Një fushatë “gallatë”, pjellë shtet sallatë

Opinione

Një fushatë “gallatë”, pjellë shtet sallatë

Nga: Llesh Ndoj Më: 24 mars 2025 Në ora: 09:50
Llesh Ndoj

Ndryshe nga fushatat e mëparshme zgjedhore ku gjuha e dhunës nuk ka tentuar asnjëherë t’a maskojë veten me gjuhë politike apo politike - diplomatike, kjo fushata e vitit 2025 ka nisur e gjitha si një “gallatë - sallatë”, ku secili prej aktorëve politikë mundohet të paraqitet para votuesve të mundshëm i qeshur, plotësisht i lumtur e me sens humori, me qëllimin që të “injektojnë” tek ata idenë se pushteti i tyre paszgjedhorë i tillë do të jetë, humor e gallatë, apo një sallatë - gallatë origjinale e tipike shqiptare, ku në të njejtën pjatë serviren edhe turshi, edhe të freskëta, edhe djegëse, edhe bulmet e mish, edhe… Në fakt kemi të bëjmë me një maskë të re në fytyrën e vjetër të politikanëve, prej të cilëve shumicës u ka ikur koha dhe janë konsumuar, ndërsa disa të tjerë synojnë të bëj efektin e magjisë tek votuesit. Por populli thotë: Plakën vishe nuse sa të duash, edhe pse me rroba plot ngjyra e gjithë tualet, ajo plakë se plakë mbetet! Mjafton një gërvishje e lehtë dhe të del në pah fytyra e saj e vërtetë. Dhe nusja nuk e ka larg të pamen. 11 maji është si nesër e pushteti i saj do të mbetet si dje, si pardje, si… si këto 35 vite tranzicion ku, sapo hedhim një hap përpara, bëjmë dy hapa pas dhe rezultati dihet!

Gallatë – sallata, Rama - Basha, një e vërtetë që vjen me nota të sforcuara humori

Dy aktorë tashmë të vjetër të politikës shqiptare, për shumë vite rivalët kryesor në ndeshjet, herë me mjete politike, herë me mjete parapolitike, herë në konflikt të hapur e herë në marrëveshje të shpallur apo të fshehtë, Rama dhe Basha, si kurrë më parë, kanë nisur “dialogun politik” me një skenar të ngjashëm me atë të “babales”, por tashmë me nota humori që të bëjnë të qash me lotë. Rama, kij inatin e foli hakun, është më i natyrshëm në panatyrshmërinë e figurës së një pushtetari të regjur që duhet të ishte. Ai herë me sopatën supit, herë me gjethe fiku mes këmbëve, herë me çitjana, herë tjetër me lodër, herë me këngë e herë “He, ore gaxhie, jam njëri prej jush”, herë me çorape dyngjyrëshe, e herë tjetër me atlete e kollare të dizenjuara sipas mendjes së vet, gjithnjë ka përdorur simbolika që i kanë rezultuar jo të pa suksesshme në jetën politike, ndonëse ato ishin dhe janë të pa pranueshme për shijet e shumëkujt që është larg politikës bashkëkohore. Nga ana tjetër Basha është gallatë e sallatë fund e maje e kështu ishte edhe më parë. Njejtë më tingëllon si “7 x 7 = 42” e thënë seriozisht prej tij, si “7 x 7 = 313” e thënë si mtaforë e burgut plot me kolegët e Ramës, si kur këndon himnin kombëtar e merr poza heroike, edhe kur qesh me zgërdhimbje e llakos flokët deri në ngrirje, si kur ndez molotov kundër institucioneve shtetërore, edhe kur mban tufa lulesh në dorë, gjithnjë i panatyrshëm. Por e reja është se dueti Rama - Basha në versionin gallatë, tërësisht pa sens, apo sallatë lapsusesh, është i ri e si i tillë meriton vëmendje. Rama, në mos e pastë këtë si shërbim ndaj Berishës, me të cilin Basha e ka betejën e vërtetë e përjetësisht të humbur, e ka si pasion artisti ose si manipulator i lindur për të çorinetuar mendjet e mbështetësve nga ato që janë halle e problem themelore të zgjedhësve, dhe dështime të tij e të qeverisjes që e drejton tash 12 vite, aq edhe për të marrë qoftë edhe një votë nga kundërshtari pasi e di mirë, ndonëse arithmetikën e njeh vetëm pak më mirë se Basha, se plus një në këto raste është diferenca dy. Ndërsa votuesit e vet i quan “të vathit”, i barazon me zero dhe pak ia ndjenë për ta, me këtë matematikën e tipit “0 + 1 = 2”, synon të kompensojë edhe matematikën bashjane “7 x 7 = 313”, për hir të faktit, gjetje e bukur që shpreh realitetin. Ku dhe si do të shprehet kjo sallatë - gallatë më 12 maj, nuk është zor për tu parashikuar, por jo edhe aq e lehtë, kur kujtojmë historinë e marrëveshjeve në antagonizëm mes tyre. Rama do të mbetet edhe në vijim shakaxhiu i pushtetit dhe i përparimit, ndërsa Basha me buzëqeshjen e ngrirë duke pritur fatin e Berishës se mos i rikthehet vula e humbur... Në se jo, Hollanda është afër!

Berisha - Rama, nje “de javũ” që t’a shpif!

Berisha është ndërkohë si hija e ringjallur nga fundi i Ferrit të Dantes, që nuk e ka harruar gjuhën e djallit, por i ka shtuar asaj elementë të rinj, ndonëse pa frymë e pa fantazi. Ai nuk ka asnjë ide të re në këtë fushatë zgjedhore, veç Amerikës e Tramp - it që s’besoj të bëhen shqiptare. Ora e tij ka ngecur tek komunizmi, tek etërit që duhen luftuar, jo për çfarë kanë sjellë për vendin si pasojë e qeverisjes së tyre, por thjesht se synon t’i mbërrijë e t’i tejkaloje ata, megjithëse nuk mundet dot “pa i rrëzuar” si fillim, pasi e di mirë se nuk rrinë dot dy statuja në të njejtin piedestal. Edhe pas 35 viteve nga shfaqja e tij e hapur në skenën politike (se aty ka qenë, por i heshtur, si miza nën bishtin e kalit) ai vazhdon të luajë me njerëzit dhe tashmë me votuesit, me parullat e antikomunizmit, por premton një pjellë - pushtet, njëlloj si ai komunist, në mos më të egër, përmes të cilit vullneti i Saliut është vetë demokracia, integrimi, kultura, drejtësia…, ëndërra këto që as Enveri nuk mundi t’i shihte kaq të pastra edhe kur ishte në kulmin e moshës e në zenit të pushtetit. Atë e kanë përfshirë dukshëm ethet model “Trump” me “Make Amerika Great Again”, të njohur si MAGA e famshme e fushatës së tij presidenciale, por harron se as ai s’është Trump - i, as Shqipëria s’bëhet dot Amerikë. Trump ka shpallur se do e bëjë Amerikën të madhe përsëri, po ajo e madhe ka qenë, ndërsa politikat e dëshmuara të Saliut dhe vizioni i tij politik e bëjnë Shqipërinë edhe më të vogël se sa ka qenë dhe sa e kanë bërë atë padrejtësitë e dëshmuara historike. E nisi me “Ta bëjmë Shqipërinë e Madhe”, por dikush ia kujtoi se kjo nuk i shkon përshtat aleatëve të tij në prapaskenë, grekut dhe serbit, e mund t’ia sabotonin fushatën e tij, ndaj e ndryshoi sloganin në “Shqipëria Madhështore”! Po kur ka qenë Shqipëria Madhështore ndonjëherë, në kontekstin që thotë Berisha? Veç një cope të saj, Shqipërisë zyrtare, që pas vitit 1944 mbeti e pa pushtuar nga të huajt dhe e “shiti veten” shumë lart me ngjyrat e propogandës komuniste, kurrë Shqipëria s’ka qenë madhështore, por e pushtuar, e tradhëtuar, e shpërfillur, e plaçkitur dhe e varfër. A mos ndoshta modeli i Shqipërisë komuniste është modeli i “Shqipërisë Madhështore” që synon Saliu? Gjasat që projektohen nga modeli i tij politik, por edhe nga i vetmi model që ai njeh, janë për po. Në skenë ka thirr “mjete të reja”, ndonëse vallja e tij hidhet njëlloj, me “muzikën e vjetër”, apo gjuhën e dhunës e kërcënimeve. Riaktivizimi I skenarit “Babale”, ka marr formën e incizimeve Rama – Veliaj, Veliaj – Dado, apo të zhvillimeve “Toyota Yaris” e sa e sa të tjerëve, kryesisht shpikur nga mendja e tij, thjesht për të bërë të pranueshëm nusërimin për here të tretë! Edhe këtu, ndonëse me diferenca të dukshme ideore e në mhete, nuk mbetet pas as Rama, duke sjellë një duet tjetër të njohur, por aktualisht disi të heshtur. Shqipëria nën mandatet radhazi të Partisë Socialiste dhe për shkak edhe të vizionit shumë modern të zotit Rama, ka njohur përparime sa i takon emrit e prestigjit të saj në botë. Kryesimi i Këshillit të Evropës, kryesimi dy herë i Këshillit të Sigurimit të OKB-s, qasja e saj ndaj ngjarjeve botërore e pozicionimi i duhur e i guximshëm në konfliktet rajonale e botërore, ruajtja e palëkundur e orientimit euro - atlantik dhe përparimet e dukshme në fushën e integrimit, rifitimi, në një farë shkalle, i rolit dhe pozicionit rajonal (akoma jo aty ku duhet edhe me ndihmën e politikës berishiste në dy anët e kufirit) dhe perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian në 2030 - tën, nuk mund të jenë sinonime me parulla të tilla “ose me ne, ose bëhet kiameti”, që po i përdor tani Rama si boshtin e fushatës së tij politike. Pa ia mohuar punën e meritat atij e partisë së tij, Shqipëria dhe faktori shqiptar kanë luajtur e do të luajnë rol kyç në rajon e nuk ka për të patur integrim të Ballkanit në Evropë pa ta. Edhe para Enverit e pas Hoxhës, para Saliut e pas Berishës, para Edit e pas Ramës, ky rol nuk mund të zhduket. Vetëm Gjergj Kastrioti, të cilit edhe sot i ngrihen monumente krenarie kudo në botë, do të kishte të drejtë të mburrej si këta, por ai pati thënë krejt gjë tjetër: Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj! Gallatë - sallata politike edhe këtu të bën për të vjellë. Ka edhe më keq: Non grata i SHBA - ve, pretendon heqjen e vizave me Amerikën, kurse tjetri thotë se pa mua (pa atë!) “trenit integrues i mbaron benzina…”.

