Shqipëria e ka një piktor, një autor, një basketbollist, një zhurnalist, një kryeministër, një autokrat, një enverist, një patronazhist, një PS, një prokuror, një gjyqtar, një arkitekt, një menaxher turistik, një komunist, një marksist, një Leninist, një Stalinist, një proletar, një uzurpator të Shqipërisë, një incenerator, një kultivues të kanabisit, një rrënues të Teatrit Kombëtar, një themelues të Shtetit Bektashi, një arkitekt të Ballkanit të Hapur, një themelues i Rilindjes socialiste, një autor të termit “Tokë e askujt” ( për Veriun e Kosovës), një themelues të SPAK nën presionin amerikan, etj. etj. por në fund u bë i popullarizuar edhe si zbulues i Kënetës.
Piktori, i entuziazmuar me zbulimin e tij sensacional të kënetës, i ka pushtuar mediat, portalet, qendrat televizive, platformën X, kanalin YouTube, dhe të gjitha mediat e tjera sociale brenda dhe jashtë vendit.
Ai tash e tutje nuk flet për asgjë tjetër, përpos kënetës. Në realitet e ka krijuar edhe një emër, sipas shijes së tij, bufi i kënetës, me të cilin emër e ka gostitur kryetarin e opozitës.
Varrmihësit, zdrukthëtarët, xhamaprerësit, pemëtarët, ullinj mbjellësit, kirurgët, gjinekologët, urologët, psikologët, sociologët, teneqepunuesit, barinjtë, pula gjinjtë, gurë mihësit, ekologët, veganët, bandat e drogës etj. kanë rënë në hall për shëndetin e piktorit. Ai është i fokusuar vetëm pas kënetave dhe bufit të saj, duke u shpall luftë si Don Kishoti mullinjve të erës .
Halli është si do t´i fitoi zgjedhjet, nëse nuk zgjohet nga koma në të cilën është fundosur. Kush do t´i prij Shqipërisë në garën e korrupsionit, leje ndërtimeve, çmimeve, inflacionit, varfërisë, turizmit, shpopullimit, hajnisë, ndarjes së tenderëve, ndërtimeve me leje e pa leje, pastaj kush do t´i prij politikës së jashtme, rajonale, evropiane dhe globale. Kah do t´i nis tash mbetjet radioaktive në Durrës etj.
Kush do t´i prij Shqipërisë drejt EU, nëse piktori nuk kthjellohet. Si duket mund ta ketë nxënë sëmundja e kënetës. Mund të jetë prekur nga ndonjë magji të iniciuar nga bufi. Partia e tij PS, Rilindja dhe patronazhistët, duhet shpejt të reagojnë, përndryshe Shqipëria mbaroi.
Fqinjët i kanë mpreh thikat dhe pirunët. Greqia detin dhe jugun, kurse Serbia Kosovën, deri në Adriatik. Pastaj kush e ndal Malin e Zi, përpos Isa Boletinit të cilit i ka borxh jetën etj. Si duket lugatët e së kaluarës kanë dalë nga shishja.
Shefat e policisë sot po i udhëheqin bandat e drogës, po ku qëndrojnë komandantët e ushtrisë. A mund ta dorëzojnë Shqipërinë, ende pa e shkrepur asnjë plumb? Enveristët pa humbur kohë, në emër të Ballkanit të Hapur, do ia dorëzonin Shqipërinë Serbisë.
Kush do t´i prij vendit në këtë luftë të pa shpallur globale. Po të zgjohej Gjergj Kastrioti: gjithçka këtu po i vjen era Turqi e Arabi, po Arbëri jo, do të vajtonte. Ismail Qemalit i është kalbur karroca dhe do ta ketë vështirë të orientohet me teknologjinë e re të udhëtimit.
Esat Pasha do t´ia dorëzonte Shqipërinë Greqisë dhe Serbisë, vetëm ta lejonin që ta udhëhiqte një provincë diku. Haxhi Qamili do ta ftonte Turqinë dhe Erdoganin, si shpëtimtarë të Shqipërisë.
Zogu do të kërkonte shpëtim nga Italia, kurse Xhafer Deva do të kërkonte ndihmë nga Gjermania, në bashkimin e trojeve shqiptare. Mit´had Frashëri do ta riorganizonte Legalitetin për mbrojtjen e Shqipërisë, kurse Rugova do të kërkonte të lidhej me Amerikën. Adem Jashari me Azem e Shote Galicën, do t´i bënin gati çetat në Drenicë. Nëna Tereze do të lutej: zot mbroje Shqipërinë nga shqiptarët dhe piktori, i cili u ka shpallur luftë kënetave, sikurse Don Kishoti mullinjve të erës.