Formimi i Qeverisë, skenarët dhe marrëdhëniet me aleatët

Opinione

Formimi i Qeverisë, skenarët dhe marrëdhëniet me aleatët

Hafiz Shala, New York Nga Hafiz Shala, New York Më 10 mars 2025 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

U bënë një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale, të cilat, sa i përket rregullsisë së tyre, jo vetëm që u zhvilluan në mënyrë demokratike sipas raportimeve nga terreni, por edhe u vlerësuan lartë nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo është një mirënjohje për qytetarët në përgjithësi, duke larguar pengesat të ashtuquajtura teknike gjatë rënies së sistemit në faqen e KQZ-së, ku sipas informatave dhe raporteve, ka pasur ndërhyrje nga jashtë në mënyrë direkte, siç u theksua edhe në konferencën për shtyp të Kryeministrit, i cili fajsoi Serbinë për këtë, e cila e realizoi përmes Radojqiqit, kryeterroristit të aksionit në Banjë dhe atij në kanalin Ibër-Lepencë.

Ai këtë ndërhyrje e arsyetoi duke thënë se Serbia, përmes shtatë instancave shtetërore serbe, i cilëson përgjegjës edhe për ndikimet në komunitetet jo-shumicë. Diskursi politik i BE-së, duket se ka filluar të ndryshojë, pasi me ardhjen në pozitat kyçe të njerëzve të paanshëm, dukuria që ka pasur për vite të tëra është zhvilluar, duke favorizuar dialogun, ndryshe nga Serbia gjenocidale, bllokuese dhe shantazhuesja e Evropës, që ka pasur mbështetje nga Rusia. Tashmë duket se janë zbuluar të vërtetat dhe gishtat janë drejtuar kah Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke fajsuar atë për sulmet në Banjë dhe në Ibër-Lepencë, si dhe për ndërhyrjet në punët e brendshme të Republikës së Dardanisë, përfshirë zgjedhjet parlamentare.

Situata kaotike në Serbi, e shkaktuar nga demonstratat e studentëve, ku iu bashkuan edhe institucionet arsimore dhe pjesa më e madhe e popullatës në shumicën e qyteteve të Serbisë, ka ardhur si pasojë e shembjes së strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Ky aksident mori jetën e 15 qytetarëve për shkak të neglizhencës dhe cilësisë së dobët në punët ndërtimore, ku, sipas studentëve, janë shpenzuar para të mëdha për punë të shpejta dhe të dështuara nga kompanitë kineze, ku dikush ka përfituar duke fshehur shumat e vërteta të shpenzuara. Ky incident e detyroi qeverinë të dorëhiqet, ndërsa qëllimi kryesor është rrëzimi i pushtetit të Aleksandër Vuçiçit, të cilin e cilësojnë të korruptuar dhe të dështuar.

Ne nuk duhet të shikojmë vetëm atë që po ndodh me fqinjët tanë agresorë dhe luftënxitës, të cilët në kuadër të ngjarjeve gjeopolitike, sidomos në Bosnjën dhe Hercegovinën, po shpërfillin kërkesat amerikane për t’u përmbajtur nga hapat njëanshëm në disa vendime që mund të çojnë në tentativën e shkëputjes së Republikës së Serbisë nga përbërja e Bosnjës dhe Hercegovinës, me qëllim bashkimin me Serbinë. Kjo ka efekte negative për Dardaninë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Duke u nisur nga këto lëvizje të rrezikshme në Ballkanin Perëndimor, shtrohet pyetja se kush dhe si duhet të themelohet qeveria e ardhshme, duke pasur parasysh realitetin e marrëdhënieve aktuale të Dardanisë me aleatët për të krijuar një strategji të re të politikës së jashtme.

Me ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë dhe ardhjen e Presidentit Donald Trump, një personalitet i paparashikueshëm që, me dredhi, gjysmë të vërteta dhe premtime të gjysmë realizuara, ka ndryshuar qendrimet, ky paraqet një rrezik të madh për këdo që hyn në dialog. Ky është një sfidë shumë e rëndë që mund të na kushtojë shtrenjtë, nëse nuk kemi të parapara qëllimet strategjike për të dalë përpara kësaj sfide të rëndësishme për fatin e Republikës së Dardanisë.

Qeveria e re, që në start do të përballet me kërkesat për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por të pa nënshkruara nga ana e Serbisë, ndonëse, sipas deklaratave nga BE-ja, edhe të pa nënshkruara ato konsiderohen obligative për të dyja palët, Dardani-Serbi.

Pasi ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, të cilat janë një parakusht për të filluar konsultimet për formimin e qeverisë, ndonëse VV-ja, si partia e parë fituese e zgjedhjeve, duhet të ketë propozimin nga Presidentja për formimin e qeverisë, dhe kështu, më pas, sipas Kushtetutës, deri në propozimin konkret nga partia themeluese dhe propozuese për qeverinë. Kjo qeveri duhet të vlerësojë qëndrueshmërinë e saj për të siguruar votat e nevojshme kur të votohet në Parlament, me së paku 61 vota.

