Në fjalën përfundimtare në Gjykatën Themelore në Pejë, prokurorja Sahide Gashi ka kërkruar që i akuzuari për vrasjen e I.G., Janifer Gashi të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, kurse mbrojtësi i tij, avokati Jeton Osmani kërkoi të ricilësohet vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Lëndim të rëndë trupor”.
Sipas avokatit Osmani vdekja e tani të ndjerit I.G., nuk kishte ardhur nga veprimet e të akuzuarit por nga ataku kardiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Gashi tha se një shaka pa kripë e viktimës përfundoi me marrje jete nga i akuzuari.
“Ky është një rast tipik për fat të keq të një mentaliteti që mbretëron ende në mesin tonë, ku një shaka të themi pa kripë të drejtuar të pandehurit nga këtu viktima, por e ushqyer edhe prej të tjerëve, përfundon me një marrje jete dhe pikërisht për shkak të këtij mentaliteti në realitet në këtë rast kemi dy viktima”, tha prokurorja Gashi.
Sipas prokurores, nga dëshmitë e dëshmitarëve është vërtetuar se ngjarja kritike kishte ardhur nga mosmarrëveshja si pasojë e një videoje, e për të cilën thuhet se ishin përhapur fjalë dhe ishte tallur tani i akuzuari.
Këtë gjë, prokurorja Gashi thotë se e kishte pohuar vetë i akuzuari në Prokurori dhe konfirmuar në mbrojtjen e tij se ishte ndjerë i fyer dhe i përqeshur.
Ajo konsideron se motivi dhe qëllimi për kryerjen e veprës penale janë vërtetuar përtej çdo dyshimi të bazuar mirë.
Prokurorja Gashi kërkoi nga gjykata që i akuzuari Gashi të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Ajo kërkoi që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënmin, gjykata t’i ketë parasysh rrethanat rënduese që përkundër ekzistimit të të gjitha provave, i pandehuri nuk ka treguar se e ndjen përgjegjësinë për veprimet e veta dhe pasojat, shkallën e lartë të pjesëmarrjës në këtë vepër penale, pasojat e shkaktuara, si dhe shkaktimin e rrezikut të madh te personat tjerë që kanë qenë prezent ditën kritike krahas marrjes së jetës së viktimës.
Mbrojtësja e viktimave, Zymreta Bashic, e përkrahu në tërësi fjalën e prokurores, ku sipas saj kjo vrasje e rëndë si vepër ka ndikuar negativisht tek palët e dëmtuara në gjendjen psiko-solicale, emocionale dhe materiale.
Bashic kërkoi nga gjykata që pala e dëmtuar të udhëzohet në kontest civil lidhur me kompensimin e dëmit, ose në fondin e kompensimit të viktimave të krimit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Të dëmtuarit Denis Gashi, Lirim Gashi dhe Bajram Gashi, e përkrahën në tërësi fjalën e prokurores. Ata kërkuan që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënim maksimal, ndërsa nuk kërkuan dëmshpërblim.
Edhe i dëmtuari Zekë Gashi, e përkrahu fjalën prokurores dhe kërkoi dënim meritor për të pandehurin, duke shtuar se kërkon dëmshpërblim.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Jeton Osmani, në fjalën përfundimtare tha se Prokuroria përmes provave të administruara nuk ka arritur të dëshmojë aktakuzën e ngritur ndaj të mbrojturit të tij.
Sipas tij, nuk janë plotësuar elementet e veprës penale “Vrasje e rëndë”, me arsyetimin se vdekja e viktimës nuk ka ardhë si pasojë e veprimeve të tani të akuzuarit.
“Nga dëshmitarët-mjekët që u dëgjuan gjatë këtij gjykimi, vërtetohet se vdekja e tani të ndjerit I.G., nuk ka ardhë si pasojë e veprimeve të tani të akuzuarit, por vdekja ka ardhë si pasojë e atakut kardiak të miokardit, të përshkruar në ekspertizën mjeko-ligjore dhe nga vetë përshkrimi i dhënë në dokumentet mjekësore dhe dëshmitë e dhëna gjatë gjykimi, nga mjekët që e kishin mjekuar I.G., pas plagosjes”, tha avokati Osmani.
Avokati tha se gjykata duhet t’i analizojë provat veç e veç, në mënyrë profesionale dhe objektive, duke u siguruar të marrë vendim të drejtë, objektiv dhe të bëjë ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë” në “Lëndim të rëndë trupor”, si dhe t’i ketë parasysh rrethanat lehësuese të parapara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Kurse, i akuzuari Janifer Gashi e mbështeti fjalën e mbrojtësit të tij dhe shtoi se ndjehet i penduar për atë çka ka ndodhur.
Ai tha se nuk ka qenë qëllimi i tij të vije deri tek kjo gjendje, por sipas tij imponimi i të dëmtuarve dhe viktimës dhe frika për jetë, kishte qenë arsyeja që erdhi situata deri në këtë pikë.
“Ndihem i pendum çka ka ndodhë, imponimi i këtyre dhe frika për jetë u kanë arsyeja që ka ardhë deri të kjo situatë”, tha i akuzuari Gashi.
Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës më 13 mars 2023, po e ngarkon të akuzuarin Janifer Gashi, që më 28 qershor 2022, rreth orës 21:04 min, në fshatin Kryshec, Komuna e Pejës, para lokalit “Shelnja” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit I.G, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.G, si dhe me ç’rast me dashje i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit F.G. dhe po ashtu me dashje ka rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarve Z.G., D.G., L.G. dhe F. G.
Sipas aktakuzës, thuhet se me këtë ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 173, pika 1.5 të KPRK-së si dhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, par.2 lidhur me par.1, pika 1.1 të KPRK-së.
Gjithashtu në dispozitivin e tretë, i akuzuari Gashi ngarkohet se në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me Ligjin mbi armë, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pistoletë së bashku me një karikator dhe shtatë fishekë, me të cilën armë ditën kritike kishte shtënë pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I.G.
Me këtë rast, thuhet i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së.