Doni një deputet që nuk fle, por mendon veç për Ju? Votoni….

Megjithëse një hap më pak se gjysmak, këto zgjedhje kanë dy risi, të cilat shpresoj të shënojnë jo kthesën vetë, pasi ajo nuk do të arrihet e nuk mund të arrihet me kaq, por të paktën shenjën apo gurin e kthesës. Këto dy risi janë votimi i emigrantëve dhe hapja e pjesëshme e listave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk dua t’i mohoj ato si arritje, as të them se nuk do të sjellin asnjë pasojë për skenën politike shqiptare, por ato do të jenë më pak se minimaliste. Pse? Kam argumentuar në një shkrim të mëparshëm dhe kanë shkruar këto ditë edhe plot gazetarë e analistë politikë se roli i diasporës nuk do të mund të sjell efekte të dukshme në rezultat për shkak se ajo nuk vepron si një trupë elektorale nëvete dhe humbet forcën e saj e copëzuar nëpër qarqe, dhe se lista, ndonëse ka dy pjesë, atë të rreshtuar me vullnetin e liderëve politikë (jo me vullnetin e forcave politike përkatëse!) dhe atë ku rreshtohen kandidatët që presin të marrin votat personale midis votuesve partiakë, për të bërë të mundur kalimin e “kufirit” apo vijës së kuqe, praktikisht është e mbyllur për dy arësye kryesore: së pari, sepse praktikisht vetëm PS - ja dhe në ndonjë qark, edhe PD - ja del përtej listës së mbyllur, duke fituar më shumë se 33% të mandateve përkatëse dhe së dyti, ata që janë mbi vijën e kuqe, apo në listën e mbyllur, janë shumica përzierje vullnetesh mes drejtuesve politikë të partive dhe krimit e korrupsionit, aspak vullnet përfaqësues të anëtarësisë dhe votuesve. Tani, këta të listës së hapur, janë të vetmit zëra të veçantë të fushatës, sepse nisen nga interesi i tyre thjesht personal. Nuk mund të them se mes tyre nuk ka kandidatë që në se nuk fitojnë, do t’i mungojnë me dëm kuvendit të ardhshëm, ku do të veçoja Xhafajn e PS - së, Tabakun e PD – së, e po të gërmoja do të listoja edhe 4 - 5 të tjerë në të dy krahët, por të dalësh e të pretendosh, siç po dëgjojmë në këtë fillim fushate zëra që do të shumëfishohen në vijim, se “në doni deputet që s’fle e s’pushon duke menduar e punuar për Ju, votoni për mua!”, është e tepërt. Është e tepërt sepse një deputet që “s’fle e s’pushon” nuk mund të jetë kurrë i qartë, ndërkohë që një deputet që veç “fle” nuk është aspak i dobishëm, por më pak i rrezikshëm. Nuk mund të pretendosh sa më sipër, se sistemi ynë politik nuk i jep shumë kompetenca deputetit. Vetëm deputetët “e veshur” me pushtete speciale nga drejtuesit e plotpushtetshëm, ose ata që e kanë “grasatuar fort qerren e pushtetit”, mund të zotërojnë edhe fuqi specifike, siç ndonjë kandidat pretendon në fushatë. Ndërkohë thuajse asnjë prej atyre që janë rrjeshtuar në listat e hapura me shpresën për t’u kyçur poshtë vijës së kuqe, nuk flet asgjë për ato detyra që bëjnë pjesë reale në mandatin e deputetit, se ato zor se do t’i jepnin vota apo ndoshta, as vetë ai nuk e ka të qartë përse kërkon të zgjidhet! Shqipërisë i duhen deputetë pak, por njerëz me mendje të ndritur e me qiriun e shpirtit shqiptar të pa fikur, që të bëjnë punën e tyre, pa pretenduar “Skënderbeun”. Të ardhur si vullnet i drejtuesve fuqiplotë dhe krimit, ose do t’u shërbejnë atyre, ose do të dalin ashtu siç hynë, pa emër, nga loja politike e të përfundojnë, në mos në burg, në koshin e harresës, siç kanë përfunduar shumë prej tyre. Kakofonia këtu, për shkak të numrit të madh të pjesmarrësve, është sa qesharake aq edhe e trishtë, sa gallatë e komedi, aq edhe serioze e tragjike. Njerëz që në jetën e tyre nuk e kanë lexuar fund e krye një libër, veç atyre të arsimit të detyrueshëm (edhe ato në se i kanë lexuar!), pretendojnë t’u japin mend shqiptarëve nga tribuna e Kuvendit, njerëz që në jetën e tyre nuk u ka thënë kurrë kush “puna e mbarë”, as në familjet e tyre jo më në shoqëri, pretendojnë të ndryshojnë ekonominë, arsimin, kulturën e mirëqënien në vend, njerëz që as një esse nuk kanë shkruar në vitet e jetës së tyre, pretendojnë të ngrenë peshë zemrat e shqiptarëve nga tribuna e Kuvendit. Një pjesë e tyre fatkeqësisht, e mendojnë mandatin e deputetit si çertifikatë që zëvendëson çdo aftësi profesionale e ua mbulon budallëkun, të tjerë edhe më keq akoma, si çertifikatë që u mbulon vjedhjet, korrupsionin e krimin.

Partitë “e vogla” sillen si “të mëdha” e “të mëdhatë” si parti - shtet!

Nuk është se më pëlqen fort përdorimi i termave parti të vogla e parti të mëdha, as parti të reja e parti të vjetra, por në mjedisin tonë politik këta janë termat që gëzojnë më së shumti popullaritet. Një parti e bëjnë të vogël apo të madhe, të re apo të vjetër, idetë, programet, objektivat e rrugët që parashtron në shërbim të shoqërisë. Edhe me një numër të vogël anëtarësh, një parti që mbron një kauzë të madhe e të drejtë dhe përfaqëson interesat e shumicës, që krijon besueshmëri e lidership, është e madhe e mund të sjellë ndryshimin. Shembuj ka plot. Ndërkohë që edhe një parti që “ka lindur” dje, mund të jetë me “mustaqe politike”, pasi nuk ka ide, mbron ide të vjetra që koha i ka lën pas dhe zgjedh të njejtën retorikë, si partitë shekullore. Fatkeqësisht asnjëra prej atyre partive që kanë dalë rishtaz në skenën politike shqiptare nuk dallon shumë nga partitë tradicionale, 35 - 85 vjeçare në vendin tonë. As këto s’kanë ide, s’kanë programe të besueshme e nuk ngjallin besim, që vota ndaj tyre përbën votë ndryshimi. Ato, në rastin më të mirë, nuk kanë ide, e në rastin më të keq janë “këlyshë” të formacioneve politike të vjetra. Ndërkohë që dy partitë e mëdha, e oborrtarët e tyre të përhershëm si Partia e Lirisë, Partia Republikane, Partia Agrare, Partia e të Drejtave të Njeriut, apo më e fundit Partia e Pensionistëve e ndonjë tjetër, duke i atribuar vetes gjithshka e pa asnjë kufizim, të kujtojnë ish - Partinë e Punës së Shqipërisë, partinë - shtet që kontrollonte gjithshka. A nuk të çojnë në këtë konkluzion prentimet e tyre se “do shkrijmë” e “do ngrijmë” SPAK - un (as më pak e as më shumë se do zhbëjmë Kushtetutën!), se për 3 muaj do të zhdukim varfërinë, se do japim paga 1500 euro menjëherë e pensione 400 euro, se … Edhe sikur t’i marrim këto si premtime vullnetmira, ato nuk mund të realizohen pa kompromis demokratik tej një partie, as nuk mund të arrihen këta parametra mirëqënie me një të rënë të lapsit.

5. Shpresat tek gabimet e tjetrit, jo tek aftësitë tuaja

Po t’a ndjekësh me kujdes diskursin politik të aktorëve kryesorë, kjo fushatë elektorale nuk ka programe, bile disa deklarojnë se nuk u duhen gjë ato, nuk ka frymë dhe nuk është një lojë ekipi, për këtë arësye liderët e tyre janë të sforcuar të mbeten në zhargonin e termave politike, jo rrallë edhe parapolitike dhe nuk mund të premtojnë me bazueshmëri se çfarë e kur do të realizojnë në pushtet, por venë në shenjestër të bërat e të pabërat e kundërshtarit. Kandidatët për deputet, sidomos në disa partiçka rishtare, bëjnë sallatë me propozime që tejkalojnë edhe mendjet më të ndritura të drejtuesve partiakë. Partitë përgjithësisht, por jo të gjitha, pavarësisht formës, nuk kanë një skuadër, as nuk kanë ç’të thonë mbi vlerat e tyre, por përqëndrohen në sulmin ndaj kundërshtarëve, shpesh duke harruar edhe etikën minimaliste qytetare. Të krijojnë pa sforco përshtypjen se mes dy të këqininjëve ne, edhe kësaj here, do të na duhet të zgjedhim më pak të keqin, dhe se do zgjedhim mes atyre që gabojnë, ata që gabojnë më pak! E mira dhe të mirët mbeten akoma ëndërra, jo mundësi!

Së fundmi, zoti Rama por edhe të tjerët, po luajnë lojën politike me shpopullimin dhe emigrantët. Shpopullimi, kjo plagë reale e shoqërisë, mbetet pa fajtorë, ndonëse opozita ia faturon Ramës, e Rama hapjes dhe integrimit, ndërkohë që të dyja paler premtojnë rikthimin, pa hyrë tek Meta e partia e tij që pretendojnë Shqipërinë katër milionëshe Brenda një mandate. Premtimet janë nga më qesharaket deri tek më absurdet. Të bësh thirrje për rikthimin e tyre në atdhe, duke u thënë se këtu ka diçka që s’e gjen në asnjë vend tjetër, është një gjë kryesisht në nivelin e propogandës, e t’u krijosh atyre shpresën reale, është krejt tjetër gjë. Punët e mira flasim vetë. Burokracitë t’a marrin frymën në këtë vend edhe kur qëllimi është i mirë. Është lançuar prej shumë kohësh projekti “Shqipëria 1 euro”, por asgjë s’është realizuar konkretisht, sepse 1 euro bën malli, e 1 milion euro të bën halli. Burokracite të marrin frymën e paratë shkojnë lumë, e në fund, nuk është çudi të të shkojë edhe koka. Kohët e fundit ka edhe një përpjekje të zotit Rama që t’i ftojë emigrantët të kthehen e investojnë në tokat e tyre të trashëguara, sidomos në zonat e Veriut, por mali me pengesa burokratike i kalon edhe malet më të larta të Alpeve tona. Shteti akoma s’ka përfunduar ndarjen e tokës bujqësore për familjet bujqësore që jetojnë me to e në to, pa folë për kullotat e pyjet, dhe pretendon rikthimin e emigrantëve në tokat e stërgjyshërve. Toka në gjysmën e vendit është djerrë e as pronarët nuk e punojnë dot sepse nuk e kanë me dokumente pronësie, e as të tjerët jo se nuk është e tyre. Deri kur kështu kjo zullumahi në ndarjen e pronave? Në këtë vend ka humb shpresa, prandaj vetëm rikthimi i saj i rikthen shqiptarët, qoftë edhe përkohësht, por mbi të gjitha frenon hemoragjinë e ikjeve të vazhdueshme, ndryshe… do të vije dita që, kurdo të shkojmë tek shtëpitë e tokat tona të trashëguara brez pas brezi, aty dikush (jo shteti) do të na presë serbes e të na thotë:

- Ndal! Ku po shkon? Kjo është tokë e xanun!

Ndërsa argumenteve tona, se është toka jonë e trashëguar prej gjyshit dhe stërgjyshit, do na pergjigjen:

- “Noc Rrokun” ke për të marrë!

Sa t’na mbetet “Noc Rroku” ne në derë, më mirë t’ua japim atë dhuratë partive, kryetarëve e kandidatëve të pa fe e pa atdhe, në këto votime që nuk po sjellin asgjë të re.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat