Nuk di as vetë se ku e përzgjodha titullin e këtij shkrimi, por mund t’u rrëfej se ai erdhi natyrshëm e pa asnjë sforco në mendjen time, thjesht dhe vetëm për të shprehur një realitet që e shohim të gjithë, por nuk mendoj se e vlerësojmë seriozisht të gjithë. Besoj se ka qenë diçka e shtresëzuar diku në nënshtresat e vetëdijes sime prej kohësh, por ashtu siç ngjet përgjithësisht me këto shtresëzime, ato dalin në krye sa herë që ngjarjet e ditës përsëritin historinë. Dhe ndoshta, plotësisht me të drejtë!
Sali Berisha është ngulitur thellë në kujtesën time e të shumicës së shqiptarëve si “alarmi” i një rreziku të përditshëm dhe si frika e arësyeshme se ngjarjet mund të përsëritin vetveten. Në pjesën e dytë të jetës sime mbi 60 - vjeçare, figura e tij e shpërfytyruar, më shumë si një maskë e mirëpunuar se sa origjinale, ka mbirë në çdo ekran televizioni, në çdo lajm e faqe gazete, aq sa as Enveri dhe Ramizi së bashku nuk kishin zënë vend në pjesën e parë të jetës. Kjo kohëzgjatje e “alarmit” që vjen prej tij, me të njejtin intensitet edhe pas 35 viteve, më bën t’a marr fort seriozisht Saliun, po aq sa më bën të kem frikë nga zoti Berisha. Dikush mund të mendojë se kjo ndarje që bëra më sipër është një gafë apo lapsus i imi, por jo. Në vijim do të kem mundësi të hedh dritë rreth kësaj dikotomie, pasi seriozisht i mendoj si dy persona të maskuar me të njejtën fytyrë, që qesh kur mendon më të keqen, e vajton sa herë diçka të mirë është “i detyruar” të nxjerr nga goja e tij.
Saliu është ndoshta komunisti i fundit në Shqipëri që mendimet e këqia të tij, të materializuara në fjalë apo të maskuara me zgërdhimje, nuk i ndanë dot nga njëra – tjetra dhe as nga veprimi. Prandaj për këtë ai duhet marrë tepër seriozisht. Saliu të thotë me krenari se të vras dhe realisht të vret. Ai nuk bën shaka me këtë edhe pse mundohet t’a maskojë atë si “qëndrim politik”. E ka këtë nga geni, ku vrasjes i këndohej këngë e nga ideologjia komuniste, sipas të cilës: ose unë ose ti. Vend për bashkëjetesë nuk ka! E bën këtë me egërsinë e gjakësit që s’njeh as gjakun e vet, siç veproi me bashkëvëllezërit e tij tropojanë, e bën pa njohur e respektuar as normat kanunore, siç bëri në Gërdec ku u vranë edhe gra e fëmijë për egon e tij e të familjes për pasurim me çdo kusht, gjë që gjakësi nuk e bënte. Ai e bën sipas parimit komunist që pushteti merret me grykën e pushkës e mbrohet po prej saj. E bën edhe kur nuk i ke asnjë borxh, tamam si ata sherifat apo gangsterët që të thonë: - Pse më sheh?, dhe të drejtojnë armën. E po iu përgjigje se nuk po e sheh atë, të kërcënon përsëri: - Pse s’më sheh, a s’po të pëlqej? Për Saliun nuk ka limite. Kur statura publike ia kërkon të buzëqeshë nëpër tribuna, vetja e tradhëton, e fytyra e tij merr një pamje të trishtë. Ai, pa asnjë skrupull moral e njerëzor, për më tepër si shqiptar e verior, nuk mungon “të të futet edhe në shtrat”, e t’i zgjat “teleskopët” e mbrapshta të mendjes së tij të prishur edhe nën fustanet e grave e motrave, të shpall si “zbulim autentik”, ato që i sajon mendja. Ja! Për këto duhet marr seriozisht Saliu, se ai nuk di t’a ndajë mendimin nga fjala, as fjalën nga vepra sapo t’i krijohen mundësitë, por nuk duhet patur frikë për këto, sepse tipa të tillë kurrë nuk janë dalluar për trimëri. Ata hedhin gurin, e fshehin dorën dhe s’të bëjnë dot asgjë në se nuk “ua liron” udhën e nuk u jep besim. Vetëm në besim të presin pamëshirshëm dhe të fërkojnë shpatullat për ngushëllim. E për sa sipër, duhet marrë seriozisht.
Tjetër gjë çeshtja me zotin Berisha.
Ai duhet patur frikë, seriozisht. Në 35 vite si politikan në postet më të larta të shtetit, gjithnjë ka ditur t’a maskojë aktivitetin e qëllimet e tij të mbrapshta me fjalë të bukura e parulla demokratike, por kurrë në aktivitetin e tij politik e shtetëror nuk ka patur qëllim të realizojë ato që ka premtuar. Është modeli tipik i politikanit që “tjetër mendon, tjetër flet e tjetër vepron”! Aftësia e tij për t’ua trullosur mendjen njerëzve me parulla demokratike është e jashtëzakonshme, po aq sa aftësia e tij për të premtuar lule e pastaj të të rrethojë me gjemba. Në gjithë aktivitetin e tij politik e shtetëror ai ka dëshmuar se lufta e shpallur kundër komunizmit mbetet parulla më e bukur dhe përralla më e madhe së cilës i besojnë verbërisht shqiptarët dhe e ndjekin pas atë si turma pa krye. Me këtë parullë, e me maska antikomuniste, ai është treguar dhe vazhdon të tregohet komunisti më i devotshëm edhe sot e kësaj dite. Ndoshta nga të qënit për shumë vite anëtar e drejtues në organet e larta të ish Partisë së Punës, ndoshta fakti se të qënit komunist e shërbëtor i udhëheqjes së kohës, ia ka mësuar dhe ngulitur thellë në vetëdije bindjen se ideologjia komuniste ishte ideologjia më trullosëse e mendjeve njerëzore, ideologji që nisi drejt vdekjes miliona njerëz në botë duke thirrur: Rroftë partia!, ideologji e cila la në varfëri e uri miliona njerëz, të cilët edhe frymën e jepnin, por duartrokitjet për udhëheqjen nuk i pushonin, sepse ajo e maskonte veten pas premtimeve dhe ëndërrave të bukura. Kështu bëri edhe Berisha për të ardhur në pushtet, kështu e konsolidoi veten si sinonim të Partisë Demokratike duke e mbajtur kreun e saj edhe me eleminimin fizik të çdo personi që ka menduar e mendon ndryshe Brenda saj, kështu u riciklua në pushtet në vitin 2005 e kështu po lufton të rikthehet, së treti, për t’u thënë shqiptarëve se “nuk keni pare gjë akoma ‘, në vitin 2025.
Për maskimin e qëllimeve të vërteta me fjalë e parulla të bukura, Berisha duhet patur frikë. Pas vellos së nuses, zbukuruar me lule të bukura, e fytyrës së kuruar me makiazh të kujdesshëm që shfaqet në publik, fshihet në të vërtetë një burrë i ashpër që nuk ndalet aspak në realizimin e qëllimeve të veta të mbrapshta. Krahas antikomunizmit që përpiqet t’a shesë shtrenjt, tani ka vënë në shenjestër edhe luftën kundër korrupsionit, parullë e pastër e një njeriu që, për herë të parë në Shqipëri, ndërtoi një pushtet thellësisht të korruptuar. E bën këtë i ndihmuar edhe nga socialistët në pushtet, që jo vetëm nuk e luftuan korrupsionin me efikasitet, por e stimuluan atë në çdo qelizë të shoqërisë dhe jo vetëm në aparatin shtetëror, duke ndjekur qorrazi rrugën e tij të mbrapshtë. Duhet patur frikë besueshmëria në farsën antikorruptive të Berishës, pasi ai maksimumi që mund të bëjë e synon të bëjë, është që korrupsionit t’i ndërrojë duar edhe për faktin se shumë vite në opozitë ia kanë shteruar rezervat ekonomike atij, familjes politike e biologjike dhe mbështetësve pa sy të pushtetit të tij të verbër, por mbi të gjitha për faktin se ai për pasuri edhe të vret. Mos e harroni Gërdecin, krimin e pastër shtetëror vetëm nga babëzia e tij dhe familjes për pasuri, se e ashtuquajtura “afera Partizani” s’është asgjë, ose është kinse përpjekja e drejtësisë për të dhënë prova se i “pret shpata” majtas e djathtas dhe me të ia “lane” fytyrën e damkosur familjes. Premtoi lugë floriri dhe solli piramidat, premtoi mirëqënie për të gjithë dhe skemën e ndihmës ekonomike për mbijetesë, e bëri “ndërmarrjen” më të madhe të shqiptarëve, premton sot pensione evropiane, por jo punësim, premton paga por jo prodhim… Premton gjithshka, se ai e ka të paramenduar që kurrë nuk do t’i duhet t’i verë në jetë, pasi nuk është ky qëllimi i tij, por mashtrimi i njerëzve përmes skenave në dukje të bukura e joshëse. Është si të dashurohesh me një plakë mbi të shtatëdhjetat që ka bërë operacione plastike pa fund, ka bërë makiazh të fortë dhe është veshur me vello të stolisur, por që kur do të duhet “të flesh” me të, duhet të fikësh dritat e me sytë e mbyllur për të mos e zbuluar lëkurën e vërtetë që e mbështjell qënien e saj.
A thua s’na kanë mjaftuar 35 vite për të ditur kush fshihet pas pardesyve të bardha, apo të zeza, pas syzeve me apo pa ngjyrë, pas buzëqeshjeve helmuese e britmave shurdhuese të kétij njeriu? Asnjë parim nuk ka, e nuk mund të ketë Berisha pushtetar. Shih bashkëpunimin e tij historik dhe aktual me grekët kundër Shqipërisë, shih bashkimin në një koalicion të partive progreke e çame për një grusht vota, shih bashkëpunimin me vendet islamike për pasuritë e sheikëve atje, e “luftën” me amerikën që s’duron kapadai si ai për aleat, shih se si për të regjimi i Beogradit është gjithnjë më i mirë se ai i Ramës. Shih dhe bindu se kë ka futur Berisha në lista të sigurta, ku janë rrjeshtuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij besnik në zhvatjen e këtij vendi, si Meta e Mediu, të gjithë deputetët që bëjnë rrëmujën e dynjasë në parlament, kryetarët e disa partive që de juro janë të regjistruara dhe marrin fonde nga taksat tona, dhe de fakto nuk kanë anëtarë për të marrë as një mandat nga zgjedhësit shqiptarë dhe përseri KQZ - ja u jep fonde. Për të pritur diçka të mirë prej tij e modelit të tij, as mos e mendo! Modeli Berisha është modeli i shtetit ku ligji është ai, ku ai dhe vetëm ai ka të drejtë të hetojë, të ngrejë akuzë, të dënojë e të falë, të denigrojë e ngrej lart këdo sipas humorit të vet. Bile edhe të vrasë njerëz për pasuri e pushtet! Ai e do pushtetin si vegël për të nënshtruar kundërshtarët politikë dhe punon sipas parimit të “tokës së djegur”, ose “pas meje u bëftë kiameti”! Kështu bëri në vitet e tmerrshme të pragluftës civile 1997 - 1998, të katandisur në një piramidë të madhe e la pushtetin në 2005 - ën, e tash, larg qoftë, rikthimi i tij, nuk mund t’a them se ç’prognozë do të ketë, ndonëse e ndjej dhe e paramendoj.
Merreni seriozisht Saliun në të gjitha të këqiat që ka bërë në të shkuarën e afërt, e për të gjitha të këqijat që i artikulon për të ndezur turmat e mbështetësve, sepse ai këtu nuk e ndanë fjalën nga vepra, kijeni frikë Berishën në ato që premton si hirushe të pushtetit të vet, se kurrë ato nuk i ka qëllim, por mjet për të marrë pushtetin dhe për të realizuar ç’i bluan mendja e mbrapshtë Saliut! Berisha e berishizmi gjithshka e kanë vënë dhe do t’a venë edhe në të ardhmen në funksion të Saliut e familjes së tij. Përtej saj bota është një “bosh”!