Në Loxhë të Pejës, iu dha lamtumira e fundit Dr. Xhevdet Ademajt, pjesëmarrje që nuk mbahet mend

Peja

Në Loxhë të Pejës, iu dha lamtumira e fundit Dr. Xhevdet Ademajt, pjesëmarrje që nuk mbahet mend

Më: 23 qershor 2024 Në ora: 22:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Mëngjesin e kësaj të diele, ndërroi jetë në moshën 68 vjeçare, Dr. Xhevdet Ademaj. I ndjeri nuk i përballoi disa probleme kardiake të shfaqura kohëve të fundit.

Ceremonia mortore siç raporton ‘RADIO 1’ u zhvillua po sot, në fshatin e tij të lindjes, në Loxhë të Pejës, në ora 18:00, fshat ky që ishte i vogël për t'i pranuar qindra pjesëmarrës që erdhën për t'i dhënë lamtumirën e fundit, Doktorit!

Personalitete publike e politike, Drejtues të Institucioneve Shëndetësore publike e private, kolegë të profesionit, prijës fetarë e qytetarë të thjeshtë, morën pjesë në kortezhin mortor, që u krye me rite fetare.

Fjalë rasti në emër të familjes Ademaj, mbajti ish-kryetari i Bashkësisë Islame të Pejës mulla Nexhmedin Hoxha.

‘Xhevdeti që po e përcjellim sot, duke ia dorëzuar Krijuesit, nuk ishte vetëm i Loxhës, i Pejës, por ishte i popullit. Kjo masë po e tregon, se Loxha nuk po na zë. Familja Ademaj do t’ju jetë mirënjohëse përjetë të gjithë juve dhe atyre që në forma tjera ishin dhe janë me ne në këtë dhembje. Veprat e këtij njeriu e mjeku, dashtë Zoti t’ia shpërblejë me parajsë në Botën tjetër.’-tha mes tjerash ef. Hoxha.

Nga përfaqësuesit politikë, u pa vetëm ish-kryetari i Pejës dhe kryetar i AAK-së Ali Berisha, me bashkëpunëtorë, Dr. Shemsedin Dreshajn, Dr. Nexhmedin Shalën, Dr. Arbër Tolajn dhe disa të tjerë.

Dr. Xhevdeti, ishte i gjithanshëm. Ishte profesionist i fjalës, human, i veçantë në formën e vet unike. Dr. Xhevdeti i dha edhe politikës. Ai nuk mori nga politika, por i dha shumë. Kudo ku ishte, i bëri nder vendit. Dua të mos harrohet edhe roli i tij, në shërbim të të plagosurve të luftës. Ka qenë mik, ka qenë njeri, ka qenë human dhe plot jetë, por, jeta jo gjithmonë t'i rezervon veç momentet e mira. Dr. Xheki pati peripeci porse të gjitha u mundua që çdoherë t'i kthente në forcë, pa e ngarkuar askënd. Unë sot, në emër të AAK-së, ngushëlloj familjen Ademaj, ngushëlloj kolegët e shumtë mjekë që i kishte me dhjetëra, sepse të gjithë e donin, ngushëlloj pacientët e tij dhe mbarë popullatën.’-deklaroi Ali Berisha.

Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe një delegacion i lartë i Spitalit të Përgjithshëm Rajonal të Pejës, në krye me Drejtorin Fazli Shala si dhe përfaqësues të Resortit Rehabilitues ‘ONIX’ nga Banja e Pejës.

Në anën tjetër me dhjetëra kanë qenë edhe reagimet e mjekëve të njohur, në rrjetet sociale.

Sot na bëre më mërzi duke na lënë boshllëk të madh si asnjëherë tjetër. Ju keni pasur ndikim në karrierën profesionale të gjithsecilit nga ne, si koleg e mik, si njeri e humanist. Pusho në parajsën e merituar.’-ka shkruar me këtë rast Dr. Nita Turjaka, Doktoreshë e Mikrobiologjisë në IKSHPK dhe ‘Ndriçimi-RM’, duke e kujtuar edhe tekniken medicinale që nga jeta u nda kohë më parë, të ndjerën Shpresa Camaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat