Largohet mazuti, Spitali i Pejës do të ngrohet nga energjia solare

Peja

Largohet mazuti, Spitali i Pejës do të ngrohet nga energjia solare

Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 22:47
Foto ilustrim

Nga kulmi i objektit të Spitalit të Pejës nuk do të dalë më tym i zi.

Mazuti dhe lëndë të tjera djegëse të cilat kanë shërbyer për ngrohje, tashmë janë zëvendësuar me panele solare.

Ky projekt, është realizuar falë një donacioni prej 143 mijë dollarësh nga Rotary Club Peja dhe rotarianë nga disa vende të botës.

Drejtori i këtij spitali theksoi se projekti ka qenë një sfidë e madhe, por gjithashtu një mundësi për të sjellë ndikim të madh në mjedisin dhe shëndetin e qytetit.

“Kur filluam të flisnim për këtë projekt, dukej se ishte një qëllim i paarritshëm. Por, pas shumë përpjekjesh dhe mundimesh, jemi këtu sot dhe po e shohim realizimin e këtij projekti të jashtëzakonshëm”, ka thënë Fazli Shala, Drejtor i Spitalit Rajonal të Pejës.

E Neshad Asllani nga Rotary Club Peja, foli për punën rreth projektit.

“Edhe ky projekt, por edhe e gjithë puna jonë duhet të bazohet në besueshmëri. Këtu jemi para një prove të katër kërkesave, e cila është një udhërrëfyes për ne, për klubin Rotary dhe për biznesin që e udhëheqim. Ne duhet të bazohemi në të vërtetën”, ka thënë Neshad Asllani, Rotary Club Peja.

I kënaqur me këtë projekt ishte edhe rotariani Steve Jenkins, që tha se mbi të gjitha investimi do të ndikojë në shëndetin e qytetarëve.

“Për ne ky ka qenë një projekt me të vërtetë i madh sepse ka mundësuar Rotary nga pjesë të ndryshme të botës për t’u bashkuar dhe për të bërë diçka që ka qenë në dobi të mjedisit për të gjithë ne, por edhe për njerëzit nga Peja. Ka përmirësuar perspektivat shëndetësore dhe sigurinë e tyre të ardhshme në zonë gjithashtu”, ka thënë Steve Jenkins, Rotarian.

Përveç benefiteve mjedisore, ky projekt sjellë edhe kursim të energjisë, duke e ndihmuar spitalin të bëhet më efikas dhe më i qëndrueshëm financiarisht.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat