​Qyteti me lum, por banorët pa ujë të pijshëm

Peja

​Qyteti me lum, por banorët pa ujë të pijshëm

Më: 23 nëntor 2024 Në ora: 11:10
Ndërprerja e ujit po zgjatë me orë të tëra

Tash e shtatë muaj banorët e Pejës janë në hall me mungesën e ujit të pijshëm. Ujësjellësi “Hidrodrini” thotë se kjo po ndodh për shkak të mungesës së reshjeve por qytetarët ankohen se arsye janë punimet në rrugë dhe ndërtimi i banesave. Sipas tyre, kjo po kushtëzon me ujë të pijshëm disa zona të qytetit i cili e ka Lumbardhin.

Ndërprerja e ujit që po zgjatë me orë të tëra po shqetëson banorët të cilët nuk marrin as njoftim për orarin e ndërprerjes.

Thaçi: Punimet në rrugë po dëmtojnë gypat e ujit

“Në disa lagje ka edhe reduktime me kohë të gjatë, me 12 orë dhe ndoshta edhe më shumë. Ka nisur rritja e popullatës, e banesave. Lagjet e caktuara ku bëhen banesat e mëdha si kyçen ato edhe tash kapacitetet e vjetra nuk përbijnë kështu, këta detyrohen me bë aty-këtu reduktime, ka edhe prishje se bëhen punime nëpër rrugë e dëmtohen gypat e ujit”, thotë Luan Thaçi, banor i Pejës.

Një tjetër qytetar, Adem Raçi kritikon ujësjellësin për mos informim të banorëve për kohën e ndërprerjes së ujit.

Raçi: Nuk marrim njoftim për kohën e ndërprerjes së ujit

“Pa plan reduktime, se të kishim qenë të informuar ishim marrë vesh disi... 5 euro për muaj... Reduktimet që janë duhet të lajmërohen se kur ka, që të përgatitemi, se përndryshe po duhet me ble plan e pa plan në dyqane, atë ujin e njëjtë”, thotë ai.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj pranon se kanë marrë ankesa nga qytetarët.

Zekaj: Komuna nuk është përgjegjëse për ujin

“Uji është në kuadër të ‘Hidrodrinit’, ‘Hidrodrini’ nuk është në Komunën e Pejës, çdoherë e kemi me një pjesë të qytetarëve këtë diskutim që po thonë se komuna po e ndal ujin, komuna as nuk e ndalë e as nuk e lëshon”, thotë Zekaj.

Në anën tjetër, “Hidrodrini” në një përgjigje me shkrim për Kp, ka thënë se ndërprerja e ujit po ndodh si pasojë e “rënies së burimeve për shkak të mungesës së reshjeve”.

“Rajoni i Pejës nuk po aplikon reduktime me orar, ato janë ndërprerë. Ka ndërprerje të furnizimit nëpër pjesë te caktuara në orare lëvizëse varësisht nga situata dhe kjo si pasojë e rënies së burimeve për shkak të mungesës së reshjeve!”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, Naser Lajçi nga organizata “Syri i Vizionit” thotë për KosovaPress se një prej problemeve kryesore që është ngritur është keqpërdorimi i ujit të pijes.

Lajqi: Problemet me ujë të pijshëm janë prej muajit maj

“Prej muajit maj edhe sot muaji nëntor, ka mjaft lagje dhe qytetarë të cilët po ballafaqohen me mungesë të furnizimit të ujit të pijes. Një problem tjetër që është ngritur dhe vazhdon të ngritet, është keqpërdorimi i ujit të pijes nga shumë biznese që ka pasur edhe çkyqyje nga vet qytetarët, sidomos në zona rurale që shpeshherë, ky ujë është përdorur dhe për ujitjen e basheve apo kopshteve... Jo gjithmonë është respektuar edhe orari i reduktimeve, minimumi që zgjasin janë 4 orë, maksimumi është deri në 12-13 orë”, thotë Lajci.

Me ndërprerje të furnizimit me ujë po përballen lagjet: “Xhemajl Kada”, “Qendra Zejtare”, “Zona e Rrokaqiellit”, “Karagaqi”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat