Dje, më 5 nëntor 2024, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 64-vjeçare, kaloi në amshim motra e rregullit Vinçencian, motra Drita (Ndrecë) Krasniqi, e lindur më 15 prill 1960 në Nepolje.
Ishte një motër e përkushtuar ndaj thirrjes së saj si anëtare e Kongregatës së Bijave të Dashurisë së Krishterë, motra Drita i qëndroi besnike Zotit dhe misionit të saj për 43 vite. Duke vepruar me përkushtim të thellë shpirtëror si motër nderi, ajo shërbeu për shumë vite edhe në Kishën e Zllakuqanit, një vend i nderuar për banorët e Lugut të Drinit në Klinë. Për shumë vite pas luftës, ajo punoi si kryeinfermiere në repartin e ortopedisë në Spitalin e Pejës, duke kujdesur me dhembshuri e dashuri për pacientët dhe duke qenë gjithmonë pranë të sëmurëve dhe nevojtarëve.
Në rolin e saj si kryeinfermiere, motra Drita u bë një shembull i përkryer për të gjithë. E njohur për përshpirtërinë, përkushtimin, durimin dhe përulësinë me të cilën trajtonte çdo detyrë, ajo mbeti një figurë e dashur madhore dhe e respektuar si motër nderi e rregullit Vinçensian dhe profesioniste e përkushtuar në fushën e shëndetësisë. Kujtimi i saj do të mbetet një dëshmi e përjetshme e dashurisë dhe kujdesit për të tjerët.
Nderimet dhe homazhet për motrën e ndjerë Drita u mbajtën sot, më 6 nëntor 2024, në Kishën Katolike Shën Katarina në Pejë, duke filluar nga ora 10:00-12:00. Të afërmit, motrat e kongregatës dhe besimtarë të shumtë nga Lugu i Drinit (Zllakuqani, Klina etj.), Lugu i Baranit (Nepolja, Gllogjani etj.) të Pejës dhe Dukagjini u mblodhën për të nderuar kujtimin e saj dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit, duke kujtuar shpirtin e saj fisnik dhe kontributin që la pas në shërbim të komunitetit shqiptar dhe përtej.
Në orën 12:00 u mbajt mesha e përshpirtshme e dritës, e koncelebruar nga imzot Dodë Gjergji, don Lenc Sopi, famullitari i Kishës Katolike në Pejë, dhe meshtarë të tjerë të Dioqezës së Kosovës. Gjatë meshës, ipeshkvi Dodë Gjergji dhe don Lenci e kujtuan jetën e saj të ndritur dhe dedikimin e palodhur për të ndihmuar të tjerët. Fjalët dhe lutjet për të ndjerën përshkruan një shpirt të pastër, një motër të përkushtuar dhe një profesioniste të shquar, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë njerëzve.
Në përfundim të ceremonisë, motra Drita u përcoll me nderime për në banesën e përjetshme. Ceremonia e varrimit u drejtua nga don Lenc Sopi, ndërsa me një fjalë përkujtimore morën pjesë edhe don Lush Sopi dhe një anëtar i familjes Krasniqi, të cilët shprehën dhimbjen dhe nderimin për jetën dhe veprën e saj.
Kujtimi për të qoftë i paharruar dhe shpirti i saj i bardhë le të pushojë në paqe, duke mbetur përjetë si një shembull i dashurisë dhe përkushtimit njerëzor. Pushoftë në paqe!