Miratohen projektet për rregullimin e shtratit të Lumbardhit dhe hapësirave publike në Pejë

Peja

Miratohen projektet për rregullimin e shtratit të Lumbardhit dhe hapësirave publike në Pejë

Më: 1 mars 2025 Në ora: 20:39
Kuvendi Komunal i Pejës

Kuvendi Komunal i Pejës ka mbajtur takimin e tij të dytë të rregullt për këtë vit, nën drejtimin e kryesuesit Rexhep Kurtbogaj.

Në këtë seancë, e cila u zhvillua në prani të kryetarit të komunës, nënkryetarëve, drejtorëve komunalë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve të interesuar, u diskutuan dhe miratuan disa çështje të rëndësishme për komunën.

Ndër temat kryesore të rendit të ditës ishin miratimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar, autorizimi për shpalljen e konkursit publik për tituj nderi, dekorata dhe mirënjohje, si dhe formimi i një komisioni të veçantë për ndarjen e këtyre titujve nga Kuvendi i Komunës.

Po ashtu, u shqyrtuan dhe miratuan disa propozime të kryetarit të komunës, përfshirë dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale për instalimin e paneleve solare në ZK Lutogllavë, si dhe një sërë marrëveshjesh për këmbimin e pronave komunale me prona private.

Këto këmbime kanë për qëllim kryesisht rregullimin e shtratit të lumit Lumbardh dhe ndërtimin e shtigjeve të ecjes përgjatë tij, si dhe krijimin e hapësirave publike dhe rrugëve të reja.

Gjithashtu, në këtë mbledhje u prezantua një informatë mbi procesin e legalizimit të objekteve në komunë gjatë vitit 2024, si dhe një raport mbi realizimin e Planit të Prokurimit për vitin e kaluar.

U diskutua edhe inspektimi i ndërtimeve në Pejë dhe u ngritën pyetje e propozime nga anëtarët e Kuvendit lidhur me punën e komunës.

Seanca përfundoi me adresimin e çështjeve të ngritura nga anëtarët dhe drejtuesit e Kuvendit, duke reflektuar përparësitë dhe sfidat e qeverisjes lokale në Pejë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat