Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës i ka reaguar ish-deputetit të AAK-së Gani Dreshaj, i cili tha se në këtë spital pacientët po vdesin nga pakujdesia e stafit mjekësor.
“Në Spitalin e Pejës më shpejt hyn lopa e qeni sesa njeriu. Aty më shpejt hyjnë këto dy kafshë sesa vjen mjeku. I kam fakte sepse i kam parë vet”, ka deklaruar Dreshaj në RTK, shkruan Gazeta Express.
Por i ashpër ka qenë reagimi nga drejtori i Spitalit Dr. Skender Dreshaj. Ky i fundit ka kërkuar të mos njollosen sepse po punojnë pa pushim vjetor që nga fillimi i pandemisë, duke i kryer të gjitha shërbimet mjekësore për pacientët.
Reagimi i plotë:
NUK ËSHTË KOHË ANKESASH E KËRKESASH TË PAARSYSHME!
Në Spitalin e Përgjithshëm – Pejë, tani, në këto momente, kemi 142 pacient me Covid-19, 98 pacientë janë me oksigjeno-terapi, 4 pacientë në CPAP dhe 23 pacientë në gjendje të rënduar!
Secila njësi dhe repart Covid-19, është 24 orë e mbuluar me mjek dhe infermier.
Kjo vetëm për rastet me Covid-19. Gjatë ditës kishim shumë intervenime. Edhe në kohën që po shkruajmë në sallë operohen pacient. Janë rreth 100 punëtor në shërbim.
Shërbimi teknik është kujdestar 24 orë: pastrimi, mirëmbajtja e Oksigjeno-Koncentratorëve, sistemit të O2 dhe çdo shërbim tjetër.
Kujdesi intensiv dhe sallat e operacionit funksionojnë 24 orë.
Të gjitha shërbimet e nivelit sekondar për të gjitha njësitë jo Covid mbulojnë rastet urgjente. Shërbimet kirurgjike, urologjike, ortopedike, pediatria, neonatolgjia, gjinekologjia , obstetrika, njësia koronare, të gjitha. Nuk trajtohen vetëm rastet e ftohta operative.
Shërbimet ambulatore vazhdojnë të punojnë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kemi platformën Online Bisedë me mjekun. Nesër në ora 9 kemi mjekun pulmolog për tu shërbyer pacientëve. Mjeku infektolog javën e kaluar kishte mbi 62.000 shikime.
Oksigjenin e kemi të siguruar nga 3 burime: Oksigjeni Qendror, Oksigjeni me Bombola dhe Oksigjeni me Oksigjeno-Koncentrator – në çdo variant jemi të mbuluar, duke përfshirë ramje eventuale të rrymës elektrike apo prishje eventuale të sistemit të Oksigjenit; në çdo rrethanë jemi kujdesur që pacientët tanë të jenë të sigurt se do kenë njërin nga këto burime. I kemi menduar të gjithë skenarët e mundshëm dhe jemi gati.
Nuk është kohe ankesash as edhe kërkesash por po numërojmë:
Kemi halle me infeksion të stafit, kemi staf në moshë te shtyer, kemi edhe te sëmurë kronik, kemi edhe te vdekur ne vend pune, mjek dhe infermier mu nga Covid-19. Mos te flasim se nga marsi nuk ka pushime vjetore për personelin.
Në spitalin tonë kemi moton: Ja ku jam, kudo e do puna!
NUK ËSHTË KOHË ANKESASH E KËRKESASH TË PAARSYESHME!
Personalisht dhe secili nga ne punëtorët e spitalit, familjet tona , që të gjithë kemi marrë shërbime në këtë dhe vetëm këtë spital. Përjashtimet (mund të numërohen në gishtat e njëres dorë) janë vetëm në indikiacionet absolute sikur edhe për çdo pacient tjetër.
Vazhdojmë të jemi në shërbim.
Besoj nuk është e tepërt të kërkojmë të paktën të mos njollosemi në mënyrën që mendja nuk ta kapë dot.
Patjetër se pranojmë kritikat, por, ama , për hirë të zotit , të paktën mendja të na i kap.
Me respekt;
Spitali i Përgjithshëm në Pejë
Drejtori Dr. Skender Dreshaj.