Ministri për Rini Kulturë dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se kanë filluar punimet në konakun e Mahmut Begollëve në Pejë, e cila daton nga shekulli XVIII-të.
Ai nëpërmjet një postimi të bashkangjitur me fotografi në Facebook, ka njoftuar fillimin e rinovimeve, të cilës sipas tij do t’i kthehen vlerat të cilat i ka bartur ndër vite.
“Kanë nisur punimet në konakun e Mahmut Begollëve në Pejë. Shtëpisë së ndërtuar në shek. XVIII-të, do t’i kthehen vlerat që kishte”, ka shkruar Çeku.
Ministri Çeku ka thënë gjithashtu se kjo shtëpi simbolizon më së miri arkitekturën tradicionale e cila do të ruhet edhe për pasardhësit.
“Si një ndër shembujt e shkëlqyer të arkitekturës tradicionale të qytetit, do të ruhet për brezat e ardhshëm”, ka përfunduar ai.
Shtëpia e Begollëve është një thesar i trashëgimisë kulturore në Kosovë, i mbrojtur me ligj.