TV studiot kosovare, me pak përjashtime, janë shndërruar në ‘klinika psikiatrike e psikologjike’, në ‘gjyqe me të pandehur, me gjykatës e prokuror’ fiktiv që sjellin ‘aktgjykime e verdikte’ dëshiruese shumë larg drejtësisë dhe të vërtetës.
TV studiot kosovare, shpesh janë arena turpi ku defilojnë ‘analistë’, ‘akademikë’, ‘spiunë’, hajdutë, xhambazë dhe oligarkë me një mision të vetëm, të përkrahin grupet e interesit dhe të çojë deri në fund agjendat antikombëtare të porositura dhe të sponsorizuara.
TV studiot kosovare janë shndërruar në mini-teatro të absurdit e me aktorë që e shpërfytyrojnë dramën kosovare në qindra skena e akte, duke krijuar narrativa tragjikomike, e duke mbjell kob e përbuzje, ku drejtësia edhe padrejtësia prodhojnë gjuhë të padëgjuar, duke shkaktuar ‘revolucion’ për ta lartësuar marrëzinë në emër të fjalës së lirë.
TV studiot kosovare kanë marrë rolin e ‘psiko-analistëve’, duke vazhduar të prodhojnë vrer e helm, pa mbarim. Në këto studio pështyhet aq shumë helm drejtë shikuesit, dhe ai në vend se ta bojkotoj prezencën e tij pranë ‘kutisë kuçedër’ që vjell zjarr vëllavrasës, ndodh e kundërta, ai me obsesion e varësi i ndjek lajmet e rrejshme plotë me teori konspirative e insinuata.
TV studiot, pa arsye, apo me një arsye që mundet vetëm ata ta justifikojnë, kanë krijuar një filozofi përbuzëse që në thelb shpesh e ka sadizmin e thellë, defitizmin, bullizmin dhe nënshtrimin. Në TV studio ka kënaqësi kur ka vuajtje, kur ka shpifje, kur rrena triumfon mbi të vërtetën. Qasja e tyre diskriminuese shpesh herë fuqizohet edhe me paragjykime, stereotipe apo gjeneralizime, gjithnjë me cinizëm të ultë e në kor brenda në studio.
Në laboratorin e TV studiove kosovare as moderatori nuk merret me misionin që i përket, por shpesh ai parashtron edhe pyetje dhe vete përgjigjet, provokon debat dhe vete debaton, i jep kahe debatit sipas tekeve dhe interesave të caktuara. Moderatori ta jep fjalën nëse i shkon përshtati, njëkohësisht ta ndërpret nëse s’i shkon per interesi.
Në TV studiot tona, fitoren e quajnë disfatë, e disfatën fitore, suksesin e kualifikojnë si debakël derisa heroizmin e quajnë tradhti e tradhtinë heroizëm. Politikanët e guximshëm i quajnë të frikshëm sepse na prishin me të huajt edhe atëherë kur mbrohet sovraniteti i vendit. Ata, qe falin toka, sjellin marrëveshje të dëmshme për vendin, plaçkisin në mënyrë industriale pamëshirshëm i quajnë pragmatik dhe të guximshëm.
Sot, në shumë TV studio në Kosovë, hasmi, Vuçiqi, as që përmendet e lëre më të kritikohet. Hapësirën e tij e ka zënë kryeministri, por jo me lajme reale por me kronika të zeza. Sot, TV studiot kosovare kryeministrin që shtriu sovranitetin në veri, që ndali kontrabandën me armë, krimin, ndali kultivimin e narkotikëve e kriptomonedhave, ndali targat, dinarin, bankat e postën serbe, ndali agresionin paramilitar në Banjskë, që kërkon dorëzimin e Radojçiqit, njeriu që i fitoi zgjedhjet bindshëm, por, që paradoksalisht TV studiot e kanë shpall si humbës.
E quajnë tradhtar, dështak, hajn, njeri i Serbisë, diktator, që shtyp serbet në veri si dikur Millosheviqi shqiptarët. TV studiot kosovare e shpallin fituesin e zgjedhjeve si humbës edhe pse i fitoi të gjitha komunat, fitoi dhe diasporën. Pra, kështu raportojnë shumica e TV studiove kosovare, ku dezinformimin dhe propagandën e kanë bërë zanat në emër të informimit të ‘drejtë’ dhe të ‘fjalës së lirë’.