Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka hedhur poshtë amendamentet e propozuara nga ish-presidenti Hashim Thaçi për zgjatjen e mandatit.
“Dhoma Kushtetuese vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej Kapitullit II të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin për aktgjykimin nga Dhoma Kushtetuese.
E ndaj këtij vendimi ka reaguar menjëherë analisti politik, Faton Mehmeti. Ai thotë se Hashim Thaçi është ka i vuan pasojat e kurtheve të ngritura nga vet ai.

“Thonë se çfarë të mbjellësh do të korrësh, kjo po i ndodh ish presidentit Hashim Thaçi. Duke u munduar të pastronte rrugën e mbetjes në pushtet dhe prapa grilave, duke u bërë kurthe shokëve të luftës, Thaçi e pësojë edhe vet”, shprehet Mehmeti.
Sipas tij, dënimi nga gjykata Speciale do të jetë fundi i Thaçit.
“Vendimet e tija për mbështetjen e Gjykatës Speciale dhe zgjatjen e mandatit të saj, rezultuan të ishin të gabuara dhe fatale. Tani që ndodhet pas hekurave, fundi fatale pritet të jetë dënimi i Thaçit. Sigurisht se tanimë Thaçi është penduar, tani është vonë, Thaçi s’ka nga të ikën më. Goditja fatale dënimi nga Gjykata Speciale, do të shkruaj fundin e turpshëm të njeriut të ngritur në pushtet mbi intriga dhe kurthe”, deklaron Faton Mehmeti për “Bota sot”.
Kujtojmë se ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zyrtarisht më 25 gusht i ishte drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, kishte kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.