gjoba dhe janë marrë masa administrative sa herë që një nga eksponentët e subjekteve politike ka përdorur gjuhë denigruese për kundërshtarin e tij politik. Gjobë i është vënë edhe Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Kurti. Po ashtu dy subjekteve të tjera në opozitë. Në Shqipëri askush nuk mban përgjegjësi. Askush nuk përgjigjet e dënohet, sepse në Shqipëri ka rënë shteti. Gjithçka e ka emrin narko-shtet i Edi Ramës. As që kujtohet njeri së paku t’i vendosë një gjobë simbolike Edi Ramës, kur opozitën e quan kënetë me zhaba e zhapinj. Kur kryeministri bën si zhapiu: - Guak, guak, guak! Hesht drejtësia, hesht Komisioneri i zgjedhjeve. Hesht avokati i popullit. Hesht komisioneri për luftën kundër diskriminimit. Siç ka heshtur SPAK dhe drejtësia për dosjet e manipulimit të votës 339 dhe 384.  Kanë frikë.

Në Kosovë nuk pati frikë për ta dënuar partinë në pushtet me 20 mijë euro. Në Shqipëri kanë frikë të thonë një fjalë: - Mjaft më me fyerje e denigrime, me nofka dhe krahasime që as diktatori nuk i bënte në kohën e tij të mizorive. Por mesa duket narko-shteti qenka më mizor se çdo diktaturë ideologjike e politike. Se fati i njerëzve në narko-shtet është në duart e mafies kriminale e vrastare. Nuk është në duart e një diktatori politikan. Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka pasur një kryeministër kaq banal, kaq denigrues, kaq mizor në fjalë e pse jo edhe në veprime. Edi Rama është i tillë, edhe pse përpiqet të hiqet në rastet e tjera si “modern” si “piktor” apo “basketbollist”! Edi Rama do të mbahet mend si personazhi politik që bëri gjithçka për ta përçarë dhe eleminuar opozitën politike me një synim të vetëm – Mbajtjen e pushtetit me çdo kusht!

Në Kosovë secila parti politike garoi përmes një projekti politik, ekonomik dhe për sigurinë. Asnjëra prej tyre, në mazhorancë ose në opozitë, nuk u fsheh pas akuzave ndaj kundërshtarit politik, por parashtroi para publikut alternativën e vet për zhvillim e prosperitet. Në Shqipëri edhe në fushatën e sotme elektorale ka vetëm retorikë fyese dhe denigrimi nga ana e kreut të mazhorancës, njëkohësisht kryeministër i Shqipërisë. Ndërkohë që opozita shqiptare dhe kreu i saj, së paku deri më sot, nuk kanë përdorur asnjë nofkë fyese ndaj kreut të ekzekutivit shqiptar. Vetëm ka akuzuar politikanë të lartë të mazhorancës, përfshirë kryeministrin, për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe për korrupsion.

Duket se edhe kjo fazë e akuzave po kapërcehet, për t’i lënë vendin alternativës së qeverisjes, alternativës së zgjedhjeve nga ana e opozitës shqiptare. Opozita tashmë është e detyruar që fshatën zgjedhore ta zhvillojë sipas skemës së mentorit të saj, amerikanit të famshëm, Criss LaCivita. Qoftë dhe për këtë arsye Partia Demokratike ka detyrimin të respektojë etikën në fushatën elektorale. Por pala tjetër, mazhoranca e përfaqësuar nga kryeministri Rama, bën të kundërtën. Në vend të programit ka lëshuar edhe kësaj radhe si alternativë fyerjen dhe linçimin. Nuk dihet sa e si do ta shesë Edi Rama këtë metodë perverse të të bërit fushatë elektorale. Por diçka është e qartë: - Atij po i ngushtohet çdo ditë e më shumë laku! Nuk ka më hapësirë dhe liri nga ndërkombëtarët që të sillet si kreu i narco-shtetit ndaj zgjedhjeve dhe opozitës! Nuk është pak kjo, apo jo?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat