Ftesë për dëshmi apo shantazh për post

Opinione

Ftesë për dëshmi apo shantazh për post

Nga: Gani Qarri Më: 10 mars 2025 Në ora: 06:47
Gani Qarri

Të lirohet nga aktakuza penale një kryekriminel serb, i cili ka vrarë edhe polic shqiptar në detyrë, dhe në anën tjetër, të përndiqet me aq urgjencë e në mënyrë kaq rigoroze kryeministri më i votuar i vendit, i cili në zgjedhjet e sapo përfunduara mori mbi 337 mijë vota dhe u dëshmua si politikani më i votuar në Kosovë, duke tejkaluar çdo rekord të deritanishëm, në gjithë historinë çerek shekullore të pasluftës së Kosovës, i cili ka shtrirë shtetësinë dhe rivendosur sovranitetin e Republikës sonë, në tërë hapësirat e saj, fatkeqësisht kjo mund të ndodhë vetëm nga një prokurori e mbytur në krim e korrupsion dhe e udhëhequr nga një kryeprokuror i dyshimtë, si Blerim Isufaj.

Ftesa, ashtu siç ishte politike para zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve, ka nuanca më tepër se politike dhe prapa saj, shihet qartë se fshihen inate tepër të thella personale, të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili pasi i hoqi akuzën kryeterroristit serb dhe e liroi, pa asnjë arsyetim publik nga ndjekja penale Millan Radojçiqin, shpresonte se ndoshta si shpërblim të këtij akti makabër, ai do të emërohej edhe kryeprokuror i shtetit të Kosovës, sikur Kosova të mos ishte shtet i pavarur e të udhëhiqej nga shqiptarët, por enklavë e Serbisë me guvernator vet Aleksandër Vuçiqin.

Një, ish prokuror i cili personalisht e ka tërhequr aktakuzën ndaj kryeterroristit serb, Millan Radojçiq dhe tani shfrytëzon e keqpërdor pozitën e tij dhe heshtjen qytetare, për tu hedhur brutalisht në ndjekje dhe shantazhim të kryeministrit Albin Kurti, me shpresën se do ta detyrojë kryeministrin, ti ofrojë Blerim Isufaj-t, pozitën e kryeprokurorit të shtetit, pozitë e cila, si atëherë që atij i ishte refuzuar me plot të drejtë, duhet të mbetet në fuqi dhe ti refuzohet edhe në të ardhmen kategorikisht!

Nuk duhet harruar, faktin se që nga çlirimi i Kosovës prej okupimit serb, Albin Kurti është politikani i parë vendor, i cili përkundër të gjitha pengesave të brendshme dhe të jashtme, ka treguar vendosmëri për luftimin e kriminelëve serb dhe zhdukjen e korrupsionit e krimit të organizuar të të gjitha llojeve në Kosovë, duke kuptuar në kohën e duhur edhe momentin dhe shfrytëzuar me mençuri të jashtëzakonshme rastin ideal, për shtrirjen e shtetësisë, konfirmimin në terren të sovranitetit shtetëror të Kosovës, parandalimin e krijimit të “donbasëve” serb në veri dhe mposhtjen me sukses të skenarëve të rrezikshëm të Serbisë, për shndërrimin e Kosovës, në Ukrainën e Ballkanit Perëndimor.

Kurti është kryeministri i parë i cili ka dëshmuar guximin për të ndërmarrë edhe vendime të vendosura, duke vepruar shpejt e goditur mu në pikat e duhura bandat kriminale dhe kriminelët e terroristët serb në veri, dhe ndaluar organizatat e tyre terroriste, dëbuar kriminelët serb në Serbi e ndryshuar për 360 shkallë situatën, në favor të Kosovës.

Kryeministër që angazhoi tërë kapacitetet institucionale dhe koordinoi në mënyrë të shkëlqyeshme veprimet shtetërore, për çlirimin e veriut nga bandat kriminale e terroriste serbe, të kësaj pjese të patjetërsueshme të vendit tonë, të cilën partitë e inkriminuara, pjesë e të cilave ka qenë edhe Blerim Isufaj, e kishin kthyer në oazë të krimit të organizuar dhe kooketonin edhe vet me kriminelët dhe bandat serbe të veriut, për pasurimin personal, grupor e partiak, në kurriz të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Athua ishte shtrirja e shtetësisë në veri dhe dëbimi i kriminelëve serb në Serbi, që përveç zënies në befasi të Serbisë, ta ketë penguar fort edhe ndokënd tjetër, e ndoshta edhe deri te njerëz të caktuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kur të kihet parasysh fakti se personalisht vet kryeprokurori aktual i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ishte ai, i cili ka hequr aktakuzën ndaj kryeterroristit serb, Milan Radojçiq dhe kurrë nuk ka bërë sqarime publike, as nuk ka dhënë përgjegjësi ligjore për këtë akt makabër.

Prandaj dhe shtrohet pyetja se pse mu kjo prokurori e famshme, e cila ka liruar një kryeterrorist serb nga aktakuza, pa asnjë shpjegim për popullin dhe shtetin e Kosovës, tani po e përndjekë me kaq kryeneçësi kryeministrin shqiptar dhe njeriun më të votuar të Kosovës, akt i cili përveçse lë përshtypje të hidhur, krijon edhe dyshime të mëdha, se mos vallë, pas çlirimit të suksesshëm të veriut të Kosovës, nga bandat kriminale e terroriste serbe të Millan Radojçiqit edhe vet kryeprokurori, apo dikush nga Prokuroria Speciale, kanë apo mund të kenë interesa të përbashkëta me Serbinë?!

Ky akt i paqartë, po shqetëson një popull të tërë dhe ka krijuar dyshime se mos vallë është në lojë, një veprim i ulët dhe tepër meskin, me të cilën ndoshta prokurori lirues i Millan Radojçiqit, Blerim Isufaj po pretendon ta shantazhojë deri në atë shkallë kryeministrin Kurti, sa t`ia imponojë kryeministrit, emërimin e tij për kryeprokuror të shtetit, ndaj veçanërisht nga AKI, por edhe nga shteti dhe organet ligjore, duhet të shqyrtohet ky rast urgjentisht deri në detaje dhe të shikohet me prioritet, gjithanshëm e në të gjitha dimensionet me llupën institucionale dhe në varshmëri nga çasti që është përzgjedhur për aktivizim, qëllimi i ndërmarrjes së këtij hapi konfuz dhe koha delikate e veprimit të prokurorisë, të ndërmerren kundërmasat adekuate, në të mirë të ligjit, qytetarëve të vendit dhe shtetit të Kosovës, në mënyrë që Kosova të dëshmojë se është shtet që nuk lejon të shantazhohet as nga të ashtuquajtur prokuror, a kryeprokuror, të cilët pas mospërfilljes së ligjit dhe lirimit nga akuza pa asnjë arsyetim publik, të kryeterroristit serb Millan Radojçiq, kanë filluar ta ndiejnë veten edhe më të fort se vet shteti i Kosovës! 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat