Situata me energjinë elektrike në vend ka shkaktuar shumë telashe, si për ekonomitë familjare, ashtu edhe për bizneset.
Me një situatë të vështirë me furnizim me energji elektrike po përballet komuna e Pejës.
Gazetari Valdrin Daci, ka dhënë detaje mbi situatën e cila po mbretëron atje me rrymën.
“Zëdhënësi i KEDS-it ka thënë se nuk ka reduktime por ka ngarkesa në rrjetin elektrik. Njëjtë ka thënë edhe KESCO, duke kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike sepse po ngarkohet rrjeti”, deklaroi gazetari Valdrin Daci.
Ai tha se nesër, para zyrave të KEDS-it, me fillim nga ora 8:25, banorët e Vitomiricës do të mblidhen për të protestuar.
“Protesta do të nisë nga ora 8:25 para zyrave të KEDS-it për të kërkuar të drejtat e tyre, duke filluar nga rikthimi i energjisë elektrike dhe rregullimi i gjërave që ata pretendojnë se u ka premtuar drejtori i KEDS-it. Kjo që po e them është e bazuar në deklaratën që e ka dhënë kryetari i Bashkësisë Territoriale të Vitomiricës, Qerim Krasniqi”, deklaroi Daci.
Ai tha se edhe shumë biznese kanë mbetur pa energji elektrike, duke u shkaktuar dëme të mëdha atyre.
Kjo situatë po mbretëron që nga e hëna e kësaj jave.