Iniciativa për ndryshim të emrit, reagojnë nga Spitali i Pejës

Peja

Iniciativa për ndryshim të emrit, reagojnë nga Spitali i Pejës

Më: 28 qershor 2024 Në ora: 10:46
Spitali i Pejës

Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka reaguar ndaj një iniciative për emërtimin e këtij institucioni shëndetësor me një emër tjetër nga disa persona jo përgjegjës.

Sipas këtij institucioni këto veprime po bëhen në mënyrë tendencioze dhe personat të cilët e kanë iniciuar këtë nismë nuk janë përgjegjës për ndryshim të emrit.

Spitali i Përgjithshëm i Pejës në postimin e bërë në Facebook shprehet se çfarëdo aktiviteti që ka të bëjë me këtë institucion duhet të jetë përherë në koordinim me organet drejtuese të Spitalit dhe Këshillit Drejtues dhe në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

“Jemi njoftuar që ka pasur një iniciativë për emërtimin e Institucionit tonë me një emër tjetër, të bërë nga persona që nuk janë përgjegjës për çështje të tillë. Spitali i Përgjithshëm në Pejë thekson se çfarëdo aktiviteti në lidhje me Institucionin tonë duhet të bëhen në koordinim të plotë me organet drejtuese të Spitalit dhe me vendimet e Këshillit Drejtues, si dhe në bashkëpunim me SHSKUK e që janë organet e vetme legjitime për marrjen e çfarëdo vendimi”, kanë shkruar Spitali i Përgjithshëm në Pejë.

Ata kanë theksuar se çdo gjë e cila nuk është në koordimin me këtë institucion është i pavlefshëm.

“Çdo mos koordinim apo injorim i institucionit tonë për propozime të tilla nga persona që nuk janë përgjegjës, është i pavlefshëm, i papranueshëm dhe tendencioz, dhe nuk i shërben mbarëvajtjes së punëve të Institucioneve tona”.

Gjithashtu Spitali Rajonal i Pejës ka thënë se para dy viteve kanë iniciuar një kërkesë për emërim me vendim nga këshilli drejtues tek Ministria e Shëndetësisë por sipas këtij Spitali kjo procedurë është zvarritur.

“Për njohuri të opinionit, Spitali i Përgjithshëm në Pejë bazuar në vendimin e Këshillit Drejtues, ka iniciuar kërkesën tek Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja para dy vite për emërim e Institucionit tonë me një propozim konkret. Fatkeqësisht, kjo procedurë është zvarritur për shkak të punëve që kanë qenë në lidhje me ndryshimin e Statutit të Spitaleve të Përgjithshme dhe SHSKUK”, thuhet në njoftim.

Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka bërë thirrje që të respektohen procedurat në fuqi ngase është e vetmja mënyrë që siguron efikasitet dhe mbarëvajtje në këtë Institucion.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat