Ishte marsi i vitit 1989 kur Serbia e suprimoi edhe atë pak autonomi që e kishte Kosova në ish-Jugosllavi.
Shqiptarët në Kosovë masivisht e kundërshtuan këtë veprim të Serbisë me demonstrata masive në tërë Kosovën. Shukrija, bashkë me shoqet e saj, iu kishin bashkangjitur këtyre demonstratave.
Me një moment, policia serbe i sulmoi demonstruesit duke përdorur armë automatike kundër tyre. Një breshëri automatike e kishte qëlluar edhe Shukrijen dhe ajo ra për tokë, duke ndërruar jetë në duar të shoqeve të klasës në qendër të Prishtinës.
Ajo, me gjakun e saj të njomë, e ujiti tokën e Kosovës, duke paralajmëruar se liria fitohet vetëm me gjak. Ajo më herët edhe u kishte thënë shoqeve të veta se liria nuk pik nga qielli, por fitohet vetëm me gjak.
Ajo ishte frymëzuar nga gjyshi i saj, Isa Obërtinca, i cili, si pjesëtar i NDSH-së, ishte dënuar me pushkatim. Në ndërkohë, dënimi ishte zëvendësuar me burgim të përjetshëm. Pas daljes nga burgu, për shkak të torturave që kishte përjetuar, atij i’u amputuan të dy këmbët. Shukrija, duke parë çdo ditë vuajtjet e gjyshit të saj në atë gjendje të rëndë shëndetësore, i rritej urrejtja ndaj shtetit gjenocidal serb.
Kjo heroine që ra për altarin e lirisë si femra e parë shqiptare duhet të përkujtohet dhe nuk duhet të harrohet. Deri tani, ajo nuk është përkujtuar asnjëherë në ditën e rënies nga shteti i Kosovës.
P.S. Familja Obërtinca disa herë kishte kërkuar nga komuna e Prishtinës që t’u lejohej të vendosnin një pllakë përkujtimore në vendin e rënies për këtë heroin, por komuna e Prishtinës e kishte refuzuar dhe nuk u kishte dhënë leje për vendosjen e një pllake përkujtimore në vendin e rënies.