Shpërthimi ne Pejë ndodhi në shtëpinë e Alban Dizdarit, të akuzuarit në rastin e vrasjes së policëve në Podujevë
Incidenti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 2 pas mesnate, teksa rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Rugova deklaroi se incidenti ndodhi në rrugën “Besnik Lajqi”, aty ku u hodh një granatë dore.
Ai shtoi se nga incidenti, fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar.
Burime të indeksit pohojnë se incidenti ka ndodhur në pronën e Alban Dizdarit.
Dizdari tash e sa kohë ka qenë nën gjykim për ndihmë në kryerje të veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.
Dezdari akuzohet se ka ndihmuar të dyshuarin Bedri Krasniqi për të kryer sulmin me armë ndaj një patrulle policore të UNMIK-ut në Podujevë, në marsin e 2004-tës.
Sulmi i mori jetën zyrtarit policor të UNMIK-ut, Possible Essuman, dhe zyrtarit policor të Kosovës, Arsim Rrustollit. Sakaq, lëndime trupore kishin pësuar zyrtari policor Basri Mulliqi dhe përkthyeri Ramë Zeneli.
Lidhur me shpërthimin e mbrëmshëm, zëdhënësi i policisë, Rugova tha se të dyshuarit janë në kërkim.
“Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Njësitet relevante të drejtorisë rajonale të policisë në Pejë, kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe për rastin u njoftua po ashtu edhe Prokurori i Shtetit.
Policia është në kërkim të personave të dyshuar, kurse rasti cilësohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha Rugova.