Ambasadori Amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, ka deklaruar pas takimit me kryetarin e Komitetit të punëve të jashtme të Kuvendit të Serbisë, Zarko Obradoviq, se interesi i Uashingtonit është anëtarësimi i Serbisë në BE dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin atë në procesin e pranimit në BE.
Godfrey ka thënë se anëtarësimi i Serbisë në BE do të kontribuonte gjithashtu në stabilitetin në rajon, prosperitetin dhe rritjen ekonomike, transmetojnë mediet serbe kumtesën nga Kuvendi i Serbisë.
Ai shprehu pritjen që marrëveshjet në lidhje me bashkëpunimin midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, kryesisht Marrëveshja për shkencë dhe teknologji dhe Marrëveshja për nxitjen e investimeve, së shpejti do të jenë në procedurë parlamentare dhe do të ratifikohen nga Kuvendi serb.
Ambasadori amerikan përsëriti se ndryshimi i administratës në Uashington nuk do të ndikojë në zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit midis Serbisë dhe Kosovës.