Kriza e komunikimit dhe e marrëdhënieve Europë-Amerikë e këtyre kohëve ka vënë në pikëpyetje sigurinë e Europës. Europianët kanë frikë se presidenti amerikan, Donald Trump, do të ndryshojë trajektoren tradicionale të aleancës së vendit të tij nga kontinenti i vjetër europian në drejtim të Moskës. Të gjitha shenjat dhe indiciet na dëshmojnë se për amerikanët nuk është tashmë Europa aleati kryesor. Megjithatë nuk mund të besohet se Uashingtoni do ta lëshojë Europën. Nëse Amerika e Trump heq dorë nga aleanca dhe partneriti strategjik me Europën, atëherë vendet europiane do të mund të krijonnin një bosht aleance me Kinën. Por nuk dua të merrem me këtë temë. Çeshtja që shtrohet është si dhe kush do ta marrë në dorë sigurinë europiane?
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, prej kohësh është vënë në përballje të hapur me Rusinë. Ai, më shumë se çdo europian tjetër i mëshon me tone të forta rrezikut që i vjen Europës nga një agresion i mundshëm i Rusisë. Madje ishte i pari lider europian që përhapi në opinion kërcënimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e armëve bërthamore kundër Europës. Asokohe (para dy viteve) kjo narrativë e përhapur nga Shën Elize u vlerësua si një çmenduri e presidentit të Rusisë. Por sot duhet parë ndryshe.
Prej disa javësh presidenti francez po përsërit kërkesën e tij që Europa të vihet nën çadrën franceze të mbrojtjes bërthamore. Kjo kërkesë vjen pasi që tashmë në Europë janë bindur se asaj do t’i mungojë së shpejti mbrojtja amerikane. Prej vitit 1948 e këtej shtetet e Europës, sidomos ato të mëdhatë, kanë kursyer triliona dollarë për shkak të angazhimit të SHBA-ve në mbrojtjen e kontinetit. Tërheqja jo aq e befasishme e administratës Trump nga ky angazhim, nxiti Francën të marrë përsipër lidershipin europian të sigurisë. Por çfarë fshihet pas kësaj narrative franceze? Sigurisht kontrolli nga ana e Parisit e politikave të BE-së. Imponimi prej tij i politikave deri diku preteksioniste të Francës. Siç po ndodh me Kosovën. Eshtë Franca ajo që bllokon integrimin e saj në përpjekje për të nxjerrë sa më shumë përfitime nga ajo.
Nëse do të ndodhë që Francës t’i njihet de facto dhe de jure roli i mbrojtjes dhe sigurisë bërthamore e nukleare të Europës, atëherë në një të ardhme jo shumë të largët Europa do të njohë një politikë franceze përtej asaj të Trump-it. Logjikisht kjo iniciativë e Macron duhet kundërshtuar. Mbrojtjen e ofruar nga kreu i Shën Elizesë për Europën është e udhës ta zevendësojmë me konceptin e mbrojtjes kolektive të kontinentit. Kjo do të thotë se Gjermanisë duhet t’i lejohet zhvillimi dhe prodhimi i armëve bërthamore dhe nukleare. Vendimi për ta penalizuar RF të Gjermanisë në këtë aspekt është tashmë më shumë se i vjetëruar.
Ndërkohë, armatosja e Gjermanisë e bën Europën plotësisht të sigurt e të mbrojtur përballë një agresioni të mundshëm të Rusisë militariste. Nëse largohen amerikanët atëherë Europa mdjehet e sigurt kur ashtu si Franca dhe Britania e Madhe, edhe Gjermania të ketë arsenalin e saj modern të armëve bërthamore e ukleare. Potenciali ekonomik dhe financiar ia lejon Gjermanisë ta zhvillojë këtë industri. Do të duhet më pak se një dekadë që vendi më i fuqishëm dhe motorri i ekonomisë europiane të marrë përsipër, së bashku me Francën, Britaninë e Madhe dhe Italinë mbrojtjen dhe sigurinë e plotë të kontinetit europian.
Ambiciet e Gjermanisë, përveçse në periudhën e nazizmit, gjithmonë kanë qenë të kufizuara për sundim dhe hegjemoni. Edhe kolonitë gjermane në kohën e kolonializmit ishin shumë herë më të vogla se ato të Francës, Britanisë së Madhe, Italisë Spanjës, Portugalisë e madje të Hollandës. E pra, fuqia politike, ekonomike dhe ushtarake e gjermanëve ishte e jashtëzakonshme. Një Gjermani demokratike nuk paraqet asnjë rrezik që ajo të ushtrojë kontroll, influencë dhe të imponojë vullnetin e shteteve dhe kombeve të tjera europiane. Gjermanët janë racionalë dhe lëvizin sipas një logjike matematikore. Prandaj dhe zhvillimi e prodhimi i armëve bërthamore e nukleare nga ana e Gjermanisë do të ishte një hap që garanton mbrojtjen dhe sigurinë europiane.