Pa ndërhyrë në format procedurale, më e rëndësishme është nëse ekziston një konsensus kur bëhet fjalë për interesat kombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë, i cili, fatkeqësisht, ka dështuar. Për këtë arsye, ose duhet të zgjidhet një rrugë tjetër ose, më në fund, t’i ndalohet Serbisë të bllokojë, të injorojë dhe të bëjë lojëra të ndyta politike, si gjithmonë. Duhet t’i thuhet e vërteta rreth fajësisë së saj për bllokadat dhe për pozicionin e saj të dyfishtë, edhe me Rusinë, edhe me Evropën. Tani, Serbia po tenton të futet nën "sqetullën" e Amerikës, për të cilën mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë.

Nëse Presidenti Trump, siç po akuzohet, është shndërruar në "aset kryesor të Rusisë", atëherë gjasat për një qasje serioze ndaj Dardanisë mbeten për t’u parë. Pasi, sipas disa deklaratave të Presidentit Trump, si aktori kryesor për ndalimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, edhe pas akuzave të rënda ndaj Presidentit Zelensky gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, ku ai u quajt “diktator” dhe “nxitës i luftës”, situata mbetet ende e pasigurt. E gjithë bota e di se kush është agresori, i cili shkel marrëveshjet paraprake të paqes, përmes të cilave Ukrainës i është dhënë garancia për integritetin e saj territorial.

Deklarata e fundit e Trump-it, që nëse vazhdojnë sulmet e shkallës së lartë nga Rusia ndaj Ukrainës, si ky i fundit, ai do të vendosë sanksione të gjera ndaj Rusisë, është e paqartë. Askush nuk mund ta ketë të qartë nëse është një presion ndaj të dy palëve ose nëse ka për qëllim t’i detyrojë palët të pranojnë të gjitha kërkesat e Putinit, duke hequr dorë nga territoret e okupuara dhe, ndoshta, edhe nga mos anëtarësimi në NATO për një periudhë të caktuar, për t'u kthyer pastaj në bisedime shtesë për këtë çështje. Këto janë të paqarta.

Tani, ku jemi ne si shtet, dhe a mund t’i realizojmë ambicjet tona reale për ta forcuar shtetin, sovranitetin dhe integritetin territorial, duke pasur parasysh kërcënimet, synimet dhe ambicjet e Serbisë, jo vetëm për aneksimin e veriut, por për të gjithë territorin? Vuçiç ua ka ngulitur popullit serb në kokë se Dardania është Serbi, një parullë që u shfaq jo vetëm në Parlamentin e përbashkët Serbi-Republika Serbe, në një fjalë “Bota serbe”, por edhe në demonstrata, si formë manipulimi për të qëndruar në pushtet.

Duke pasur parasysh rezultatet e kësaj qeverie në luftimin e krimit, korrupsionit, terrorizmit të organizuar dhe të sponsorizuar nga shteti serb, dhe shtrirjen e sovranitetit pas 25 vitesh në veri, shtrohet pyetja e sinqertë dhe e thjeshtë: me cilën parti politike opozitare do të mund të formohej qeveria, kur të gjitha kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me LVV-në, të irrituar nga zhargoni negativ dhe nënçmues gjatë fushatave elektorale, të cilat janë manifestuar nga të gjitha partitë dhe për të cilat kanë paguar dënime? Shtrohet pyetja se, a mund të arrihet konsensusi për çështjet kombëtare, veçanërisht për shumë marrëveshje të dëmshme të nënshkruara nga ish-pushtetet, përkatësisht nga opozita aktuale, e cila, për ta shpëtuar veten nga veprimet e saj në aspektin politik dhe shtetëror, nga korrupsioni megalloman në dëm të shtetit dhe popullit?

Duke qenë se është e qartë se ka pasur falje të territoreve, bashkëpunim politik e biznesor me grupe terroriste, veprime dhe koalicione me Listën Serbe për të arritur në pushtet, angazhimi i tyre që kësaj organizate politike terroriste t’i mundësohet regjistrimi si parti politike për të hyrë në garë në zgjedhjet parlamentare, madje edhe në koalicion me partitë opozitare, është shqetësuese. Edhe pse është publikisht e njohur se kjo organizatë është nën kontrollin dhe dirigjimin e Aleksandër Vuçiçit, i cili nuk e njeh Republikën e Dardanisë si shtetin e tij.

Opozita, në mënyrë të organizuar, ka ndikuar në shumë mjete të informimit për të zhvilluar propagandë dezinformuese kundër Kryeministrit dhe në përkrahje të Vuçiçit, i cili haptas dhe me argumente ka denoncuar organizatat dhe oligarkët e lidhur me Serbinë. Këtu prin Klan, e financuar nga një kompani publike e regjistruar në Serbi, e cila ka shpenzuar para të mëdha në propagandën kundër Kryeministrit, i cili publikisht gjatë fushatës ua tha troç se si ata e kanë dëmtuar shtetin materialisht. Përveç RTK-së dhe KTV-së, televizionet tjera janë nën diktatin e opozitës, ashtu siç janë disa organe shtetërore të rëndësishme, si Prokuroria e Shtetit, e cila, e gjetur në të njëjtën situatë shantazhuese, korruptive dhe me veprime anti-shtetërore, po bën lojra politike që pushteti aktual të mos realizojë premtimet rreth zbulimit të krimit, korrupsionit dhe konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme. Kulmi u arrit me heqjen e fletëarrestit për kryeterroristin Milan Radojqiq, me siguri me udhëzimin e atyre që kanë bashkëpunuar dhe e kanë paralajmëruar të largohet për në Serbi. Dukuritë negative krimo-korruptive, kjo prokurori i hesht.

A ka diçka më tragjike se udhëheqësit e partive politike opozitare që shkojnë dhe lobojnë në SHBA kundër Kryeministrit të vet, duke thurur insinuata, gënjeshtra dhe propagandë të rrezikshme, me qëllim të ardhjes në pushtet, duke iu premtuar se të gjitha kërkesat, qofshin ato edhe të dëmshme për shtetin, do t'i zbatonin? Ata kanë shpenzuar para të mëdha për lobim ndaj disa personaliteteve amerikane, veçanërisht atyre individëve që nuk ishin në favor të Kryeministrit. Këtu, përmendet emri i Richard Grenellit, i cili, ndonëse nuk ka ndonjë detyrë konkrete rreth Dardanisë, nuk mund të përjashtohet nga ndonjë detyrë ose rol të veçantë nëse e kërkon nevoja.

Një gjë është më se e sigurtë: Kryeministri Albin Kurti nuk do t’i nënshtrohet asnjë diktati nga kushdoqoftë, sepse është i vendosur dhe i dedikuar që të mbrojë interesat e Republikës së Dardanisë me çdo kusht dhe sakrificë. Ai është i pastër në çdo aspekt, ndërsa është i aftë dhe guximshëm për ta thënë të vërtetën. Ky do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me aleatët tanë të BE-së dhe, në radhë të parë, me SHBA-të, si aleatin tonë më të rëndësishëm dhe historik.

Prandaj, realisht, ai duhet të tentojë ta formojë qeverinë me partitë e deritanishme politike që do t’i dalin krah, sepse partitë opozitare, le të mos bashkëpunojnë, por do të përpiqen të pregatisin ndërskamca politike, pasi që të gjitha janë të inkriminuara, korruptuara dhe shantazhuara, jo vetëm nga Serbia, e cila posedon argumente për veprimet e disa prej tyre, duke përfshirë edhe disa institucione të rëndësishme shtetërore.

Nuk do të jetë ndonjë befasi që të tentohet të formohet një qeveri nga partitë opozitare, duke përfshirë edhe partinë terroriste Listën Serbe, pasi partitë opozitare këtë e kanë realizuar edhe në të kaluarën, duke premtuar edhe në të ardhmen se do t’i shkojnë për shtat Vuçiçit, i cili publikisht ka deklaruar se qeveria e Dardanisë do të formohet me pjesëmarrjen edhe të Listës Serbe.

Duke u nisur nga këto veprime parapolitike, ata duan t’i përjashtojnë nga vendimmarrja dhe vendosja nga ana e institucioneve, por prapaskenave, duke pritur kompromitimin drastik të akterëve të këtyre skemave. Besoj se rezultatet e deritanishme të qeverisë për shtet dhe jo për pushtet, investimet në sigurinë e shtetit, veçanërisht në ushtri dhe polici, gatishmëria e Kryeministrit për të zbuluar të vërtetën rreth padrejtësive të ushtruara ndaj Republikës së Dardanisë, veçanërisht nga BE-ja, duke imponuar sanksione ekonomike dhe të tjera, do të vetëdijesojë Bashkësinë Ndërkombëtare se një trysni e tillë ishte e padrejtë karshi Serbisë agresore, e cila më në fund u vetëzbulua dhe tani po fillon të kuptohet se problemi është Serbia, e mbështetur nga Rusia, dhe jo Dardania.

Sipas skenarëve të parapolitikës, duke përfshirë edhe opozitën fatkeqe, Kryeministrit Kurti nuk i mbetet zgjidhje tjetër përveçse të formojë Qeverinë me subjektet e deritanishme për ta eliminuar Serbinë dhe ndikimin e saj në Republikën e Dardanisë. Megjithatë, populli e dha verdiktin e tij dhe ai duhet të respektohet dhe zbatohet në praktikë, nëse duam vërtet shtet sovran dhe të pavarur me kufijtë aktualë.

Prandaj, asesi jo koalicion me partinë terroriste Lista Serbe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat